Deputeti në komisariatin e Aldo Bares
Armand Bajrami
Prokuroria lexoi dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda, në procesin kundër anëtarëve të Bandës së Lushnjës, dëshminë e Zyber Meços, ish-drejtues i firmës së pastrimit të qytetit të Lushnjës. Paraqitja e dëshmisë është bërë nga prokurorët, pasi dëshmitari ka vdekur.
Në këtë episod, që bën fjalë për krimet e bandës së Aldo Bares, paraqitet edhe njëherë situata e ndodhur në atë që njihej “komisariati nr.2” i Aldo Bares, ku është parë deputeti i PD-së Ilir Bano. Më poshtë vijon dëshmia e Zyber Meços, lexuar dje në gjykatë:
Jam banor i lagjes “Kongresi” Lushnje, i martuar, kam tre fëmijë, aktualisht i papunë. Më parë kam qenë drejtues i firmës SHPK, “Henea” Lushnjë, me drejtim pastrimin e qytetit Lushnjë. Këtë punë e kam ushtruar që prej vitit 1997 e deri në vitin 2002. Kam vëlla Pëllumb Mecon, i cili që prej viti 2002 është i papunë. Më parë ka punuar me bashkinë e qytetit Lushnjë, si përgjegjës i taksave në bashki.
Pyetje: Vëllai juaj Pëllumb Meço ka deklaruar se në muajin maj të vitit 199 u kanë marrë peng grupi i Aldo Bares. A mund të na sqaroni rrethana rreth kësaj ngjarjeje?
Përgjigje: Po, është e vërtetë që na ka marrë peng grupi kriminal i Aldo Bares, që vepronte në rrethin e Lushnjës. Për këtë unë do të sqaroj çka di për rrethanat e kësaj ngjarjeje. Më kujtohet që ka qenë muaji maj i vitit 1999, si datë dhe ditë nuk më kujtohet. Ka qenë rreth orës 21:00 kur unë u nisa nga shtëpia ime për të shkuar tek shtëpia e vëllait, Pëllumbit, në lagjen “S. Libohova”. Po shkoja në këmbë, ishte errësirë. Unë vendosa të përshkoja rrugën nga shtëpia ime, e cila është në afërsi të xhamisë së qytetit, në rrugën kryesore që të çon te shatërvani në qendrën e qytetit. Nga këtu mora rrugën për te klubi “Labëria” me pronar Sejman Brahon. Këtu u ktheva për nga qendra e qytetit. Rreth 200 metra pa mbërritur tek unaza, rreth orës 21:30, kur unë isha pranë shtëpisë së Zenel Gucës, pashë që pas meje po vinte një makinë me dritat ndezur. Kjo makinë sa më parakaloi rreth 2-3 metra, ndali para meje. Ishte një makinë furgon, i bardhë tip “benz”.
Sa e pashë unë e njoha që ishte furgoni blinduar i grupit të Fredi Shkurtit në Lushnjë.
Pyetje: Nga e dinit që ishte kjo makinë ishte e blinduar?
Përgjigje: Po, këtë makinë nuk e njihja vetëm unë në Lushnjë, por e njihnin të gjithë dhe e dinin që kjo makinë ishte makina e komisariatit nr.2 me shef Alfred Shkurtin. Unë po them një gjë të vërtetë që nuk kundërshtohet, se kjo makinë sa herë kishte ndeshje futbolli vendosej para tribunës së stadiumit.
Sa ndalon furgoni shoh që hapet dera anësore në krahun e djathtë. Nga dera nxjerr gjysmën e trupit një person dhe më thërret: “O Bele, hip lart se kemi punë me ty”. Unë hipa dhe nuk bëra asnjë lloj kundërshtimi, pasi e dija shumë mirë që po të kundërshtoja ata do të më vrisnin dhe hipa menjëherë në furgon. Personin që më thirri fillimisht e njoha menjëherë dhe ky ishe Arjan Aliço, person që e kisha parë të lëvizte vazhdimisht me këtë furgon. Sa hipa, ai mbylli derën dhe furgoni u nis. Aty pashë që furgonin e ngiste Arben Boriçi, në vendin e pasagjerit ishte Maksim Çela, ndërsa Arjan Aliço u ul në sedijen pas shoferit dhe unë në sedijen pas në sedijen pas vendit të parë të pasagjerit, Maks Çelës. Kur hipa pashë që Aliço kishte një automatik kallashnikov në dorë. Makina vazhdoi të përshkonte rrugën Klubi Morrit, shtëpia e Ilir Banos, mori kthesën djathtas te tregu i fruta-zarzavateve, doli në rrugën kryesore për në qendër të qytetit dhe prej këtu në komisariatin nr.2 të Lushnjës me shef Aldo Baren.
Ky komisariat ndodhej ngjitur me Komisariatin e Policisë Lushnjë. Unë sa hipa në makinë nuk thashë asnjë fjalë dhe nuk fola gjithë rrugës. Isha shumë i stresuar se mendoja se do të më vrisnin. Gjatë rrugës Arjan Aliço i thoshte Arben Boriçit dhe Maksi Çelës: Do të ngopen krimbat me këtë se ky ka dhjamë shumë. Ata të dy qeshnin.
