Këshilli i Tiranës, ja replikat Ristani-Subashi
Arben Ristani: Në këtë proces, transparenca ishte e shkëlqyer dhe për skeptikun në këtë vend gara tregoi se shteti ligjor funksion në gjithë kapacitetin e vet.
Eridian Salianji: Ne nuk jemi dakord për shpërndarjen e mandateve në bazë të tabelës përmbledhëse...
Ristani: Po flasim në parim.
Salianji: Të lutem, mos më ndërprit. E bëjmë një marrëveshje që mund të jetë e fundit, sepse dhe mbledhja mund të jetë e fundit. Ju tabelën e keni miratuar në mënyrë të kundërligjshme, sepse ju nuk arritët të përputhni vullnetin e çdo zgjedhësi me votën. Ju duhet të miratonit tabelat për çdo qendër votimi. Ju këtë nuk e bëtë, sepse aty do të dilte diferenca mes numrit të fletëve të votimit dhe numrit të zgjedhësve. KQZ nuk e kaloi provën, sepse u bë pjesë e manipulimit të votës. Ju siguroj se kjo do të jetë vendimmarrja e fundit e KQZ-së me ju kryetar.
Ristani: Të siguroj se nesër do ketë vendimmarrje tjetër.
Salianji: Po, do qëndroni dhe korrikun se do merrni rrogën, por je njeri që i ke shërbyer shumë mirë politikës. Ju do thoni që pse nuk e ankimuat tabelën e këshillit në kolegj, por unë po them se Kolegji mund të japë drejtësi për këshillin e komunës Kolsh, por jo për Bashkinë Tiranë, se nuk e mban dot atë peshë.
Njiazi Kosovrasti: Tirana e ka tashmë kryetarin e saj dhe ndaj të miratojmë sot dhe këshillin, në mënyrë që puna të vijojë, sepse qyteti ka nevoja të shumta.
Ristani: Lidhur me tabelën, ju nuk u ankuat, sepse e konsideruat të drejtë vendimmarrjen. Unë shpresoj që kjo mungesë dakordësie ndaj institucioneve të jetë e jotja dhe jo e atyre që të kanë sjellë këtu.
Salianji: Ti je mësuar të flasësh në emër të PD, por s’mund të flasësh në emër të PS-së.
Pandeli Varfi: Procesi i Tiranës nisi të dalë jashtë shinave me vendimin 709. Procesi i Tiranës ishte një proces ekstraligjor dhe përbën një padrejtësi të madhe. Dhe kjo do të lërë një shenjë për shumë kohë.
(Ndërhyn Kosovrasti nga vendi)
Varfi: Të lutem, mbaj qetësi.
Ristani: Këtu qetësi është, por ndoshta është i habitur nga ato që thua ti.
Varfi: Para ca ditësh u gjet një pllakë varri e vjetër prej 1800 vjetësh.
Hysen Osmanaj: Të lutem kryetar, ç’na flitet këtu për pllaka vari, shikon lajme dhe na i sjell këtu.
Varfi: I shërben çështjes.
Osmanaj: Ne sot s’kemi çështje pllaka varri...
Varfi: Në pllakën e varrit bëhet fjalë për dy gladiatorë. Aty thuhet se pasi e munda kundërshtarin tim, Dhimitrin dhe nuk e vrava menjëherë dhe tradhtia e arbitrit më bëri që të vdes. Bëhet fjalë për dy gladiatorë. Pra, Theodhori, e hodhi tuç Dhimtrin, por s’e vrau. Në këtë moment, arbitri ndërhyri dhe tha se Dhimitri është rrëzuar aksidentalisht. Dhe Dhimitri u grit dhe e vrau Theodhorin. Ndaj për t’u kthyer te çështja jonë, dua të them se tabela është miratuar haptazi në kundërshtim me Kushtetutën.
Ristani: Shteti ligjor tregoi se funksionon më së miri. Dhe vendimi 709 është nënshtruar vlerësimit ligjor dhe ato janë konsideruar të rregullta. Mosnjohja e ligjit dhe institucioneve është më e vjetër sesa pllaka e varrit që ju lexuat. Aq e vjetër sa i përket shoqërisë parashtetërore, pak a shumë aty afër me majmunërisë.
Varfi: Ty të vijë turp, se unë nuk fola për njerëzit, por për tavolinën.
Artan Lazaj: Në këto momente komisioni nuk është kompetent për të miratuar ndarjen e mandateve. Ndaj në parim jam kundër.
Klement Zguri: Tabela nuk është ankimuar dhe është e ligjshme. Ndaj çdo diskutim kundër është joprofesional. Kolegu që pretendon se ka kulturë juridike e ka deklaruar qindra herë se një gjë e tillë nuk falet. Por kjo duhet t’i shërbejë partive politike që kur ndërtojnë institucionet, t’i thërrasin mendjes dhe të sjellin njerëz të përgjegjshëm. Me këtë qëndrim që mbani nuk e di nëse do ju zërë gjumi natën apo jo, se kjo është e rëndë.
Lazaj: Kur shprehesh se partitë duhet të sjellin njerëz të përgjegjshëm, mendon se këtu është ndonjëri i papërgjegjshëm?
Ristani: Po ta mendosh pak më thellë e kupton se ku e kishte fjalën.
Lazaj: Nëse e ke fjalën për dikë jashtë kësaj tavoline, mirë, nëse jo...
Dëshira Subashi: Unë nuk kam qenë dakord në momentin që tabela u miratua. Kam votuar kundër kësaj tabele. Përsa kohë s’jam dakord me themelet e shtëpisë, nuk mund të jem as me muret. Kolegu nuk mund të gjykojë gjykimin tim.
Zguri: Vendimet nuk diskutohen, por ato zbatohen. Ndaj ky debat nuk ia vlen në këtë tavolinë.
Subashi: Kjo tabelë nuk reflekton vendimmarrjet e mëparshme të KQZ-së, ndaj jam kundër.
Ristani: Po bëjmë diskutimin në parim dhe këtu shqyrtohet nëse KQZ është kompetente dhe a jemi në afat. Pra a keni gjë në parim. Në rast se i jeni borxh partisë për votimin me 7 vota më 2009, unë besoj se nuk është ky rasti për ta zgjidhur. Ky akt duhet votuar se nuk ka alternativë tjetër ligjore. Mendoni se jeni ju etalonët e drejtësisë në këtë vend? Mendoni se po ju prish qejfi juve, nuk do ketë organizim shtetëror, në rast se nuk ju do qejfi juve nuk do ketë këshill bashkiak Tirana?
Subashi: Unë nuk jam dakord me atë që përfaqëson ky akt.
Ristani: Kjo ka të bëjë me përmbajtjen, jo parimin. Hajt na thuaj çfarë të ndryshojmë. Detyra juaj nuk është të bllokoni Këshillin Bashkiak të Tiranës, por jeni për të dhënë zgjidhje.
Subashi: Zgjidhjen e jepni ju që votuat atë tabelë, që në gjykimin tim është në kundërshtim me ligjin.
Ristani: Ju nuk njihni shtetin!
Subashi: Unë njoh shtetin.
Ristani: Jo, shteti ka gjykatë dhe gjykata ka konfirmuar vendimin e KQZ-së. Ju jeni antishtet, jeni antiinstitucion, ju jeni partiak, nuk jeni të pavarur.
Subashi: Për këtë të jeni të sigurt se kam dhënë kontribut për zgjedhjet.
Ristani: Cilin kontribut, atë që qëndruat tre muaj në shtëpi dhe s’keni ardhur në mbledhje.