E Diel, 1 Nëntor 2026

Pogradec, pranga trafikantëve të makinave dhe policit

Tre shtetas të huaj kanë trafikuar makinat dhe më pas i kanë deklaruar si të vjedhura. Arrestohet polici që i ndihmoi

POGRADEC- Tre shtetas të huaj dhe njëpunonjës i policisë së Pogradecit janë vënë në prangat e uniformave blu me akuzën e trafikut të makinave të vjedhura. Ata përdornin si skemë denoncimet e rreme duke thënë se makinat u ishin vjedhur. Në fakt këto makina shiteshin tek persona të ndryshëm dhe më pas merreshin paratë e siguracionit. Kjo skemë përdorej kryesisht për makina luksoze e të shtrenjta. Të arrestuarit janë Afrim Halili, Bekim Halili dhe Danilo Radiceski si dhe polici shqiptar Bashkim Liçkollari.

Më datën 17 tetor, tre shtetas të huaj kanë shkuar pranë një oficeri të policisë gjyqësore në Pogradec dhe kanë bërë kallëzim se pasi kanë kaluar me mjetet e tyre doganën e Qafë Thanës kanë rënë befasisht në kontakt me një person të panjohur. Ata kanë thënë se ai kishte një armë zjarri dhe me anë të kërcënimit u ka marrë tre mjetet motorike kur ata kishin hyrë brenda territorit shqiptar. Policia është vënë në alarm pas denoncimit të tre shtetasve të huaj dhe menjëherë ka filluar kërkimet për të zbuluar autorin që iu kishte grabitur veturat. Kallëzimi për grabitje është bërë nga 39- vjeçari Afrim Halili lindur në Maqedoni dhe banues në Çeki, 36- vjeçari Bekim Halili lindur në Kroaci dhe banues në Çeki dhe 38- vjeçari Danilo Radiceski nga Gostivari i Maqedonisë. Policia ka filluar kërkimet për të zbardhur denoncimin e tre shtetasve të huaj që sipas tyre iu ishin grabitur veturat nën tytat e armëve. Por pas hetimeve intensive policia ka zbuluar se tre veturat luksoze që ata pretendonin që iu ishin grabitur ndodheshin në fshatin Piskupat tek Adrian Toska, i cili me të mbërritur policia është zhdukur dhe tashmë është shpallur në kërkim.

Më pas policia ka zbardhur të gjithë skemën e trafikimit. Tre shtetasit e huaj kishin bërë kallëzim të rremë për të justifikuar daljen e tyre nga territori shqiptar pa makina. Ata i kishin lënë Adrian Toskës në fshatin Piskupat tre veturat e tyre që ky pasi t`i shiste t'iu jepte 33 mijë euro. Policia pas verifikimit dhe hetimeve ka prangosur tre shtetasit e huaj Afrim Halili, Bekim Halili dhe Danilo Radiceski nën akuzën e veprës penale për kallëzim të rremë parashikuar nga neni 305 i kodit penal dhe "Trafikim të mjeteve motorike "të mbetur në tentativë të kryer në bashkëpunim" të parashikuar nga neni 141 /a2 dhe nenit 22 të kodit penal. Por policia ka prangosur edhe policin e doganës Bashkim Liçkollari në Qafë Thanë pasi më datën 16 tetor kur këtë tre shtetas të huaj kanë kaluar kufirin shqiptar me mjete të trafikuara ai nuk ka kryer procedurat përkatëse për t`i regjistruar në sistemin e kontrollit TIMS.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›