E Shtunë, 31 Tetor 2026

S.O.S.ialistëve në Shqipëri...

Ahmet Dursun 

Kam provuar shumë në këtë jetë, ama edhe jetën e kam lënë të më provojë... Duke i gjëmuar, duke më gjëmuar... Herë me dashje, herë pa dashje... Ç’rëndësi ka! Më kish hije çdo gjendje... edhe më ka ... Çdo burri do t’i kish hije edhe çdo burri i ka...
Isha 16... Çdo gjë më qëndronte drejt. Ashtu si trupi edhe ideja ime politike duhet të rrinte drejt... mendoja. U bëra socialist... aq më shumë në atë moshë... aq më shumë në Turqi... në atë periudhë pas grushtit të shtetit. Isha i bindur me timen... i fortë... kisha zë. Shokët më donin, sidomos kur i bija me grusht tavolinës gjatë një diskutimi. Pse thosha? Pse jo?! E arrijmë nëse bashkohemi. Populli e meriton një jetë më të mirë.  Pse thosha? Pse jo?! Por, një ditë krejt papritmas fryu një erë. Ashtu sikurse dritaren e drurit, më hapi edhe një libër të filozofisë. Kishin kaluar tetë muaj. Po atë ditë, u divorcova me idetë socialiste. Ishte aq e lehtë saqë vetëm një seancë të shkurtër zgjati. Që prej asaj kohe rregullisht vazhdoj të lexoj filozofi. Më ushqen kuriozitetin, më zhvillon nuhatjen, shijen, largpamësinë dhe zgjuarsinë shpesh të idhët.
Herën e parafundit kur shkova në Stamboll, natën vonë, fare rastësisht me disa djem dhe vajza me ide të majta u ula në buzë të Bosforit. Fola, qesha, u zura, u pajtova dhe nën tingujt e një kitare vetëm me katër tela edhe kërceva me ta. Ishte me të vërtetë një natë e paharrueshme për mua... edhe për gjithë Stambollin që ishte në gjumë. As nuk më njihnin, as nuk i njihja. Edhe sikur të ishim miq prej shekujsh qejfi që bëmë atë natë, kaq mund të ishte. Njëra prej tyre më kërkoi të këndoja një këngë. “Në radhë të parë na ranë dhëmbët, pastaj flokët. Pas tyre, dalëngadalë të gjithë shokët...”. U pezmatuan, u hidhëruan dhe mua më erdhi thellësisht keq për ta. Ndërsa dielli filloi të lëshojë flokët mbi gjerdanin e shndritshëm të Bosforit u bindën edhe njëherë. As dhëmbët, as flokët, aq më shumë shokët nuk do të ktheheshin më! Në Turqi e majta prej vitesh kishte dhënë shpirt. Ata morën rrugën e Fakultetit... Unë rrugën e atdheut tim, por edhe të kurbetit...
Sapo mbërrita, nën ndikimin e asaj nate, filloi të më ndodhë diçka e pa provuar më parë. Duke ecur, duke parë vitrinat... Kur më zgjidhen lidhëset e këpucëve, kur më lotojnë sytë nga rrufa. Madje edhe në punën time të përditshme. Patjetër kur një gatim ka salcën rozë. Në fshatra, në shkolla, në spitale, në listën e bakallit të lagjes. E ndiej, e shoh, e vërtetoj që të majtës shqiptare i janë ndezur sirenat e alarmit... dhe çdo ditë e më shumë po bindem që ka marrë rrugën e të majtës turke... dhe mendohem i përgjegjshëm. Unë vetëm tetë muaj kam qenë. Po ata që kanë njëzet vjet?! U përpoqa t’ua them këtë shqetësim drejtuesve të socialistëve. U kërkova takime nëpërmjet njerëzve të tyre “besnikë”. Përgjigjja ishte një “Jo” e madhe, e prerë copa-copa. Pastaj, i dërgova “Selam” me disa të tjerë. Xhevapi ishte “Nuk mund ta pranojmë Selam-in e tij, pasi nuk e konsiderojmë ryshfet”. Nuk u dëshpërova... Jam këmbëngulës për kujtimet e mia.  