Dërgesat, arma kundër varfërisë për 80 mijë familje
Dërgesat e emigrantëve kanë qenë për Shqipërinë arma më e fortë në luftën kundër varfërisë. Ky konkluzion është konstatuar pothuajse nga të gjithë institucionet ndërkombëtare të specializuara, që monitorojnë ekonominë shqiptare si Banka Botërore, apo Fondi Monetar Ndërkombëtar. Një raport i publikuar pak muaj më parë nga Banka e Shqipërisë nxori në pah varësinë e fortë të ekonomisë familjare të shqiptarëve nga dërgesat e emigrantëve. Sipas raportit, në Shqipëri përfitojnë dërgesa nga emigrantët më shumë se 190 mijë familje ose e thënë ndryshe 26 për qind të totalit. BSH-ja konstaton se nëse këto 190 mijë familje nuk do të përfitonin dërgesa nga të afërmit e tyre që punojnë e jetojnë jashtë shtetit, gati 40 për qind e tyre do të jetonin nën kufirin zyrtar të varfërisë prej 50 dollarë për person në muaj.
FMN: “Zëvendësoni dërgesat e emigrantëve me prodhim bujqësor”
Të dhënat e FMN-së tregojnë se sa të paqëndrueshme janë burimet financiare të familjeve shqiptare. Nisur nga kjo, pak kohë më parë, institucionet ndërkombëtare që monitorojnë ekonominë shqiptare i kanë rekomanduar qeverisë të fillojë të përpunojë strategjitë e duhura për të shmangur krizën e mundshme. FMN-ja kërkoi zyrtarisht që qeveria të marrë masat e nevojshme për të gjetur burime të reja financimi për ekonominë, pasi dërgesat e emigrantëve pritet të kenë ulje gjatë viteve në vazhdim. Statistikat botërore tregojnë se një emigrant dërgon të ardhura në vendin e tij të lindjes mesatarisht për 14 vjet. Më pas, emigrantët ose kthehen përfundimisht ose fillojnë ta ndërtojnë jetën e tyre në vendin ku punojnë. Por paqëndrueshmëria e këtyre dërgesave të emigrantëve ka qenë një shqetësim edhe i BSH-së. Më shumë se 1 vit më parë, guvernatori Ardian Fullani paralajmëroi se sektori i ndërtimit mund të goditet nga një krizë për shkak se burimet që financojnë atë nuk janë të qëndrueshme. Sipas të dhënave zyrtare, dërgesat e emigrantëve dhe kredia janë dy financuesit kryesorë të këtij sektori.
29 Prill 2008