Sponsori, 25 mijë euro për fitoren kuqezinjve
Janë vënë 25 mijë euro në dispozicion për lojtarët e Kombëtares shqiptare, nëse ata do të fitojnë ndeshjen e ardhshme kundër Hungarisë. Këto para i ka vënë në dispozicion, sponsori zyrtar i përfaqësueses, kompania telefonike, "Vodafone Albania". Kjo kompani mbështet për të dytin sezon radhazi si Sponsor Zyrtar, Skuadrën Kombëtare të Futbollit. Gjatë një mbrëmje speciale gala, Vodafone Albania deklaroi se kompania do të jetë për të dytin sezon radhazi, në mbështetje të Skuadrës Kombëtare të Futbollit si Sponsor i saj Zyrtar, duke fuqizuar edhe më tej bashkëpunimin me grupin përfaqësues. Me pjesëmarrjen në këtë mbrëmje të lojtarëve të kombëtares dhe anëtarëve të FSHF-së, Vodafone Albania uroi fitore të madhe dhe rikonfirmoi mbështetjen e saj të vazhdueshëm për përpjekjet e skuadrës. Duke pasur si synim kryesor ndarjen e emocioneve të fitores dhe krenarisë me të gjithë popullin shqiptar, në ndeshjet e ardhshme për eliminatorët e Kupës së Botës 2010, sponsorizimi i Vodafone Albania thekson edhe një herë përkushtimin global të Vodafone ndaj futbollit. "I urojmë kombëtares shqiptare të futbollit, të arrijë qëllimet e saj, njëkohësisht duke promovuar idealet e sportit në mënyrën më të mirë. Ne kemi bindje të thellë se kjo skuadër është ambasadore e Shqipërisë në fushën e sportit dhe ne jemi këtu për t'i mbështetur në përpjekjet e tyre" u shpreh Z. Charalampos Broumidis, Drejtor i Përgjithshëm i Vodafone Albania, dhe vijoi me tej: "Duke ndarë të njëjtin vizion, ne jemi të sigurt se me punë dhe veprim të përbashkët ne mund të arrijmë rezultate maksimale. Ne do të jemi aty, në ndeshjen e ardhshme kundër Hungarisë, për të mbështetur skuadrën Kombëtare te Futbollit". Në rast fitoreje, 23 futbollistët e grumbulluar në përfaqësuese, do të përfitojnë rreth një mijë e 86 euro secili.