Deri në ditën e fundit numri i pacientëve grevistë arriti në 66
Kanë kaluar më shumë se dy javë që nga ngritja e çadrave të grevës së urisë përpara Kryeministrisë. Organizmi i grevistëve që vijuan grevën po e humbte çdo ditë e më shumë imunitetin. Mungesa e ushqimit gjatë këtyre ditëve ka shfaqur edhe probleme kardiake te grevistët. Numri i përgjithshëm i grevistëve që lanë çadrat e urisë gjatë 19 ditëve arriti në 66. Ndërsa ditën e djeshme e lanë grevën pesë grevistë, midis tyre dhe deputeti i qarkut të Vlorës, Eltar Deda. Deputeti Eltar Deda është detyruar ta ndërpresë grevën e urisë së ndërmarrë prej 129 ditësh për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Dje, në orën 09:40, Deda është transportuar me autoambulancë drejt QSUT-së, ku ishte vendosur një pavijon për të gjithë grevistët. Dy grevistë të tjerë e kanë lënë grevën në orën 12:25. Gentian Marishta, 37-vjeçar, nga qyteti i Durrësit, e ndërpreu grevën dhe u dërgua në spital me urgjencë. Brenda pak minutash ndërpreu grevën dhe Armand Xhafa, 27 vjeç. Grevisti Robert Lili, 40 vjeç, nga Elbasani, e la grevën pas gjendjes së rënduar shëndetësore në orën 13:10. Një tjetër grevist ka lënë çadrat dje pasdite për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Ardian Prifti, 45 vjeç, nga Lushnja, u dërgua me urgjencë në QSUT. Prifti ndodhej prej 19 ditësh në grevë së bashku me deputetë dhe mbështetës të tjerë të PS-së.
Grupi i PS-së zyrtarizon vendimin e ndërprerjes së grevës së urisë
Pasi kryetari i Partisë Socialiste gjatë protestës së djeshme komunikoi vendimin për ndërprerjen e grevës së urisë para Kryeministrisë, ai thirri menjëherë mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për të zyrtarizuar vendimin. Grupi i Partisë Socialiste është mbledhur i gjithi për herë të parë me 65 deputetët, pas përfundimit të grevës së urisë, të nisur që prej 19 ditësh. Një pjesë e deputetëve socialistë u përfshinë në grevën e urisë në mbrojtje të kauzës së tyre për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Gjatë këtyre 19 ditëve, Grupi i Partisë Socialiste është mbledhur dy herë, ku herën e parë, para dy ditësh, është detyruar ta zhvillojë mbledhjen vetëm me një pjesë të deputetëve për shkak se pjesa tjetër e tyre ndodheshin nën çadra, në mbështetje të votës së lirë.
20 Maj 2010