I hapa të dyja duart dhe bëra një përpjekje me veten time për të numëruar sa socialistë të ndershëm, të përgatitur, të përkushtuar dhe me parime vërtet të majta ka në këtë vend. Njërën dorë kot e kisha hapur! Të gjitha i dinë ata. Nuk duan t’ia dinë për mendimet, idetë, propozimet... Janë xhelozë, dritëshkurtër dhe shpesh smirxhinj. U binda. Edhe e majta shqiptare po jep alarmin S.O.S. Sa do të doja të isha në vendin e ish-kryetarit të tyre. Çfarë ndjesie është, - them me vete - të gjykohesh nga njerëzit që ti i bëre gjyqtarë. Në tregimet filozofike kjo konsiderohet një nder për të akuzuarit.
Socialistët shqiptarë, natyrisht mund të zgjedhin këdo në krye të partisë së tyre... Por diçka nuk duhet të harrojnë. Ish-lideri i tyre, tashmë shpirtëror, duhet të kishte dhe të ketë një vlerësim shumë herë më të madh dhe të sinqertë. Duhet të kërkohet kontributi i tij, sidomos tani para zgjedhjeve. Ish-liderët e çfarëdolloj force politike kanë dhënë shumë më tepër sesa kanë kërkuar. Kur një parti e lë në harresë ish-liderin e saj, është e destinuar të mbetet edhe vetë në harresë. Mund t’ju jap një dëshmi konkrete. Ish-partia e Sulejman Demirel-it ndoqi të njëjtën rrugë, ashtu si socialistët në Shqipëri. Tani, nuk kanë asnjë përfaqësues në Parlamentin turk. Për ata që nuk më besojnë akoma, dua të jap edhe një shembull tjetër që vlen edhe për forca të tjera politike. Gjeneralët e Aleksandrit të Madh, ditët e fundit të jetës së tyre, i kaluan duke krasitur pemë ne Sicili dhe aq më keq, disa prej tyre përfunduan dado për fëmijët e parive të atij vendi. Shenjat e para, të këtij S.O.S-i për socialistët po ua them unë. Eshtë e habitshme dhe gjithashtu e dhimbshme që adoleshentët e partisë suaj po bëjnë profesorin sot dhe profesorët janë kthyer ne nxënësit e tyre dhe po vdesin nga frika e mbetjes në klasë. Po flasin me veten e tyre, për veten e tyre... Mirë t’u bëhet! Më keq t’u bëhet! Kështu ndodh, kur tradhton parimet.
Të nderuar lexues!
Ata që më njohin e dinë mjaft mirë. Unë s’jam me asnjë... dhe nuk kërkoj gjithashtu asnjë të jetë me mua. Një e majtë e vërtetë, një e djathtë e vërtetë i duhet Shqipërisë. Me  objektiva të qarta, të prekshme, të matshme nga çdo shqiptar. Nuk është zgjidhje të flasësh me kuksianët për patatet e kalbura, apo me korçarët për mollët e kalbura.
Socialistë të ndershëm të Shqipërisë! Kujdes! Mos bëni gabime! Kush gabon vdes dhe kush vdes nuk bën më gabime!
“Në radhë të parë na ranë dhëmbët, pastaj flokët. Pas tyre, dalëngadalë të gjithë shokët...”.  S.O.S.

Post Scriptum: Profesor i kulturuar, sportiv, por edhe turist, për ta kuptuar shijen e vërtetë të Venusit, duhet fjetur me një grua që punon në tezgën e thurjes së sixhades, ose me një topalle, ose aq më mirë me një thurëse topalle... Kam provuar shumë në këtë jetë. Duke i gjëmuar… duke më gjëmuar... Me dashje, pa dashje... Ç’rëndësi ka! Mua më kishte hije, ama…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›