Dështon meçi i Muriqit?
Boksieri kosovar Elvir Muriqi, sipas të gjitha gjasave, nuk do të boksojë fare të shtunën, ashtu siç ka qenë e paraparë. Muriqi në muajin janar ishte pajtuar që më 2 prill të ngjitet në ring në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por ai akoma nuk ka gjetur kundërshtar.
Vetë 31 vjeçari thotë se gjasat janë shumë të vogla që brenda këtyre dy ditëve ta gjejë një boksier kundërshtar për t’i kryqëzuar dorëzat të shtunën. “Fillimisht e gjeta një kundërshtar, por në fund ai refuzoi ta zhvillojë meçin ndaj meje. Më pas e gjeta edhe një tjetër, por edhe ai refuzoi. Nuk i di arsyet pse i kanë anuluar. Ndërsa tani jam duke e kërkuar intensivisht një kundërshtar, por vështirë se do ta gjej pasi nuk ka shumë kohë”, ka deklaruar Muriqi të enjten për Express.
Andaj Muriqi, i njohur me nofkën ‘Kosova Kid’, thotë se sipas të gjitha gjasave meçin e radhës do ta zhvillojë më 25 qershor. Ai ndihet i zhgënjyer që nuk ia doli deri më tani ta gjejë një kundërshtar për të boksuar më 2 prill.
“Normalisht që jam mjaft i zhgënjyer që nuk po mund t’i realizoj planet. Ka dy muaj që jam përgatitur mjaft mirë për këtë meç dhe në fund nuk po ia dal ta gjej një kundërshtar. Shumica nga ta po kërkojnë shuma tepër të mëdha të parave për të boksuar ndaj meje. Kurse disa të tjerë nuk po i pranon Komisioni për boks i New Yorkut”, theksoi ai.
“Komisioni i New Yorkut po kërkon që kundërshtarët e mi të jenë të një niveli të përafërt me mua. Kurse ata që po shprehen të gatshëm për të boksuar për më pak para, janë të nivelit shumë më të ulët se unë”, përfundoi Muriqi.
‘Kosova Kid’ bokson në kategorinë gjysmë të rëndë. Ai ende nuk e ka zhvilluar asnjë meç këtë vit. Kurse vitin e kaluar Muriqi në ring ishte ngjitur vetëm një herë, kur më 20 nëntor e kishte mposhtur amerikanin Daniel Judah. Në profesionalizëm, ai ka 38 fitore e pesë humbje.