E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëmtohet Beqaj, i humb të dyja ndeshjet

 

Arjan Beqaj nuk do të luajë në ndeshjen kundër Hungarisë nesër në mbrëmje. Portieri i përfaqësueses shqiptare është dëmtuar dje në stërvitje dhe nuk është i gatshëm për këtë sfidë kaq të vështirë. Mungesën e tij e pohoi edhe vetë trajneri i Kombëtares shqiptare, Ari Han. Beqaj është një nga pikat më të forta të përfaqësueses kuqezi dhe gjatë këtij edicioni ka treguar qëndrueshmëri dhe i ka dhënë shumë siguri prapavijës së kuqezinjve. Mungesa e tij, padyshim që e ka shqetësuar jo pak trajnerin holandez. "Do të kemi dy mungesa të rëndësishme si Beqaj dhe Lila. Ata janë lojtarë shumë të rëndësishëm, por do të përpiqemi t'i zëvendësojmë. Në vend të Beqajt, do të luajë Isli Hidi. Lojtari është dëmtuar dje krahun e majtë gjatë seancës së paradites në stadiumin "Niko Dovana". Ai e ka lënë stërvitjen dhe ka shkuar në spital, ku i është nënshtruar një radiografie. Sipas stafit të përfaqësueses, Beqaj ka ndrydhur krahun dhe parakrahun dhe zor se mund të luajë në këto dy ndeshje. Tekniku Ari Han ka vendosur të rikthejë nga Shpresat Samir Ujkanin, që në dy ndeshjet e ardhshme do të jetë portieri i dytë i Shqipërisë. Portierin e përfaqësueses shqiptare po e "persekutojnë" dëmtimet e njëpasnjëshme. Me t'u rikuperuar nga një dëmtim i rëndë, që i kushtoi disa javë mungesë në kampionatin qipriot dhe Kupën e Kampioneve, tashmë gardiani ynë po përballet me një tjetër traumë, atë që pësoi në "Niko Dovana". Arjan Beqaj nuk mendon se dëmtimi do të ndikojë në ecurinë e ndeshjes me Hungarinë, apo Danimarkën. "Më vjen shumë keq që i humba këto ndeshje. Kisha shumë dëshirë të luaja. Në portën shqiptare gjithnjë ka pasur portierë të mëdhenj. Kam besim tek Isli Hidi. Ai është një lojtar me shumë vlera, por edhe Ujkani ka një të ardhme të ndritur. Dua t'i siguroj tifozët se dëmtimi im nuk do t'i dëmtojë objektivat e skuadrës", tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›