E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmirësohet moti, disa komuna ende të izoluara

Me gjithë përmirësimin e kushteve të motit dy ditët e fundit, ende ka komuna të bllokuara për shkak të dëborës në vend. Por përmirësimi i situatës në veri dhe dhe verilindje të vendit ka ndihmuar në operacionet e shpërndarjes së ndihmave dhe evakuimit të banorëve aty ku situata paraqitet e vështirësuar.
Megjithatë, gjendja problematike vijon të mbetet në shumë komuna, ku përpjekjet vijojnë për të mos lënë asnjë zonë të izoluar nga mungesa e komunikimit.
Situata më problematike vazhdon të jetë ende në rrethin e Bulqizës. Pavarësisht temperaturave, ngricat dominojnë kudo, ndërsa në komunat dhe fshatrat e thella malore mbeten ende të izoluara nga dëbora. Problematike është situata në komunat Ostren, Trebisht, Tërnova e Madhe dhe Tërnova e Vogël, si dhe në fshatrat e Martaneshit, në Fushë Bulqizë, pasi lartësia e borës arrin deri në rreth 2 metra.
Në Dibër situata është më ndryshe. Në disa prej komunave të izoluara prej disa javësh janë hapur rrugët, ndërsa që prej dy ditësh kanë nisur të shpërndahen ndihma ushqimore për banorët dhe për bagëtitë e tyre.
Në qarkun e Shkodër reshjet janë ndërprerë, por vazhdojnë të jenë të bllokuara disa fshatra të komunës Kelmend në Malësi të Madhe, si Vermosh, Nikç dhe Selcë. Në Dukagjin komuna Shllak dhe Shosh dhe në Pukë komuna Iballë, Gjejgan, Blerim Qafë Mali janë të izoluara. Megjithatë po punohet për hapjen e rrugëve te trageteve Fierzë-Koman. Edhe në Tropojë situata është përmirësuar ndjeshëm. Temperaturat janë ngritur dhe janë hapur rrugët për qarkullim.
Në qarkun e Korçës termperaturat vijojnë të jenë të ulëta, po punohet për hapjen e rrugëve ndërsa të gjitha akset nacionale kalohen pa vështirësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›