E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputeti i PDI: Projekti i parë, rezoluta për çamët

 

VLORE- Pas zërave të përhapur në Vlorë se deputeti i sapozgjedhur i PDI-së do të braktisë koalicionin e djathtë, ka sjellë reagimin e Dashamir Tahirit. Ai përgënjeshtroi “blerjen” nga të majtët, duke i cilësuar këto zëra si dashakeqe, ndërsa konfirmoi edhe njëherë bindjet e tija të djathta dhe votën e tij për Sali Berishën.
Z. Tahiri, nga një biznesmen i suksesshëm, së shpejti do të uleni në Parlament si përfaqësues i komunitetit çam për qarkun e Vlorës. Si ndiheni?
Së pari dua të falënderoj gazetën tuaj, e cila po më jep mundësinë për t’u shprehur. Sigurisht që ndihem shumë i kënaqur, por ndiej tashmë edhe një përgjegjësi të madhe për të bërë të pamundurën jo vetëm në Parlamentin shqiptar por edhe në organizmat e huaja për zgjidhjen e çështjes kombëtare çame. Ashtu si u zgjidh çështja kosovare, ka ardhur koha të zgjidhet përfundimisht edhe ajo çame.
Kam punuar gjithë kohën për këtë në të gjithë mënyrat për t’u ndërkombëtarizuar çështja dhe për të gjetur një zgjidhje.
Kujt ja dedikoni fitoren e mandatit të deputetit?
Në radhë të para stafit dhe bashkëpunëtorëve të mi, me të cilët bëmë një fushatë të qetë, korrekte dhe të suksesshme, pa shumë zhurmë. Së dyti do të falënderoj të gjithë komunitetin çam, si dhe ata qytetarë të Vlorës që më besuan dhe më dhanë votën e tyre. Besimin e tyre do ta justifikoj me punë në Parlamentin shqiptar. Do t’iu qëndroj pranë dhe më shumë, pasi lidhjet e mia me komunitetin kanë qenë edhe më parë shumë të afërta dhe korrekte, duke i ndihmuar ata sipas mundësive.
Me çfarë po merreni këto ditë mbas zgjedhore?
Po pushoj pak, por po merrem edhe me biznesin. Do të bëj disa ditë pushime me familjen, në pritje që Kryeministri Berisha të krijojë kabinetin qeveritar në kohën e duhur sipas ligjit.
Ditët e fundit ka pasur zëra në Vlorë se ju jeni “blerë” nga koalicioni i majtë...
Jemi në demokraci, njerëzit dhe ata që i duan të keqen e PDI–së dhe Çamërisë, por edhe timen flasin sipas interesave të tyre. Unë kam qenë, jam dhe do të mbetem i djathtë. Nuk jam shitur dhe as blerë ndonjëherë dhe as nuk do të ndodhë kurrë. Unë nuk kam nevojë për para, madje mund të ndihmoj të tjerët, ashtu siç edhe kam bërë deri më sot. Vota ime është dhe do të mbetet për Çamërinë, koalicionin e djathtë dhe për z.Berisha. Njerëzit që kanë përhapur këto zëra, le të merren me fjale dhe thashetheme, ne do të merremi me punë.
Cilat do të jenë projektet e tua të para si deputet?
Unë jam djalë çam dhe përfaqësoj këtë komunitet në Parlament. Si i tillë, çështja jonë tashmë duhet vënë në rrugën e zgjidhjes. Pra çështja çame është e para me të cilën unë do të merrem. Që në fillim të punës në Parlament do të kërkoj miratimin e një rezolute për zgjidhjen e këtij problemi. Komuniteti çam do të kërkojë nga Parlamenti shqiptar dhe organizmat ndërkombëtare, zgjidhjen e shkeljeve të të drejtave të njeriut që u është bërë nga grekët që në vitin 1944. Duhet t’u jepet e drejta të shkojnë të vendosin një tufë me lule te varret e të parëve në tokat e tyre në Çamëri. Të tjera të drejta të shkelura do të gjejnë zgjidhje hap pas hapi në vazhdimësi. Për të formuluar rezolutën, e cila do të paraqitet në parlament, po punon një grup pune me specialistë të njohur të fushave të ndryshme. Gjatë fushatës, i vetmi premtim që i kam bërë këtij komuniteti ka qenë zgjidhja e çështjes çame. Këtë premtim do ta mbaj. Zëri im në Parlament dhe vota ime do të jetë për komunitetin çam, për të djathtën dhe për z. Berisha.                                                     q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›