Ndryshimi edvinist qe na kthen 20 vjet prapa
Edi Rama hodhi këto ditë hapin e parë të “politikës së re”, duke “rrëzuar” bustin e diktatorit Enver Hoxha, në hapje të fushatës për zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit ’09. Ky veprim “burrëror” dhe “antienverist” i tij ka ndodhur mbrëmjen e datës 28 maj ’09, në sheshin “Demokracia” të qytetit Studenti, në prani të “kasketave” e “beretave” të ardhur nga të katër anët e vendit, “për ta bërë Shqipërinë si e gjithë Tirana”. Një prej gazetave “përtej të majtës e të djathtës” do të shkruante, midis të tjerash, për këtë ngjarje: “Edi Rama është i pari lider i PS-së, i pari zyrtar i kësaj partie që distancohet hapur dhe qartë nga e shkuara komuniste e PS-së. Në mitingun e djeshëm të hapjes së fushatës elektorale u prezantuan në një dokumentar disa pamje, ndër të cilat spikati momenti i rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës në shkurt të vitit 1990. Qysh kur shkrimtari i njohur Dritëro Agolli foli hapur në kongresin e PPSH-së të vitit 1991 kundër figurës së Enver Hoxhës, asnjë prej liderëve të PS-së nuk ishte pozicionuar hapur dhe qartë kundër të shkuarës komuniste të PS-së, lidhjes së saj me PPSH-në.” Nuk e di se sa mund të na ndihmojë shprehja filozofike: “më mirë vonë se kurrë” për ta marrë si të vërtetë apo të sinqertë këtë xhest “reformues” të kreut socialist Rama, por nëpërmjet një shfaqeje të tillë, ai, ka vënë në dyshim jo vetëm rinovimin e Partisë Socialiste, por edhe krejt zhvillimin 18 vjeçar të demokracisë që ka ndodhur për të gjithë periudhën që ka pasuar 20 shkurtin e vitit 1991, ditë kur forcat demokratike rrëzuan realisht dhe jo simbolikisht, bustin e diktatorit Hoxha, që ndodhej në pjesën perëndimore të sheshit “Skënderbe”. Ishte kjo arsyeja që zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli, deklaroi për median se: "Edi Rama sot përdhosi sheshin "Demokracia", duke mbledhur në atë shesh pinjollët dhe bastardët e nomenklaturës hoxhiste, që studentët përmbysën nga pushteti, 18 vjet më parë. Në sheshin "Demokracia", me çunin e Kristaqit dhe të Xhelilit, gocën e Hamitit dhe çunin e Sul Bushatit, nipat e Nexhmijes dhe pasardhësve të tjerë të pushtetarëve të vjetër, ata të gjithë së bashku, sonte, më shumë vajtonin se sa festonin". Aktrime apo më mirë të themi, karagjozllëqe të tilla, jo vetëm lëndojnë në të gjithë krahët, sipas shprehjes: “në shtëpinë e të varurit nuk zihet në gojë litari”, por edhe pengojnë në të gjithë drejtimet ecjen tonë përpara. Kjo është arsyeja që Edi Rama u braktis nga një pjesë e mirë e të vetëve, ende pa mbaruar mitingu, dhe u kundërshtua prej të tjerëve ende pa filluar ligjërimet e liderëve të majtë. Dhe kundërshtimi ka filluar, bash mu në “bunkerin” mediatik të Edi Ramës, sapo është hedhur në faqen e internetit lajmi mbi promovimin e fushatës zgjedhore nga social-komunistët në sheshin “Demokracia”. I pari është Mario, i cili fiks në orën 19 e 36 minuta, të datës 28 maj ’09 ka shkruar: “Të hapësh fushatën aty ku nisi 18 vjet më parë demokracia dhe pluralizmi shqiptar, do të thotë të bësh atë që nuk e meriton, që nuk ke të drejtë, sepse udhëheqësit tuaj shpirtëror thonin: "Nuk jemi as Lindje e as Perëndim, nuk e pranojmë pluralizmin etj., si këto". Është njëlloj sikur të vijë shejtani dhe të ulet këmbëkryq në mes të një kishe dhe të thotë: “këtu është vendi im, toka ime; nuk shkulem prej këtu ose ndryshe, çdo gjë