E Diel, 1 Nëntor 2026

Kameron, hetime akuzave për torturë të të burgosurve

Londër Synon çnjollosjen e MI6 dhe MI5

Kryeministri britanik, David Kameron, njoftoi dje ndërmarrjen e një hetimi ligjor për rolin e Britanisë së Madhe në torturat dhe keqtrajtimet e të burgosurve që pas sulmeve të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një lëvizje që synon të ulë numrin e akuzave civile nga viktimat për keqtrajtimet që u janë bërë dhe për të rivendosur në vend reputacionin e shërbimit sekret të jashtëm dhe atij të brendshëm, MI6 dhe MI5, Kryeministri deklaroi se “reputacioni i shërbimeve sekrete është prishur” nga akuzat për bashkëpunim në abuzime. Qeveria gjithashtu ka publikuar një rregullore të re për mënyrën e sjelljes së personelit me të burgosurit e vendeve të tjera. Kameron shpresonte se hetimi do të fillonte në fund të këtij viti dhe se përfundimet e para do të dilnin brenda 12 muajve nga fillimi i hetimeve. “Sa më shumë kohë të kalojë pa u zgjidhur çështje të tilla, aq më i madh do të jetë dëmi që do të pësojë reputacioni i shërbimeve sekrete dhe i vendit tonë, si një vend që beson në lirinë, drejtësinë dhe të drejtat e njeriut”, ka deklaruar Kameron. Pjesa më e madhe e hetimit do të jetë sekrete, por viktimat e torturave dhe përfaqësuesit e tyre do të kenë mundësi që të japin dëshmi gjatë sesionit të hapjes dhe do të prezantohen nga grupe të të drejtave të njeriut. Kameron tha: “Le të jemi të sinqertë. Nuk është e mundur që të jemi tërësisht të hapur për diçka që është sekrete”.

Këtë hetim e kanë mbështetur edhe laburistët dhe liderja e tyre në detyrë, Hariet Harman, duke e cilësuar atë si “moralisht të neveritshme”. Grupet e të drejtave të njeriut ishin shumë të matura në vlerësimin për këtë lëvizje të Kryeministrit. Sipas tyre, hapi i Kryeministrit është shumë i rëndësishëm për të hequr njollën e turpit që ka rënë mbi Britaninë e Madhe, por e ardhmja do ta tregojë se çfarë do të ndodhë. Presionet për këtë hetim u rritën që kur ish i burgosuri i Guantanamos, Binyamin Mohamed, tha se ishte torturuar në Pakistan, ndërsa mbahej nga CIA me dijeninë e shërbimeve të fshehta.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›