E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deri ne mesin e muajit qershor, pajisen te gjithe shtetasit me pasaporta elektronike

Ministri i Brendshëm Bujar Nishani garanton për proces normal për personat pa pasaporta TIRANE - Ministri i Brendshëm Bujar Nishani deklaroi dje, duke informuar mbi ecurinë e procesit të pajisjes së kartave, se deri më 28 maj kanë aplikuar 1 132 806 shtetas për letërnjoftimet elektronike, ndërkohë që janë prodhuar 990 962 të tilla. “Nga aplikimet e bëra kemi hedhur në sistemin e kontrollit 1 013 359 aplikime, nga të cilat rezulton se 420 000 janë pa pasaportë, numër i cili po t’i referohemi totalit të aplikimeve të deritanishme e kalon shifrën 450 000”, u shpreh Nishani. Ndërkohë, nga takimi që bëri pak ditë më parë kryeministri Berisha me kompaninë ALEAT, u arrit një marrëveshje që, që nga dita e djeshme janë lejuar për të bërë aplikim për letërnjoftimet elektronike vetëm shtetasit që nuk kanë pasaportë. Nishani u shpreh se Ministra e Brendshme ka rënë dakord me koncensionarin që ditët e punës do të vazhdojnë gjatë të shtatë ditëve të javës me një orar të caktuar, nga ora 08:00-13:00 paradite dhe nga ora 17:00-21:00 pasdite. Nishani theksoi se, “duke filluar nga dita e djeshme Ministria e Brendshme do të mbajë qëndrimin më të rreptë ndaj çdo punonjësi të gjendjes civile që nuk respekton këtë marrëveshje që është arritur midis qeverisë shqiptare dhe koncensionarit. Qeveria Shqiptare ka pretenduar gjatë gjithë kësaj kohe, se duhet të aplikojnë nga grupi i atyre pa pasaportë rreth 500 000 shtetas të cilët llogariten të jenë në Shqipëri”. Nga rregulli i ri që ka vendosur Ministria e Brendshme me koncensionarin dhe bazuar në kapacitetet reale që është në terren, sigurohet pajisja edhe e rreth 400 000 shtetasve të tjerë deri në mesin e muajit qershor, me të vetmin kusht që ata të jenë në Shqipëri dhe të paraqiten për të aplikuar, siguroi Nishani. “Ministria e Brendshme ka krijuar të gjitha kushtet që çdo qytetar që nuk ka pasaportë dhe është në Shqipëri të pajiset me letërnjoftimin elektronik”, u shpreh Nishani. Ndërkohë, Partia Socialiste ripërsëriti dje kërkesën ndaj Ministrisë së Brendshme për t’i vënë në dispozicion të dhënat për shtetasit me pasaportë dhe ata që kanë aplikuar për letër njoftimin elektronik.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›