Komisariati nr.2 i Aldo Bares ishte një godinë njëkatëshe, e cila ndodhej para shtëpisë së Idai Shkurtit, e rrethuar me një mur të lartë. Kishte si hyrje një portë të madhe metalike. Brenda mureve ishte një oborr me sipërfaqe shumë të madhe. Në oborrin e kësaj godine ishin disa djem të moshave të reja, të cilët nuk i kam fiksuar. Prej oborrit nëpërmjet një dere futem në një korridor. Në këtë korridor kishte dyer anësore,prej të cilave hynin e dilnin persona të ndryshëm të armatosur me pistoleta në brez. Në këtë korridor kam fiksuar dhe njohur njërin prej tyre, konkretisht Flamur Vilën. Sa hyje në këtë korridor shoh që në fund të tij ishte një tavolinë, mbi tavolinë ishte një aparat telefoni, ndërsa ulur në karrige në afërsi të kësaj tavoline ishte vëllai im Pëllumb Meço. Ilir Bano, atë kohë deputet i PD për Lushnjën dhe Ylli Sefa, kryetar i PD për Lushnjën. Unë shkoj dhe ulem te tavolina që përshkrova më lart, ndërsa Arjani dhe Maksi nuk u ulën, por lëviznin sa në një dhomë në tjetrën. Gjatë gjithë kohës këta mbanin në dorë automatik dhe pistoleta në brez. Kur Arbeni po shkonte për t’u ulur në tavolinë, e pashë shumë mirë që kishte pistoletë në brez. Llojin e tyre nuk e dalloja dot ndërsa automatikët ishin kallashnikov. Më ulën dhe mua në krah të vëllait tim Pëllumbit, në krahun e majtë të korridorit kur hynë në të, ndërsa Ylli Sefën ballë për ballë nesh, në krahun e djathtë.
Sa ulemi, Arben Boriçi, i drejtohet deputetit të PD Ilir Bano duke i thënë “Ilir, përse nuk flet mirë ti për ne në Parlament?”. Iliri u thotë që “unë nuk jam pjesëtar në qeveri që të flas mirë për ju. Unë nuk kam punë me ju. Ne kemi punë partie, ato tuajat janë punë qeverie”. Në bisedë e sipër Arben Boriçi merrte dikë në telefon me telefonin që ishte në tavolinë dhe i thotë “O shef, o shef i kam këtu ata”. Se ç’përgjigje mori prej këtij që i fliste shef, nuk mora vesh dhe se kush ishte shefi nuk e përcaktoja dot. Këtu na mbajtën mbi një orë. Gjatë gjithë asaj kohe që na mbajtën aty, ai debatonte me Ilirin dhe herë pas here merrte në telefon personin që i thërriste shef. Rreth orës 23:30, ata na nxorën nga godina ku ishim. Ne sa dolëm, ikëm drejt në shtëpi.
Ka qenë muaji mars i vitit 2000, si datë nuk më kujtohet por duhet të ketë qenë rreth orës 8:30 e mëngjesit. Unë isha duke punuar në zyrën e firmës sime në lagjen “G.Muço” pranë ndërmarrjes së shërbimeve publike Lushnjë. Në zyrë për momentin isha vetëm. Papritur aty futet Arben Boriçi me Arjan Aliçon. Sa u përshëndetën thonë që do të në japësh botin e ujit për në Lagunë dhe do të caktosh dhe shoferin dhe do ta paguash vetë. Unë nuk kundërshtova fare duke e ditur se me kë kisha të bëja dhe u thashë: Merreni. Në moment thirra shoferin e botit që kisha unë, Sami Haxhin dhe i thashë që do të vazhdosh të punonte për ta.
Pas njëfarë kohe të marrjes së botit, më vjen në zyrë Arben Boriçi dhe Arjan Aliço dhe më thotë që do ta heqësh këtë shofer dhe do të caktosh një shofer tjetër. Unë sa më thanë këto fjalë e çova Samiun menjëherë dhe çova Skënder Imerin si shofer. Pasi kaluan për rreth 8-9 muaj, një ditë më vjen shoferi që unë kisha caktuar dhe më thotë që më është prishur makina në Karavasta, prandaj duhet marrë. Të nesërmen e ditës që më tha Skënderi, unë shova dhe mora makinën. Për gjithë periudhën që këta përdorën makinë dhe shoferin, detyrimet ndaj bashkisë i shlyeja vetë.
