Berisha: Kolegji, leksion Ramës, e ftoj të bashkëpunojmë për reformën zgjedhore
TIRANË- Duke e cilësuar historike këtë proces zgjedhor, Kryeministri Sali Berisha ka ftuar dje opozitën, që të paraqesë amendimet e saj për reformën e ardhshme zgjedhore. Kryeministri Sali Berisha ka folur gjatë dje në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, pas vendimit të fundit të Kolegjit Zgjedhor, që legjitimon Lulëzim Bashën fitues të Bashkisë së Tiranës. “Kolegji me vendimin e tij të fundit përcaktoi se askush nuk mund të shkelë afatet ligjore, të përcaktuara për paraqitjen e ankesave në sistemin e ankimimit. Duhet të jem i sinqertë, i dha një leksion të fortë zotit Rama, por edhe të gjithë politikanëve. Nuk mund të ketë shopping forumesh. Ky është leksion që do ta marrë çdo politikan. Unë nuk them se kjo nuk ishte një garë e ngushtë, ishte një garë fare e ngushtë, por ne zgjodhëm moralin në të gjithë qëndrimin tonë. Absolutisht, ne nuk përcaktuam kusht që nuk pranojmë fitoren. Absolutisht, jo, të drejtën e numërimit të çdo vote. Ne nuk paraqitëm ankesa për të zhvleftësuar qoftë edhe një kuti të vetme, ndonëse zoti Rama mund të shkonte edhe 500 vota pas, në qoftë se në çonim në gjykatë apo në KQZ kutitë me fletë dhe kundrafletë. Ne nuk e bëmë këtë, ndonëse ligji e lejonte, sepse kjo binte ndesh me parimin tonë që të dëgjohet zëri i çdo qytetari; binte ndesh me parimin tonë që të vlerësohet çdo votë në përputhje me mendjen, në qoftë se qëllimi është shprehur qartë. Dhe për kundrafletën, përgjegjësia ishte e komisionerit jo e qytetarit...”, tha dje Berisha para deputetëve demokratë. Kreu i ekzekutivit theksoi se ky sistem funksionoi dhe se tani është koha për reformën e ardhshme zgjedhore. Ndër radhë, Kryeministri Berisha bëri edhe lojëra fjalësh, teksa përmendi iniciativën e fundit të PS-së, për t’ju bashkangjitur Këshillit të Europës në një kërkesë të kësaj të fundit për zgjedhjet në Tiranë, drejtuar Komisionit të Venecias. Në deklaratën e tij, Berisha përcolli një ide ndryshe; që dy partitë t’i drejtoheshin Komisionit të Venecias, edhe pse për këtë organ këshillimor ka disa rregulla të qarta se kush duhet t’i drejtohet. ”Dua të ftoj kryetarin e Partisë Socialiste, zotin Edi Rama, në interesin e tij më të mirë, por edhe të vendit, sigurisht, që të fillojmë sa më shpejt reformën zgjedhore. Ky sistem funksionoi. Ky sistem kapërceu me sukses një nga provat më të vështira për çdo vend të zhvilluar, siç është gara kaq e ngushtë, por ky sistem mund të përsoset më tej dhe kemi rekomandime për të shqyrtuar. Është bërë fjalë se Partia Socialiste do t’i drejtohet Komisionit të Venecias. E përgëzoj dhe e garantoj që Partia Demokratike dhe koalicioni ynë është i gatshëm që së bashku me ta të kërkojë mbështetjen e Komisionit të Venecias, sikundër dhe mbështetjen e OSBE/ODIHR-it. Kjo është e kuptueshme. Këto dy institucione kanë ekspertizën më të mirë. Këto dy institucione, për dijeninë tuaj, kanë një marrëveshje, kanë një memorandum bashkëpunimi në doktrinën elektorale. Ndaj dhe është një rast që të bëjmë hapin bashkërisht”, - tha dje Berisha. Kryeministri i shtroi Ramës një ftesë të dytë:
“Ftoj zotin Rama të shqyrtojë bashkërisht ligjet me 3/5 që presin votimin dhe mbetemi të hapur të mirëpresim çdo amendament që Partia Socialiste do paraqesë. Mendoj se Partia Socialiste i ka të gjitha potencialet për të dhënë kontributin që i takon, për të mos përdorur bllokimin për votimin. Dhe jam i bindur se ky është interesi i saj dhe interesi i vendit”.
N.Perndoj