E Shtunë, 31 Tetor 2026

Derbi i Mançesterit, ndeshja më e shtrenjtë në histori

ANGLI- Ndeshja e së shtunës mes rivalëve të Mançester Junajtid dhe Mançester Sitit duket se do të shndërrohet në më të shtrenjtën e historisë së sportit. Bëhet fjalë për vlerat e futbollistëve që do të jenë në fushë dhe në pankinë, që sipas analistëve, mediave apo edhe vetë zyrtarëve të klubeve, kap shifrën e 850 milionë dollarëve. Kjo shifër është e përafërt me vlerën e teleskopit që Habëll, të hedhur nga NASA në hapësirë. Në bejzboll, rekordi i vlerave të lojtarëve që janë përballur në fushë ka shkuar deri në 380 milionë dollarë, në ndeshjen mes Nju Jork Jankis dhe Boston Red Sox.

Ndërkohë, në futbollin amerikan, ndeshja më e shtrenjtë i përket përballjes mes Dallas Cowboys dhe Uashington Redskins, ku në fushë ishin lojtarë që kushtonin deri në 350 milionë dollarë. Shifrën e derbit të së shtunës në “Old Traford” nuk e ka kapur as ndeshja mes Realit të Madridit dhe Barcelonës, dy prej klubeve më të mëdhenj të botës. Në këtë rast, vlerat e futbollistëve ulen për shkak se yjet e Barçës kanë ardhur kryesisht nga skuadrat e të rinjve. Por, rekordi që do të vendoset në derbin mes Mançester Junajtid dhe Mançester Sitit nuk pritet të rezistojë gjatë. Muajin e ardhshëm, “Djajtë e Kuq” do të përballen me Çelsin dhe në fushë pritet të jenë futbollistë që kanë një vlerë deri në 900 milionë dollarë.

Këto shifra ndërkohë janë një reflektim i qartë i asaj çfarë po ndodh me klubet angleze, të cilat shpenzuan shifra marramendëse në merkaton e janarit. Edin Xheko te Siti, Torres te Çelsi, Kerrol te Njukasëlli apo Darren Bent tek Aston Vila, ishin disa nga lëvizjet kryesore në merkato, që kanë alarmuar së tepërmi edhe UEFA-n.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›