Dërmënas, LSI bashkon votat me PS-në për drejtimin e këshillit
FIER- Ndryshe nga sa trumbetohet nga PS-ja, për mosbashkëpunim me LSI-në, në bazë situata duket krejt ndryshe. Kësaj here bëhet fjalë për një prej komunave të rrethit Fier, Dërmënas, e njohur më parë si bastion i së djathtës. Në këtë komunë, LSI-ja ka bashkuar votat me PS-në për të siguruar drejtimin e Këshillit. Kjo lëvizje ka suprizuar aleatët e tjerë të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, për faktin se Partia Demokratike, dhe një prej aleateve të koalicionit, PR-ja, kishin parashikuar që me shumicën e kartonave të këshilltarëve në Dërmënas, të merrnin kreun e këtij këshilli. Gjithçka nisi në momentin e paraqitjes së kandidatëve për kreun e këshillit të kësaj komune. Grupi i PD-së propozoi kandidatin Idriz Cimili, për postin e kreut të këshillit, në emër të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”. Por LSI-ja, në anën tjetër, ka dalë me një kandidat të saj, Sefedin Jaupaj. Përballë situatës së krijuar, këshilltarët e PD-së dhe PR-së i kanë kërkuar dy këshilltarëve të LSI-së që të tërheqin kandidaturën dhe të mbështesin kandidatin e tyre Cimili. Në pamundësi për të ndryshuar këtë lëvizje, këshilltarët e një pjese të koalicionit qeverisës janë larguar nga salla e mbledhjes. Pas largimit të tyre, në sallë kanë mbetur këshilltarët e PS-së, dy këshilltarë të LSI-së, si dhe këshilltari i PDIU-së. Mbledhja ka vijuar më pas me procesin e zgjedhjes së krerëve të këshillit, si dhe këshilltarëve për në këshillin e qarkut. Me 9 vota, kryetar i këshillit u zgjodh përfaqësuesi i LSI-së, Sefedin Jaupaj, ndërsa zv.kryetare përfaqësuesja e Partisë Socialiste, Zoica Lino.