E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushqimet, shqiptarët i blejnë 70 për qind më shtrenjtë se europianët

Raporti i EUROSTAT-it: “Vazhdon rritja e çmimeve në tregjet shqiptare”. Çdo prodhim është rritur me 20 lekë dhe janë shtuar abuzimet

Ervin Koçi

Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina janë dy vendet më të varfra në rajonin e Ballkanit dhe nga më të varfrat në Europë, ku vendi ynë renditet i pari për çmimet më të larta të produkteve ushqimore. Një shtetas shqiptar paguan deri në 70 për qind më tepër se një qytetar europian i BE-së, për të siguruar ushqimet e tij të përditshme. Këtu nuk bëhet fjalë për një ushqyerje të mirë, por vetëm për ushqimet bazë sa për të shuar urinë, ku peshën kryesore e zënë drithërat. Këtë vlerësim e ka dhënë raporti më i fundit i EUROSTAT-it, homologu i INSTAT-it tonë në BE, i cili e ka renditur Shqipërisë të fundit për nga mirëqenia e të ushqyerit në Europë së bashku me Bosnjën. Duke i bërë një analizë të imtësishme ekonomisë shqiptare dhe të ardhurave për frymë, Shqipëria edhe pse ka rezultuar si një nga 4 vendet më të varfra të “kontinentit plakë”, si për hironi ka çmimet më të larta të produkteve ushqimore. Dy fqinjët tanë ai veri-perëndimor Mali i Zi dhe ai lindor Maqedonia, shpenzojnë shumë më pak se ne për të siguruar ushqimet e përditshme, me pa 55 për qind, por duke patur parasysh se ato kanë të ardhura më të larta për frymë të popullsisë dhe individ me ekonomi më të pasur. Studimi i bërë nga EUROSTAT-i i është referuar të dhënave të vitit 2007 lidhur me çmimet për produktet ushqimore, lëndët djegëse, shërbimet dhe të ardhurat për frymë, dhe ka marrë nën studim vende si Shqipëria, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Kroacia, Maqedonia, si dhe Turqia. Ndërkohë, paralel me këto shtete janë analizuar dhe të ardhurat dhe ekonomia e 7 vendeve anëtare të BE-së që janë, Austria, Italia, Sllovenia, Greqia, Hungaria, Bullgaria dhe Rumania, këto dy të fundit anëtaret më të reja të BE-së.

Rritja e çmimeve

Sipas raportit të EUROSTAT-it, rritja e çmimeve ka vazhduar në tregjet tona të fruta-perimeve. Jo vetëm produktet e importit, por edhe prodhimi vendas janë shtrenjtuar gjatë këtij muaji me rreth 20 lekë për artikull. Qytetarët ankohen për çmimet të larta që sipas tyre, kanë arritur në stratosferë dhe janë bërë të papërballueshme. Një rritje e tillë e çmimeve është pranuar edhe nga tregtarët të cilët shprehen se për shkak të shtrenjtësisë ka rënë ndjeshëm edhe sasia e shitjeve. Madje pamundësia financiare i detyron shumë qytetarë që një pjesë të perimeve t’i blejnë me kokrra për aq njerëz sa janë në shtëpi. Ndërkohë, Banka e Shqipërisë deklaron se rritja e çmimeve do të vazhdojë për shkak të ndikimit të krizës botërore të ushqimeve dhe mungesës së prodhimit bujqësor vendas që në situata të tilla mund të shërbente për të normalizuar gjendjen.

Çmimi i bukës

Duke ruajtur një çmim prej 80 lekë për bukën standarde, prodhuesit e këtij produkti janë duke përdorur miellin e cilësisë më të dobët që mund të gjendet në tregjet ndërkombëtare. Burime nga importuesit e këtij produkti sqarojnë se, “mielli blihet në tregjet ndërkombëtare me ndërmjetës, duke e rritur më tej çmimin e miellit që vjen në tregun vendas”. Kërkesa në vend për grurë shkon në 1200-1400 ton në ditë, duke u përkufizuar mesatarisht me ardhjen e një vapori në portet tona. Por duke mos pasur asnjë ndihmesë fiskale, në kushtet kur bota, sipas Bankës Botërore dhe FMN-së, “po përballet me krizën më të madhe të dritharëve”, tregu vendas është i detyruar që të prodhojë bukë me miellin e cilësisë më të ulët që ka një çmim prej 68 lekë deri në 78 lekë për kilogramë. Ndërsa prodhuesit bëjnë të ditur se “cilësia e mirë e miellit që përdoret për të prodhuar bukë të cilësisë së mirë ka një çmim që fillon nga 120 lekë deri në 280 lek për kilogram”.

Prodhuesit informalë

Një nga problemet që ka sjellë edhe standarde minimale në drejtim të cilësisë së prodhimit dhe të tregtimit të bukës, është informaliteti. Vetë prodhuesit, por edhe burime nga tatimet sqarojnë se mbi 30 për qind e furrave të bukës që zhvillojnë aktivitetin e tyre në vend janë informale. Buka vazhdon që të shitet pa asnjë lloj rregulli dhe higjiene në të gjitha pikat e shitjes, pavarësisht se Ministria e Bujqësisë premtoi se ajo do të tregtohej vetëm në furra, duke përjashtuar pikat e tjera të shitjes. Nga ana tjetër edhe urdhri për të shitur me etiketë në emrin e furrës produktet, tashmë ka dështuar që një nisje. Sipas prodhuesve, mungesa tërësore e këtyre masave ka bërë që konsumatori të jetë tërësisht i pambrojtur për produktin që blen. Nën presionin e rritjes së vazhdueshme të çmimit të miellit, të vajit ushqimor dhe naftës, prodhuesit e bukës kanë ulur peshën e këtij produkti duke mos rritur çmimin. Një masë e tillë, që është një rritje e fshehur e çmimit, ka ardhur për shkak të mungesës së kontrollit nga ana e Ministrisë së Bujqësisë dhe autoriteteve në varësi të saj. Por prodhuesit e bukës ankohen për shkak të cilësisë së dobët të miellit, i cili nuk arrin që të ketë rrezen e duhur për prodhimin e bukës. Në të gjithë vendin numërohen rreth 1 mijë furra buke, nga të cilat vetëm 650 prej tyre janë të licencuara, ndërsa pjesa tjetër punon në informalitet duke cenuar cilësinë dhe standardin e këtij produkti që hyn në kategorinë e mallrave të domosdoshëm.

29 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›