Topi: Pavarësia e Kosovës, klimë paqësore në rajon

“Pavarësia e Kosovës ka krijuar një klimë paqësore, me ndikim pozitiv në marrëdhëniet ndëretnike jo vetëm në Kosovë”. Kështu është shprehur presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi gjatë një takimi të zhvilluar në Ohër me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Gjithashtu në fjalën e tij, Topi ka theksuar se Kosova e pavarur është një realitet i pakthyeshëm i njohur nga 76 vende dhe se njohja e saj ndërkombëtare tashmë është e pandalshme. Kryetari i Shtetit shqiptar, shprehu mbështetjen e Shqipërisë për përparimin e arritur në Kosovë, konsolidimin e shtetit ligjor, demokratik e plotësisht funksional, që garanton dhe respekton të drejtat e njeriut dhe pakicave, një shteti të ri të orientuar drejt integrimeve rajonale dhe euroatlantike.
Nga ana e saj, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga vlerësoi rolin e Shqipërisë në takimin e 38-të të Ministrave të Jashtëm të Organizatës së Konferencës Islamike e zhvilluar së fundi në Astana, Kazakistan, ku u arrit të miratohej një rezolutë e propozuar nga Shqipëria mbi Kosovën. Të dy presidentët ndanë qëndrimin e përbashkët se zgjerimi i mëtejshëm e konkret i bashkëpunimit mes dy shteteve, si në nivel politik, me shkëmbime mes komisioneve parlamentare, por edhe në drejtim të bashkëpunimit ekonomik, bashkëpunimit të integruar të kufijve për lehtësim të lëvizjes së biznesit e studentëve janë të nevojshme për të dyja vendet. "Rruga e Kombit", e cila ka qenë një investim i jashtëzakonshëm, duhet të vihet në eficencë gjatë gjithë vitit”, theksoi Topi.
Ndërkohë presidenti Topi dhe presidentja Jahjaga, po marrin pjesë në takimin katërpalësh të Presidentëve të Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi e Kosovës që po mbahet në Ohër të Maqedonisë, pas atij të mbajtur në Vlorë, më 23 qershor 2009 dhe në Prizren, më 26 qershor 2010.