Lexohet në gjyq rrëfimi i Kujtime Arapit pas vdekjes
Dëshmia e të vdekurës: Si shpëtoi im shoq nga vrasja prej Aldo Bares
TIRANE - Në gjyqin e djeshëm u lexua edhe dëshmia e Kujtime Arapit, lidhur me rrëmbimin e të shoqit nga anëtarët e Bandës së Lushnjës. Më poshtë vijon dëshmia e paraqitur në gjyq:
Jam me banim në Lushnjë, e martuar me dy fëmijë, me punë në fabrikën e Tullave Lushnjë. Njihem me dy emra, emri që kam në gjendjen civile është Kujtime Kërçuku (Arapi), ndërsa më thërrasin edhe Vjollca Kërçuku; theksoj se më njohin dhe me mbiemrin Kërçuku. Bashkëjetoj me burrin Adem Arapi dhe dy fëmijët e mi.
Në lidhje me sa më pyetët për tentativën e rrëmbimit që bënë për Petrit Selmanin, unë di të shpjegoj si më poshtë:
Ka qenë muaji janar. Data duhet të ketë qenë 28 apo 29, nuk më kujtohet mirë, por e mbaj mend se ka qenë një ditë pas Bajramit. Burri im Ademi ka dalë nga shtëpia për të çuar disa dërrasa për të sharruar te zdrukthëtari, mbasi do të rregulloja banesën. Kur ka shkuar aty e ka gjetur mbyllur zdrukthëtarinë dhe ka shkuar te klubi i Caushëve, e konkretisht te klubi i Caush Caushit. Tek klubi ka takuar komshiun Besnik Dervishi dhe i ka kërkuar një kafe, duke i thënë, që unë sot nuk kam lekë. Besniku i ka thënë se po të vijë gruaja ime të marrë karrocën dhe do të pimë të dy kafe. Në kohën që kanë vajtur për të pirë kafe e ka thirrur burrin tim Arben Boriçi. Pasi e kanë hipur në makinë, mua më ka ardhur në shtëpi komshiu Besniku dhe më tha se burrin tënd e ka marrë një makinë pa targa. Ishin tre katër veta dhe ai shkoi. Mua më shkoi mendja se atë e kishte marrë grupi i Alfred Shkurtit (Aldo Bares), mbasi atij i kishin vrarë vëllain dhe ai kishte thënë që do të merrte hakun e të vëllait. Me të marrë njoftimin e rrëmbimit të burrit, shkova te shtëpia e Alfred Shkurtit (Aldo Bares) dhe kam takuar aty babain e tij, nënën dhe kunatën e tij. Pasi i pyeta për Zyberin, vëllain e Fredit, por ai ishte në punë, zbrita poshtë. Në hyrje pashë Alfredin me shokët e tij. I fola Fredit, e takova dhe e pyeta për burrin. Fredi më pyeti përse kisha shkuar aty dhe unë i thashë që kisha dëgjuar se ai do të merrte hak për vrasjen e të vëllait. Ai më tha “Unë e kam marrë dhe shko se e ke në spital. Thuaj shyqyr që e ke gjallë, se kur të shikosh emrat e të tjerëve në shtyllë do të thuash shyqyr që e kam gjallë. Unë nuk pyes për kërkënd, me këtë dorë do të vras Met Zenelin, Mazarin, Idajet Beqirin nga Bitaj, nuk ka shtet dhe nuk pyes për kërkënd. Bashkë me Alfredin aty ishin edhe Arben Boriçi, Zyber Shkurti, Ilir Stërgu, Veri Burdullaku, Enver Boriçi, Aguri (ai që ka lokalin tek spitali që quhet “Bar Kanali”), Ledi Nurçe (nipi i Nuredin Nurçes). Pas kësaj u largova dhe shkova në spital dhe e gjeta burrin tim të masakruar e pa ndjenja në gjendje kome. U kishin kërkuar që ta çonin në morg e të mos e mjekonin fare. Në spital kishin ndërhyrë Ylli Kërçuku dhe Bajame Kërçuku që të mjekohej. Mbasi e mjekuam e morëm në shtëpi ku qëndroi në gjendje të rëndë për disa ditë. Gjatë kësaj periudhë mua më thërrisnin në pyetje dhe për të më marrë në shtëpi më merrnin personat që përmenda më lart. Më merrte Alfred Shkurti dhe më pyeste për Gramoz Selmanin dhe të gjithë njerëzit e afërt të tij. Mbasi u shërua burri dhe më tha se pasi e njihte Arben Boriçin dhe me mendimin se e kërkonin për punë ka vajtur te makina e tyre. Burri më tha “Mbasi më çuan me një makinë të zezë të garazhi prapa komisariatit të policisë, aty më kanë lidhur duart me pranga prapa dhe mbi 15 vetë më kanë torturuar duke më qëlluar me bishta lopate, shkelma pistoleta. Duke me ofenduar më thoshin të fshija gjakun, pasi më thoshin se u kisha bërë garazhin me gjak. Atë ditë më kanë marrë në mëngjes dhe më kanë mbajtur nën torturë deri në orën 13:30”. Aty kishte ardhur dhe Alfred Shkurti tek burri im dhe e ka pyetur nëse e njeh Alfredin. Ai i është përgjigjur ‘jo, veç ç’më ka folur gruaja’. Kur kishte dalë jashtë u ka thënë njerëzve që torturonin që ta pyesnin se kë kishte grua.