Deputeti i PD-së, Xhaferraj: Ne na tregohej statuti i 11 Dhjetorit, me Metën hartohej marrëveshje

A ka qenë marrëveshja e kryetarit të PD-së, Sali Berisha me atë të PL-së Ilir Meta, ajo që detyroi grupin e Alibeajt për t’u tërhequr nga negociatat për kandidatë të përbashkët për zgjedhjet vendore në PD? Deputeti i PD-së, Ferdinand Xhaferraj, nëpërmjet një postimi në Facebook, lë të kuptohet se bisedimet mes deputetëve të PD-së Edi Paloka dhe Gazment Bardhi, u ndërprenë pasi në kohën që grupit të PD-së “i tregohej statuti i 11 Dhjetorit, me Metën hartohej marrëveshja”.
Sipas tij, domosdoshmeria që kandidatët demokratë të mundin kandidatët e regjimit në zgjedhjet lokale, shtyu për negociata, që duhej të ishim të hapur dhe tolerante, madje, “duke pranuar edhe primaret e shpallura nga Berisha”.
“Por, pamë që ndërsa ne na tregohej statuti i 11 Dhjetorit, me Metën hartohej marrëveshje! Propozimi ynë, që ka vetëm një synim, të nxjerrë kandidatë të përbashkët që mobilizojnë gjithë votat e demokratëve dhe përtej, është aty. Gara lokale nuk është betejë e brendshme e statuteve të PD-së, por është betejë për të mundur regjimin. Ne jemi të gatshëm të japim kontributin tonë për një të mirë të përbashkët. Por, së pari, gjërat duhen thënë siç janë, sepse faktet janë kokëfortë dhe nëse nuk adresohen para zgjedhjeve, do të kthehen në “shuplaka” të forta pas tyre.”- shkruan Xhaferraj.
/rtsh.al/