Dërgohet për gjykim ish-kreu i bashkisë Himarë, Jorgo Goro dhe dy ish-drejtorë

TIRANË, 7 shkurt /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim ish-kryetarin e bashkisë së Himarës, Jorgo Goro dhe dy ish-drejtorë.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar bëri të ditur sot se, ka paraqitur kërkesën për dërgimin e çështjes në gjykim në ngarkim të ish-kryetarit të bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, i akuzuar për “Shpërdorim detyre”, pas përfundimit të hetimeve në kuadër të procedimit penal nr. 127 të vitit 2024, i unifikuar me procedimin penal nr. 298 të vitit 2021.
Nga hetimi ka rezultuar se i pandehuri Jorgo Goro, në cilësinë e ish-kryetarit të bashkisë Himarë ka kryer veprime/mosveprime që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, të kryera në kundërshtim me nenin 17 të ligjit nr. 9948/2008 “Për Shqyrtimin e Vlefshmërisë Ligjore të Krijimit të Titujve të Pronësisë mbi Tokën Bujqësore”, i ndryshuar si dhe pikat 1, 2, 3 të VKM-së me Nr. 253, datë 6.3.2013 “Për Përcaktimin e Procedurave të Plotësimit të Akteve të Marrjes së Tokës Bujqësore në Pronësi për Familjet Bujqësore në Fshatra e Ish-Kooperativave Bujqësore”, në dëm të disa shtetasve, banues në bashkinë Himarë.
Bazuar në legjislacionin përkatës në fuqi, analizën e rrethanave të faktit të provuara, dokumentacionin e administruar, pyetjet e dëshmitarëve arrihet në konkluzionin se; shtetasi Jorgo Goro, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Himarë në bashkëpunim me shtetasit Jerasimo Bashi dhe Vasillaq Strakosha, kanë kryer veprime/mosveprime që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, të kryera në kundërshtim me ligjin Nr.171/2014 “Për Përfundimin e procedurave ligjore të kalimit të tokës bujqësore të ish ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”, të ndryshuar, si dhe në kundërshtim me dispozitat e Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 337, datë 22/04/2015 “Për përcaktimin e procedurave të kryerjes së procesit të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”, gjatë procesit të trajtimit të kërkesave të paraqitura.
Kërkesa e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar drejtuar Gjykatës së Posaçme për dërgimin në gjyq është bërë në ngarkim të Jorgo Goros, ish- kryetari i bashkisë Himarë, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës”, (më shumë se një herë sipas fakteve penale të përshkruara ne akuzë) e kryer në bashkëpunim; Vasillaq Strakoshës, ish-drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës pranë Bashkisë Himarë, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës”, (më shume se një herë sipas fakteve penale të përshkruara ne akuzë) e kryer ne bashkëpunim (sipas fakteve penal të procedimin penal nr. 298 të vitit 2021 i bashkuar me procedimin penal nr 127/2024; Jerasimo Bashit, ish-drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës pranë Bashkisë Himarë, i akuzuar për kryerjen e veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës”, me shumë se një herë e kryer në bashkëpunim (sipas fakteve penal të procedimin penal nr. 298 të vitit 2021 i bashkuar me procedimin penal nr. 127/2024.
/a.f/r.e/