E Diel, 1 Nëntor 2026

Dërgata e qyqarëve dështoi, PE konfirmon sot vizat dhe integrimin

Një delegacion i deputetëve socialistë, shkuan në Strasburg, për t’u takuar me deputetët e majtë të Parlamentit Evropian, në prag të diskutimit dhe miratimit në seancë të rezolutës së hartuar nga Komisioni i Politikës së Jashtme të PE-së. Qëllimi i shtegtimit të kukuvajkave ishte i qartë. Shkuan për t’i dhënë dorën e fundit pengimit të liberalizimit të vizave, njërës prej aspiratave më legjitime të shqiptarëve. Mërgatën e qyqeve e nisi shefi i tyre, Edi Rama si komisarët e dritës komuniste me çdo kusht dhe çdo mënyrë që mund të pengohet Integrimi i vendit në kontinentin mëmë. Mërgata e qyqarëve ka inat të pashërueshëm nga penicilina e demokracisë kundër dëshirave dhe ëndrrës për të lëvizur të lirë, si gjithë europianët.
Një gjë është e sigurt, parlamentarët europianë nuk e shohin realitetin me syzet e klubit të shtrenjtë opozitar, ndaj e gjykojnë se Shqipëria ka bërë realisht hapa para në sfidat e veta të integrimit. Mbi të gjitha atyre u intereson që Shqipëria të përparojë për të zvogëluar distancat që na ndajnë nga Europa. Këtë e kuptuam edhe nga fjala që Komisioneri Europian për Zgjerimin e BE-së, Stefan Fule mbajti në Parlamentin Europian, ku përshëndeti rezolutën për Shqipërinë dhe tha se “vendi ka bërë progres sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, por duhet të vazhdojë me zbatimin e planit të veprimit për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”. Për më shumë se një orë e 30 minuta Shqipëria dhe Kosova kanë qenë temat e debatit të deputetëve të Parlamentit Europian, që hodhën poshtë të gjitha pretendimet e Partisë Socialiste për refuzimin e bashkëpunimit me maxhorancën. Rezoluta e tyre do të miratohet sot, dhe gjasat janë shumë pozitive për qeverinë shqiptare, ku përshëndetja e sukseseve të saj, ka qenë lajtmotivi i autoriteteve më të larta të Brukselit e Straburgut. Mërgata antieuropiane Balla-Ahmetaj, e cila duhej të ndalte projektin e heqjes së vizave me vajtime dhe qepaze për kutitë, dështoi, pasi ai u miratua unanimisht në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian. Në një kohë kur pretendimet e opozitës për një transparencë të mundshme të zgjedhjeve të 28 qershorit, po harrohen gjithnjë e më shumë dhe askush s’po i përmend më nëpër daljet për mediet, Egoarku duket se ka gjetur zgjidhjen për të qenë në vëmendje të ndërkombëtarëve. Por rezoluta që do të miratohet sot u bën thirrje partive politike shqiptare të ndjekin një dialog konstruktiv politik për të eliminuar hajgaret që u vunë re gjatë zgjedhjeve të qershorit 2009, në favor të pluralizmit politik, përpara zgjedhjeve të ardhshme, duke përfshirë edhe zgjedhjet lokale të 2011. Pra, janë fokusuar tek e ardhmja dhe jo tek sajesat e së shkuarës socialiste. Prandaj edhe PE mirëpret përmirësimet në kuadrin ligjor dhe në procesin e administrimit të zgjedhjeve, gjithmonë duke vënë në dukje se, sipas vlerësimit të OSBE/ODIHR, zgjedhjet e qershorit 2009 përmbushën shumicën e standardeve ndërkombëtare.
çdo gjë ngelet për në shtator sepse opozita ka marrë pushimet, kurse për çdo aksion të saj e ka shtyrë për në vjeshtë, ku ka shumë gjasa të fillojë seriozisht kushtëzimin e marrëdhënieve me institucionet kushtetuese, pra duke iu kthyer ideve neomarksiste për refuzimin e sistemit demokratik, në rastin më të parë edhe me dhunë revolucionare.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›