do ta shkatërroj si në një terrorizëm të paparë. Turp, turp, njëmijë herë turp, si mund të durohet një pafytyrësi e tillë!” Pastaj vijnë plot 16 persona të tjerë, nga 26 gjithsej që shprehen të indinjuar ndaj këtij veprimi të paturpshëm të Edi Ramës dhe pinjollëve të tjerë të nomenklaturës së lartë komuniste. Ja ç’shkruan njëri me emrin e koduar “Oficeri”: “Ç'paradoks. Të shkojë Rama në Qytetin Studenti, për të rinisur Demokracinë. Cilën demokraci? Atë socialiste?... Demokracinë e shtetrrethimit të studentëve, përgjimit, spiunimit, dhunimit dhe vrasjes së tyre?. ”Demokracia socialiste është demokraci e vërtetë...", thoshte themeluesi dhe arkitekti i Partisë së sotme Socialiste. Po qe se Rama nuk e ka lexuar fjalimin programtik të Enver Hoxhës në rrethin e Matit, të pyes Doklen që e di përmendësh, Gjinushin, madje dhe Blushin e vogël. Ata e dinë mirë, ndoshta dhe i tallen mbas shpine Edit të “politikës së re”. A e përmendi Azemin, liderin e uraganit studentor të viteve 90, po Brocin?... Rama po të kishte minimalish respekt për veten, nuk duhet të shkonte në qytezën e Lëvizjes Demokratike, antikomuniste e antisocialiste; bashkë me hijenat e socializmit. Nuk besoj se studentët e sotëm do të besojnë dokrra kaq naive për një "erë të re" a “politikë të re socialiste” nga korbat e vjetëra komuniste”. Ciklin e këtyre opinioneve e mbyll Altini i cili thotë: “Ore miq, duhet ndalur ardhja në pushtet e së majtës. Po ta shihni me kujdes, ka një rizgjim të figurave ish-komuniste, të djemve dhe vajzave të tyre; nuk rrinë dot pa pushtet ata…”. Në total, numëri i atyre që e dënonin këtë manifestim spekulativ të Ramës shkonte në 61 % të të gjithë atyre që kishin shprehur Online mendimet e tyre për këtë ngjarje. Kjo shifër tregon në krahun tjetër përkrahjen që gëzon Sali Berisha dhe mazhoranca e djathtë, megjithë konsumin që i ka shkaktuar asaj qëndrimi katërvjeçar në pushtet. Ndaj deklarata e Berishës se, “ne në 28 qershor, do të përsëritim 22 marsin ‘92” është po kaq i vërtetë sa dhe deklarata tjetër e tij se, “votimi majtas është kthimi prapa”… Shënjat e para në këtë drejtim, siç treguam pak më lartë, u dhanë qysh në mitigun e 28 majit për çeljen e fushatës zgjedhore nga Partia Socialiste. Rama së bashku me përfaqësues të tjerë të familjeve byroiste u rikthyen atje ku 19 vjetë më parë ikën të përzënë “me bisht ndër shalë”, por kësaj here në shenjë hakmarrjeje ndaj asaj qyteze historike dhe simbol i mposhtjes të së keqes në përpjekjen për të përdhosur historinë e lavdinë e saj. Atje, në mënyrë të paturpshme e të palogjikshme u kryen veprime dhe u hodhën prej tyre parrulla të tipit “ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”, të cilave u ka kaluar koha prej më shumë se 19 vitesh, pasi tani në vend të fjalëve ndritin veprat, anë e mbanë vendit tonë. Partia Demokratike dhe Sali Berisha kanë gati dy dekada që luftojnë për ta bërë realitet një ëndërr të tillë, sin ë opozitë ashtu dhe në qeverisje. Në dy mandate qeverisëse me nga 4 vite secili, që shtrihen në periudhën ’92 -’97 dhe ’05 - ’09, mazhoranca e demokratëve ka hedhur hapa konkrete në këtë drejtim. Konkretisht në vitin ’95 u bë realitet anëtarësimi i Shqipërisë në Këshillin e Europës dhe ishin krijuar të gjithë kushtet që gjatë ’97-ës të arrihej çelja e negociatave për nënshkrimin e MSA-së. “Revolucioni demokratik i vonuar” i ndërpreu në mes të gjitha këto projekte, derisa u bë i mundur