Deputeti i PS, Artan Gaçi, padi për divorc nga gruaja
Deputeti i Partisë Socialiste, Artan Gaçi, kërkon divorc nga bashkëshortja në Gjykatën e Tiranës. Me anë të një kërkesë-padie, deputeti ka kërkuar zgjidhjen e martesës së tij, martesë e kurorëzuar vite më parë. Kërkesë-padia për divorc e deputetit të qarkut Tiranë është depozituar në muajt e fundit të vitit 2011, por ajo ka kaluar “pa zhurmë” në korridoret e Gjykatës së Tiranës. Madje, edhe në faqen zyrtare të Gjykatës, publikimi i saj është “kursyer” për disa muaj.
Procesi për shqyrtimin e saj ka nisur javën e parë të dhjetorit të vitit të kaluar dhe deri tani janë zhvilluar vetëm tri seanca, por ende pa arritur në vendimin përfundimtar. Burime jozyrtare pranë selisë rozë në kryeqytet bënë të ditur se deputeti Gaçi, prej disa kohësh, që i referohen verës së vitit të kaluar, kishte mosmarrëveshje me bashkëshorten e tij. Në tetor ai i është drejtuar Gjykatës për të zgjidhur në mënyrë ligjore jetën e tij bashkëshortore, ndërsa përflitet se ai ka një raport me kolegen Olta Xhaçka, deputete në PS. Nga martesa e çiftit Gaçi kanë lindur dy fëmijë, djalë dhe vajzë.
DIVORCI
Çështja gjyqësore e deputetit socialist Artan Gaçi në Gjykatën e Tiranës mban numrin 4701 dhe ajo i përket llojit “padi për zgjidhje martese”. Palë paditëse në këtë kërkesë është Artan Gaçi, ndërsa në rolin e “të paditurit” është bashkëshortja e tij, Pranvera Gaçi. Objekti i kësaj padie është “zgjidhje martese, lënie e fëmijëve për rritje dhe edukim”. Në Gjykatën e Tiranës kjo çështje po shqyrtohet nga gjyqtari Ardian Kalia. Deri tani janë zhvilluar tri seanca të këtij procesi në Gjykatë, një nga të cilat vetëm pak ditë më parë, më 15 shkurt. Burime zyrtare të Gjykatës së Tiranës bënë të ditur se në seancën e parë, të zhvilluar javën e dytë të dhjetorit, deputeti Gaçi ka qenë vetë i pranishëm në sallën e gjyqit. “U thirr, u paraqit personalisht, paditësi Artan Gaçi. U thirr, nuk u paraqit e paditura Pranvera Gaçi, nuk konfirmohet dijenia. Në zyrën e protokollit të kësaj gjykate ka paraqitur një kërkesë me shkrim për shtyrje gjykimi duke pretenduar se e paditura është sëmurë. Paditësi tha: ‘Kërkojmë që të përsëritet fletë-thirrja për gjykim për të paditurën duke caktuar një datë të afërt gjykimi’”, citohet zyrtarisht në shënimet e seancës gjyqësore. Po sipas burimeve zyrtare, më 20 dhjetor 2011, çështja ka kaluar në shqyrtim gjyqësor, ndërsa seanca e 15 shkurtit 2012 nuk është zhvilluar për arsye objektive. Seanca e radhës e këtij procesi është caktuar më 1 mars. ARMAND BAJRAMI