Raporti i BB-së: “Më të prekurat nga varfëria, familjet e reja”
Mbi 40 për qind e shqiptarëve jetojnë sot nën nivelin e varfërisë ekstreme dhe janë kryesisht familje të reja, ku kryefamiljari nuk është më shumë se 30 vjeç. Këto familje përbëjnë shtresën më të rrezikuar nga varfëria dhe kriza e çmimeve që po vjen. Raporti i fundit i Bankës Botërore në lidhje me situatën ekonomike në Shqipëri, që flet për varfërinë, ka zbuluar dhe arsyen e vërtetë se përse krerët e këtij organizmi kundërshtuan qeverinë shqiptare në lidhje me shpërndarjen e ndihmës për shtresat në nevojë. Sipas raportit, “shumica e familjeve të reja përbëhen nga anëtarë të papunë që nuk përfshihen në asnjë nga skemat kompensuese që qeveria do të përdorë. Kjo shtresë është e harruar edhe prej politikës, pasi këta individë janë më tepër kontingjent emigracioni dhe jo elektorat stabël ashtu si pensionistët”. BB-ë shton se, 46 për qind e të varfërve në Shqipëri janë kryesisht të vetëpunësuar sidomos në bujqësi. Për rrjedhojë ky grup prej 260 mijë personash, jetojnë me më pak se 50 dollarë për frymë në muaj. Në të kundërt pensionistët janë grupmosha që rrezikohen më pak nga varfëria. Sipas konkluzioneve të BB-së, vetëm 17 për qind e të varfërve në vend janë pensionistë. Aktualisht në Shqipëri mendohet të jenë rreth 575 mijë individë të varfër, që jetojnë me më pak se 50 dollarë për frymë në muaj. Por ky numër rrezikon të zmadhohet shumë me ardhjen e krizës së fundit të çmimeve. BB-ja ka llogaritur se një rritje prej 5 për qind më tepër e çmimeve të produkteve ushqimore bazë, e shton me 2-3 pikë ose me mbi 17 mijë vetë më tepër armatën e të varfërve në Shqipëri.
Nafta, rekord i ri në 119 dollarë për fuçi
Çmimi i naftës vazhdon të rritet edhe pas stabilizimit të dollarit, duke mbërritur në 119 dollarë për fuçi gjatë ditës së djeshme. Edhe në tregun e brendshëm, çmimet e naftës tentojnë që të arrijnë vlerat e tyre rekord, ndërsa grosistët bëjnë me dije se nuk është çudi që çmimi i naftës, në harkun kohor të një viti të tentojë në 200 lekë për litër. Aktualisht, në vend, çmimet tentojnë në 150 lekë për litër. Rritja me 3 dollarë për fuçi gjatë ditës së djeshme, në tregun ndërkombëtar të naftës, erdhi pas rritjes së tensionit midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Por nga ana e Presidentit të Iranit, është deklaruar se rritja e çmimit të naftës është ende në nivele të ulëta, pasi në të vërtetë kemi një zhvlerësim të dollarit në nivele tepër të larta. Ky është argumenti i fundit që vendet e OPEC-ut po përdorin për çmimet e larta të naftës që kuotohen në dollarë.
BSH: Rritet më shumë kreditimi në valutë
Kreditimi në valutë vazhdon të jetë forma kryesore e kreditimit, ndërkohë që preferenca për kreditim sipas llojit të biznesit ka mbetur e pandryshuar, biznes i mesëm. Sipas Bankës së Shqipërisë, edhe në të ardhmen parashikohet rritje e aktivitetit kreditues dhe në veçanti i kredisë për bizneset, ku renditja e preferencave për sektorët e ekonomisë nuk ka ndryshuar dhe tregtia vazhdon të jetë sektori më i preferuar për kreditim. Në raportin e BSH-së për vitin 2007, vihet re se struktura e kredisë sipas monedhave nuk ka pësuar ndryshime të ndjeshme. Kredia në valutë dominon tepricën e kredisë me 72.3 për qind të portofolit, krahasuar me 71.1 për qind në dhjetor të 2006.
29 Prill 2008