Këshilli i Tiranës shkon në Kolegj, vonohet betimi i Bashës
Njësoj si gara për kryebashkiakun, edhe ajo për këshillin e madh bashkiak do të vendoset nga Kolegji Zgjedhor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka mundur dje të miratojë aktin për shpërndarjen e mandateve për anëtarët e Këshillit Bashkiak të Tiranës, duke shtyrë në këtë mënyrë edhe momentin e marrjes së detyrës nga kryebashkiaku i ri Lulëzim Basha. Me katër vota pro dhe dy kundër, KQZ e ka pasur të pamundur t’i japë vlerë vendimmarrjes së saj, për shkak se Kodi Zgjedhor përcakton detyrimin që ndarja e mandateve bëhet të paktën me 5 vota pro. Tashmë, çështja pritet t’i shkojë për zgjidhje Kolegjit Zgjedhor, i cili në mënyrë formale duhet të bëjë shpërndarjen e mandateve, sipas përllogaritjes së KQZ-së, ku mazhoranca e djathtë do të ketë 28 këshilltarë dhe opozita e majta 27.
Debatet në KQZ
Mbledhja e djeshme e KQZ-së ka nisur me një deklaratë të shkurtër të kreut të këtij institucioni, i cili para gjithë anëtarëve të tjerë ka përshëndetur vendimmarrjen e Kolegjit Zgjedhor për procesin zgjedhor të Tiranës, si një konfirmim i veprimtarisë ligjore që ka kryer institucioni më i lartë i administrimit të zgjedhjeve në vend. Më pas, mbledhja ka vijuar me diskutimet në parim, ku fillimisht, përfaqësuesi socialist Eridian Salianji, ka bërë të ditur qëndrimin kundër shpërndarjes së mandateve të bëra nga KQZ, me argumentin se ajo bëhet mbi bazën e tabelave të pasakta të rezultateve. Megjithëse në tabelën përfundimtare të rezultatit për këshillin bashkiak, KQZ përllogariti të gjitha votat e gjetura në kutitë e gabuara, socialistët janë shprehur kundër, duke kërkuar që votat e gjetura të shpërndaheshin në tabelat e çdo qendre votimi. “Ju tabelën e keni miratuar në mënyrë të kundërligjshme, sepse nuk arritët të përputhni vullnetin e çdo zgjedhësi me votën. Ju duhet të miratonit tabelat për çdo qendër votimi. Ju këtë nuk e bëtë, sepse aty do të dilte diferenca mes numrit të fletëve të votimit dhe numrit të zgjedhësve”, - tha Salianji. Por ndaj këtij pretendimi kanë reaguar demokratët, të cilët kanë prurë në vëmendje faktin se pavarësisht se përfaqësuesit e majtë votuan kundër tabelës së rezultatit, ata nuk e ankimuan atë në Kolegj, duke e lënë në fuqi, çka bën që ajo të jetë ligjore dhe për rrjedhojë dhe ndarja e mandateve e rregullt. “Lidhur me tabelën, ju nuk u ankuat, sepse e konsideruat të drejtë vendimmarrjen”, - tha Ristani.
Debati
Më pas, debati është zhvendosur në tryezën e anëtarëve të KQZ-së, ku ashtu si përfaqësuesi i PS-së edhe anëtarët e majtë të këtij institucioni kanë shprehur vullnetin e tyre kundër mënyrës sesi është vepruar nga KQZ për ndarjen e mandateve për këshillin. Madje, nuk kanë munguar edhe shprehje të mosdakordësisë edhe për vendimmarrjet e Kolegjit Zgjedhor, çka ka sjellë dhe reagimin e ashpër të kryetarit të KQZ-së, Arben Ristani. “Përsa kohë s’jam dakord me themelet e shtëpisë, nuk mund të jem as me muret. Kolegu nuk mund të gjykojë gjykimin tim. Kjo tabelë nuk reflekton vendimmarrjet e mëparshme të KQZ-së, ndaj jam kundër”, - tha Subashi. Kundërshtitë në vlerësimin e çështjes palët i pasqyruan edhe gjatë votimit, pasi projekt-akti i paraqitur nga administrata mori vetëm 4 vota, ndërkohë që dy anëtarët e djathtë votuan kundër. Kjo bëri që akti të mos kalojë as në parim, pasi ligji bën të detyrueshme miratimin me 5 vota. Tashmë, ligji parashikon procedurën e kalimit për miratim në Kolegjin Zgjedhor, i cili, para se të vendosë, duhet të marrë në shqyrtim dhe pretendimet e palëve. Mungesa e një vendimmarrje nga e ana e KQZ, gjatë ditës së djeshme, do të shtyjë për disa ditë dhe zyrtarizimin e Bashës si kryetar i ri të Bashkisë së Tiranës, kjo pasi për të nisur detyrën ai duhet të betohet para Këshillit.