E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dervishi: Gramozi, aspak euforik në Vlorë

Nga Kristi Lilo

Gramozi luan nesër në transfertë, ku deri tani e ka pasur të vështirë të marrë pikë, me përjashtim të javës së parë, kur fitoi në Kavajë. Pa dyshim që do të jetë shumë e vështirë për rezultat pozitiv edhe në fushën e Vlorës, por kolonjarët besojnë se do ta thyejnë tabunë. Gardiani i portës kolonjare, Fatjon Dervishi, duke gjykuar nga gjendja e ekipit, mendon se këtë radhë Gramozi do tia dalë:

Është një ndeshje shumë e vështirë, por them se gjithçka është e hapur dhe ne mund të marrim pikë. Nuk na lejohet tjetër hap fals jashtë fushe, nëse duam ta realizojmë objektivin tonë. Jemi  përgatitur gjatë gjithë javës që të mos dalim pa pikë nga kjo transfertë, edhe pse kundërshtari, për vetë pozitat që ka, do ta kërkojë me çdo kusht fitoren. Objektivi im është të mos lejoj prekjen e rrjetës.

Besoj se do të zhvillohet një lojë e bukur, sepse të dy ekipet do ta kërkojnë fitoren. Me këtë dua të them se nuk do të luajmë në mbrojtje. Ajo që më bën optimist është se fusha e Vlorës gjithmonë ka qenë e qetë dhe aty luhet futboll. Gjendja e Gramozit është mjaft e mirë dhe këtë nuk e them me eufori.

Ne përpiqemi ta vlerësojmë çdo ndeshje, pavarësisht emrit të kundërshtarit, është shprehur portieri Dervishi. Për Gramozin kthehet këtë javë mbrojtësi Caka, i cili e ka shlyer dënimin prej 5 javësh. Në dyshim është mesfushori Shupe, i cili gjatë gjithë javës ka munguar në stërvitje për shkak të dëmtimit të pësuar ndaj Mamurrasit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›