rikthimi në pushtet i demokraëve, në zgjedhjet e ’05-ës. Gjatë këtyre 4 vjetëve që kanë kaluar qysh nga ai moment është nënshkruar e ratifikuar MSA-ja dhe është paraqitur kërkesa zyrtare për statusin e vendit kantidat për anëtarsim në BE, është realizuar anëtarësimi i plotë i vendit në NATO, janë krijuar të gjithë mundësitë që brenda 6-7 muajëve të zgjidhet çështja e liberalizimit të vizave, etj., etj. Atëherë si mund të kthehesh 18-19 vite pas në kohë për të rifilluar një “politike të re” për të premtuar të bësh pikërisht ato që janë bërë realitet? Ky lloj rikthimi ka në esencën e vet shpërbërjen dhe shëprfilljen, e cila ka filluar me historinë 18 vjeçare të Partisë Socialiste. Edi Rama dhe klani i tij politik po përpiqen t’u mbushin mendjen njerëzve se, qëndrojnë përtej trashgimisë majtisto-qeverisëse të PS-së, duke sjellë në krye të kësaj force politike disa njerëz që s’kanë lidhje fare as me politikën dhe as me qeverisjen që kërkon situata aktuale e vendit tonë. Janë gjëra të pakuptueshme, një një farë mënyre, por më shumë se sa të pakuptueshme, janë djallëzore. Duke qënë se socialistët kanë lënë një opinion negativ, brenda dhe jashtë vendit, për rezultatet e tyre qeverisëse, Rama do ta mohojë këtë periudhë historike të PS-së me lançimin demagogjik të “politikës së re”. Nga kjo periudhë i duhen vetëm njerëzit, thjeshtë si turmë votuesish, pa dinjitet e integritet. Të njëjtën djallëzi përdor edhe kur “rrëzon” bustin imagjinar të Enver Hoxhës, duke kooptuar në parti pinjollët e byroisto-enveristeve të tjerë. Por gabimi që bënë ai është se, i mendon të gjithë shqiptarët të sapo dalë nga diktatura, duke thirrur shesheve të Shqipërisë: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, dhe u bënë atyre premtime që janë bërë realitet, kryesisht në këto 4 vitet e fundit. Shqipëria e viteve ’05-’09 është jo vetëm vendi me arritjet suprizuese, lidhur me hapat integrues në strukturat euroatlantike, por edhe vendi me rritjen më të lartë ekonomike dhe shifrën më të ulët të kriminalitetit në Europë; me treguesit më të mirë të luftës antikorruspion, reformës fiskale, treguesve të mirëqënies, investimeve publike, reformës arsimore, rritjes së pagave e pensioneve, etj.; që institucionet e ndryshme ndërkombëtare i kanë përcaktuar si, shembull për t’u ndjekur nga të gjithë vendet e tjera të rajonit. Nëse Rama pretendon të bëhet kryeministër i Shqipërisë në zgjedhjet e 28 qershorit, ai duhet t’i bind shqipatërt të qeverisë mbi potencialin që ka për të qeverisuar Shqipërinë e viteve 2010 dhe jo atë të viteve ’90; pra të 20 viteve të shkuara, duke na rikthyer te krahasimi me ’38-ën apo ’97-ën, për të parë ecjen përpara. Ndaj ai, para se sa t’u thotë njerëzve: “do qeverisë përtej së majtës e së djathës”, të hartojë një program konkret se do qeverisë përtej ’05-ës dhe ’09-ës, dhe jo të kërkojë pushtet të pamerituar për miqtë e shokët e vetë, në mnëyrë që të mjelin pastaj “lopën” e gjithë Shqipërisë ashtu siç kanë bërë deri tani me “lopën” e bashkisë. “Njerëz, jeni vigjilent”, thotë Juliuz Fuçik tek “Reportazh me litar në grykë”. Kisha kohë që mendoja të drejtoja këtë thirrje për bashkëkombasit e mi, duke dëgjuar lloj-lloj “xhevahiresh” apo tralalash nga Edi Rama, por veprimet dhe fjalimet në mitingun për fillimin e fushatës zgjedhore të PS-së më nxitën të mos hesht më tej: “Shqiptarë, jemi vigjilent! Votimi për Ramën na çon pas, plot 20 vjet…”
...