E Diel, 1 Nëntor 2026

Diploma e re,vendoset profili i degës për studentët

 

zirina llambro

Më e plotë, qoftë në aspektin estetik, por edhe në përmbajtje. Diploma e re që do të lëshojë Universiteti i Tiranës brenda një kohe të shkurtër ka pësuar jo pak ndryshime. Ajo çka është më e rëndësishmja, me formatin e ri janë të kënaqur thuajse të gjithë studentët. Burime të sigurta nga Universiteti i Tiranës pohojnë se shumë shpejt këto diploma do t’u lëshohen studentëve bashkë me suplementin bashkangjitur. Siç duket qartazi, tashmë diploma nuk është e vendosur horizontalisht por vertikalisht. Ajo ka format A4 dhe shkrim më të madh krahasuar me atë paraardhëse. “Nuk duket më si një certifikatë, por ka marrë pamjen e një diplome të mirëfilltë, parë në aspektin e formës”, sqarojnë specialistët që e kanë hartuar. Por një ndryshim thelbësor, sipas tyre, është vendosja e profilit të degës për të cilin kryhen studimet. Caktimi i tij zëvendëson titullin e munguar, për të cilin studentët protestuan për rreth dy muaj me radhë. “Për degë të caktuara, profili ka qenë kërkesa kryesore e studentëve të cilën ne vendosëm ta marrim parasysh”, sqarojnë burime nga Universiteti i Tiranës. Ndërkaq ndryshe nga më parë, në diplomë është shtuar edhe fakulteti përkatës si dhe cilësia e letrës që është më e mirë. Sa i përket suplementit, bashkangjitur është përcaktuar se ai do të jetë në gjuhën shqipe dhe atë angleze. Kjo për të lehtësuar studentët në tregun e punës, e për njohjen e diplomave jashtë vendit. Ai do të jepet për të gjitha llojet e diplomave, për të detajuar studimet e vlerësimet. “Diplomat e lëshuara në fund të programeve të studimit të ciklit të parë, të ciklit të dytë ose të integruar të ciklit të dytë, si dhe programeve master shoqërohen me suplementin e diplomës”, përcaktohet në udhëzimin përkatës të Ministrisë së Arsimit. Sipas tij, në këtë dokument përshkruhet natyra, niveli, përmbajtja dhe rezultatet e studimit të përfunduar nga personi që pajiset me të. Ngërçi i diplomave për studentët që përfundojnë shkollën e lartë, sipas sistemit të Bolonjës, u zgjidh pas më shumë se 2 muajsh protestash. Ministria e Arsimit, megjithëse deklaroi se nuk do të kishte ndryshime, nxori një udhëzim të ri duke i lënë dorë të lirë universiteteve për një sërë ndryshimesh. Pas konsultimit edhe me studentët, keëkesat u reflektuan dhe tashmë duke kënaqur të gjitha palat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›