Dibër, shiu shkatërron prodhimet
DIBER - Fermerët e Dibrës, Bulqizës dhe Burrelit hedhin alarmin se po u kalbet gruri në ara. Shkak është bërë moti me reshje të vazhdueshme shoqëruar me stuhi. Prej gati dy javësh ky rajon është prekur nga reshjet e vazhdueshme, duke shkaktuar dëme të mëdha në bujqësi. Sipas fermerëve, dëmet më të mëdha po i shkaktohen grurit që po kalbet. Gruri është në fazën e korrjes, por pengesë për këtë janë bërë reshjet, të cilat shoqëruar edhe me stuhi kanë rrëzuar një sasi të konsiderueshme të bimës. Zonat më të prekura ku dhe kultivohet në shumicë bima e grurit, janë fusha e Muhurrit dhe Kastriotit në luginën e Drinit të Zi, fusha e Maqellarës dhe ajo e luginës së Matit. Stuhia e deritanishme ka përgjysmuar prodhimin, por nëse do vijojë e tillë atëherë fermerët do të mbeten pa prodhim.