E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur Nano tërheq vëmendjen tek një Opozitë Jo Qeveritare

Ai nuk zhgënjen kurrë sepse nuk përgënjeshtrohet asnjëherë. I veshur me kostum rreptësisht firmato ngjyrë të çelët, bashkë me bashkëshorten gjithnjë shik e veshur me ngjyra të ndezura flakë, ish-Kryeministri dhe i pëlqyeri i Ramiz Alisë për të drejtuar Partinë Socialiste gjatë ndërrimit të lëkurës, Fatos Nano u shfaq në një tjetër aktivitet për të habitur me habitë e retorikës së tij. Nga udhëtimi në malet e Lunxhërisë të para pak ditëve, ku mori një trofe për nder të babait të tij Thanas, Nano dhe Xhoana janë shfaqur çift në pritjen e fundit të organizuar nga kreu i diplomacisë amerikane në Shqipëri, Xhon Uidhers i II-të, i cili po përfundon karrierën diplomatike këtu.
Aty, mes shoqërisë së hareshme dhe oratorisë mistike të ambasadorit amerikan, që foli për të vërteta të përjetshme dhe për vëllezërit Frashëri, skilja e vjetër e politikës shqiptare Fatos Nano është dukur në formë psiko-intelektuale të plotë. Pushimet vjeneze siç duket i kanë rikthyer humorin ngazëllues dhe i kanë hequr traumën e humbjes së pushtetit prej forcës morale të Sali Berishës, në vitin jo të largët 2005.
I ndjekur nga një gotë verë e kuqe gjak, lideri historik i soc-komunistëve nuk mungoi të lëshonte batutat që jo pak herë kanë terrorizuar selinë e PS-së, kanë eksituar fantazinë e gazetarëve, si dhe kanë trazuar psikikën e politikës shqiptare. Shpeshherë, të mbledhur nëpër kokteje gjithfarë festash, jo pak prej tyre nuk reshtnin së pyeturi në mënyrë perverse njëri-tjetrin se kur do të shfaqej hija mbytëse e trungut të tij në media. Bile kishte prej tyre që kishin pajtuar fallxhorë dhe lexuar horoskopë për një rikthim të bujshëm të tij. Afërmendsh Fatos Nano është prej atyre politikanëve që me disa vese ua ka amplifikuar damkosjet shqiptarëve dhe nuk mungoi as kësaj radhe t’i ngopte orekset bulimike, me ardhjen e tij të beftë.
Në këtë eveniment lamtumire, Nanoja thumboi në mënyrë shpotitëse opozitën socialiste të kryesuar nga Edi Rama, që vetë e ktheu nga Parisi me thonj të paprerë dhe ia delegoi Ministrinë e (ç)’Kulturës. Pa humbur kohë risjellim batutën që shoqëroi gojë më gojë të pranishmit: “Ju do thoni ç’do të thotë OJQ. E po jua them unë, OJQ do të thotë Opozitë Jo Qeveritare”, kështu ka dëfryer Nanoja, ndërsa në krah i qëndronte plot hire mesdhetare Xhoana që ia këputi një buzëqeshje plot shije, ndërkohë që të ftuar të shumtë u “prallosën” me hingëllima dhe të qeshura kabare me batutën që indirekt shpotiste jo vetëm shefin aktual të PS-së, por edhe Mjaft shokë të Erion Velisë që i vinin rrotull si hiena me hasëm.
Kështu pra lideri i konsideruar historik prej politikanëve - por jo prej shqiptarëve - ka ironizuar martesën e G99, prej disa muajsh parti politike - më herët OJQ - me britmën e një nëne histerike, siç është PS! Ndofta gjithçka vinte nga zilia se nuk ishte pyetur si prijës që konsiderohej, si burri i shtëpisë, për fejesën Rama&Veliaj, e cila do të konsumohet në shkrirjen dhe ngjitjen e shtretërve politikë.
Gjithsesi batuta e Nanos që si i vjetër i zanatit ka nuhatjen e duhur për të gjetur prenë e sakrifikueshme, është fatkeqësisht e vonuar, pasi rrënjët e Velisë në humusin e zi të Partisë Socialiste janë ngulur thekshëm në grevën e urisë.
Sidoqoftë ironi të tilla, mbeten veç ironi, pasi debati i hapur e demokratik në Partinë Socialiste është narkotizuar paqshëm nga Edi Rama. Kësisoj gjetje gjuhësore për të ndezur debate e zjarrin e arsyes janë të destinuar të fiken nga zjarrfikësit e klubit të multi-milionerëve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›