Deputetja e PD, Ina Zhupa thirrje Metës: Mos dekreto marrëveshjen e Butrintit, është antikushtetuese

Deputetja e PD, Ina Zhupa i ka drejtuar një kërkesë presidentit Ilir meta që të mos dekretojë ligjin për menaxhimin e Parkut të Butrintit, pasi sipas saj është anti-kushtetuese dhe rrezikon historinë shqiptare.
Zhupa thotë se shteti shqiptar nuk ka arsye të mjaftueshme që për 5 milionë dollarë të japë me koncension Butrintin që gjeneron 60 milionë dollarë për 10 vitet e marrëveshjes.
‘Fondacioni që do të zbatojë menaxhimin justifikon marrjen e Butrintit për 10 vjet, me grantin 5 milionë dollarë që do të ofrojë partneri themelues, e cila është sigurisht arsye e pamjaftueshme për të dhënë një pasuri kombëtare me koncension. Së pari, Butrinti për 10 vjet parashikohet të gjenerojë 60 milionë dollarë. Së dyti fondacioni për Butrintin në 1993 i themeluar nga lordi Rothchild dhe lordi Sainsburry funksionoi në vitet më të vështira në Shqipëri, dha kontributin financiar, dhe nuk kërkoi ndonjëherë që ta merrte Butrintin as administrim, menaxhim apo edhe më pak të regjistruar në Kadastër. Gjithashtu Fondacioni Amerikan për pasuritë nënujore RPM Nautical Foundation ka dhënë 4 milionë euro për kërkime për pasuritë nënujore në Butrint, por nuk ka kërkuar kurrë që të marrë territorin nënujor në administrim. Pra nuk është arsye e mjaftueshme që shteti shqiptar për 5 milionë dollarë të japë me koncension Butrintin që gjeneron 60 milionë dollarë për 10 vitet e marrëveshjes. Ligji është anti-kushtetuese nuk duhet të dekretohet. Ligji rrezikon historinë shqiptare’ tha Zhupa.
Kuvendi miratoi me 75 vota pro marrëveshjen e Butrintiti mes debateve të nxehta mes opozitës dhe maxhorancës. Menaxhimi i Parkut Kombëtar të Butrintit do kryhet nga fondacioni shqiptaro-amerikan AADF, që synon zhvillimin e Parkut të Butrintit, dhe kthimin e tij në një pikë të rëndësishme turistike.
Zhupa foli edhe për situatën në PD, e cila iu bashkua “Rithemelimit’ që e zgjodhi atë anëtarë të kryesisë së PD. Teksa bëri thirrje për bashkim të demokratëve, Zhupa e cilësoi kryesinë e PD të ngritur nga ‘Rithemelimi’ si institucion legjitim që përfaqëson 100 % demokratët.
‘Unë jam anëtare e PD prej të paktën 12 vitesh dhe aktive në PD 9 vitet e fundit. I gjithë kontributi im është që demokratët të vijnë në pushtet. Në PD ka një ndarje por është detyra jonë të shkojmë drejt bashkimit. Legjitimiteti vjen nga anëtarët dhe vota. Sot unë jam anëtare dhe është legjitime si institucion dhe kam zgjedhur të pranoj të jem në atë kryesi që përfaqëson 100% demokratët. Po bëj përpjekje që çdo demokrat të bashkohet dhe të përfshihet brenda partisë. Duke u bashkua do kemi mundësi të fitojmë përballë Edi Ramës’ tha Zhupa.
/rtsh.al/