E Shtunë, 31 Tetor 2026

Derbi special

Milan hyn në derbin e qytetit kundër Interit, i vetëdijshëm se humbja mund t’i thotë lamtumirë shpresave të tyre për titull në Serie A. Kampioni Inter ka gjashtë pikë epërsi në krye, edhe pse Milan, i dyti, ka një ndeshje më pak të zhvilluar – do të jetë mysafir i Fiorentinas në shkurt.

Rossonerët janë në formë para kësaj përballjeje dhe kanë shënuar tetë fitore nga dhjetë ndeshjet e fundit në Serie A ndërsa Nerazzurrët kanë humbur pikë në kohën e fundit, sidomos në udhëtime.

Ata kanë fituar vetëm një nga katër ndeshjet e fundit si mysafirë në ligë, ndërsa u desh të realizojnë dy herë në minutat e fundit për të mposhtur Sienan, në takimin e tyre të fundit në Giuseppe Meazza.

Ata do të jenë nikoqirë të dielën, edhe pse stadiumi është shtëpi edhe e Milanit. Rossonerët e dinë se barazimi nuk do të jetë katastrofë, por humbja e të tre pikëve mund të konsiderohet një gjë e tillë.

“Do të jetë ndeshje e jashtëzakonshme, ju vetëm duhet të shihni parashikimet për një ndeshje të tillë. Do të përcillet në mbarë botën”, tha trajneri i Milanit, Leonardo i cili nuk pret që kjo përballje të jetë vendimtare në luftën për titull.

“Nuk mendoj se do të jetë vendimtare, pasi ka edhe shumë deri në fund të sezonit dhe nuk mund të bëjmë kalkulime deri pas ndeshjes me Fiorentinan. Por, është ndeshje e rëndësishme për mijëra arsye të ndryshme. Është ndeshje e cila le gjurmë, të mira dhe të këqija. Nuk mund të parashikoj rezultatin, por kurrë nuk kam filluar një ndeshje me diçka më pak se fitorja në mendje”, u shpreh Leonardo.

Arma kryesore e Milanit do të jetë pa dyshim Ronaldinho, i cili ka shënuar 9 gola deri më tani, këtë sezon dhe ka shpërthyer në javët e fundit. Sulmuesi i ri brazilian, Pato, do të mungojë për shkak të lëndimit, sikurse dhe mbrojtësi Gianluca Zambrotta.

Mirëpo, qendërmbrojtësi Alessandro Nesta është ftuar në çastet e fundit dhe pritet të luajë. Në anën tjetër, Inter synon të shënojë goditjen “vdekjeprurëse” në garë për titull.

“Është Inter-Milan. Derbi. Dhe kjo do të thotë se është ndeshje e ndryshme nga gjithçka tjetër, ku nuk ka rëndësi se kush është favorit ose kush luan më mirë. Është ndeshje pa logjikë. Nuk do të jetë vendimtare pasi është ende herët në sezon. Por, e dua fitoren”, deklaroi trajneri i Interit, Jose Mourinho.

Nerazzurrët kanë rikuperuar mesfushorin e tyre kryesor, Wesley Sneijder, i cili ishte ftohur ditë më parë, ndërsa edhe Thiago Motta dhe Sulley Muntari janë të gatshëm për lojë, pas lëndimeve që kanë pësuar javën e kaluar.

Mungesa e vetme e konsiderueshme në mesfushën e Interit do të jetë Dejan Stankoviç, i lënduar. Ndeshja e pjesës së parë të sezonit kaloi në dominim total të Interit që fitoi me rezultat 4-0 dhe në atë kohë kishte dridhur fuqishëm bankinën e Leonardos.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›