Luan Sengla: Nuk është çudi, do të ketë humbje të tjera
Tekniku i Tiranës U-17 mbështet ekipin e tij emocionalisht dhe kërkon që të mësohet edhe me humbjet, sepse futbolli ka tri rezultate
Të dielën është luajtur derbi në miniaturë për ekipet U-17 dhe U-19 midis Dinamos pritëse dhe Tiranës udhëtuese. Këto takime janë ndjekur nga një numër i madh tifozësh rreth fushës, po ashtu edhe nga tarracat e pallateve apo dritaret e shtëpive.
Kanë dhuruar emocione të forta lojtarët në fushën e lojës, madje në fund të takimeve respektive ka pasur edhe lotë të derdhur nga gëzimi, apo edhe nga hidhërimi. Pas javës së 6-të, Tirana dhe Dinamo renditen në krye me pikë të barabarta. Trajneri i mirënjohur bardheblu, Luan Sengla, i cili drejton paratërinjtë e Tiranës, ka dhënë opinionin e tij për këtë ndeshje dhe për vijimësinë e kampionatit.
Kundërshtarja Dinamo Jam jashtë mase i kënaqur nga çunat, nuk kam një ankesë për takimin që luajtëm kundër Dinamos. Kuptohet, kundërshtari ishte i përgatitur për një ndeshje të tillë, pasi ne kishim vetëm fitore. Nuk ishim përgatitur për atë lloj loje, aq të fortë, për atë taktikë, sepse ekipi që kam unë është mësuar të shënojë gol i pari.
Luajtëm mirë në 20 minutat e para, mund të kishim shënuar, por ai djali që na shënoi ishte i mrekullueshëm. U kisha thënë djemve që të ruheshin nga ai futbollist dhe ta markonin mirë. Një herë që u la pas krahëve, pa markuar, ai shënoi një gol kryevepër dhe e përgëzoj maksimalisht. Pjesa tjetër e lojës foli për ne, por rezultati foli për dinamovitët.
E ardhmja Do të vazhdojmë garën për titull. Ekipi është i ri në moshë dhe futbollistët duhet të përshtaten më shumë. Po shikoj se ka disiplinë taktike, që shfaqet edhe në seancat stërvitore. Nuk është e thënë që humbëm ndaj Dinamos dhe gjërat do të përkeqësohen, sepse ne do të humbasim edhe ndeshje të tjera.
Ky është futbolli, ka tri rezultate, nuk ka vetëm fitore. Kishim dëshirë që ta fitonim takim e lënë pas. Për këtë ndeshje që humbëm nuk u besoj disa fjalëve që thuhen se në ekip ka mendjemadhësi dhe se kjo ndikoi në psikologjinë e tyre për keq. Tani është e kuptueshme që ekipet humbasin, ishte një ndeshje e fortë dhe e pësuam kur nuk e meritonim të ndëshkoheshim.
Mustedanagiç Trajneri i përfaqësueses U-17, Xhemal Mustedanagiç, më ka falënderuar për ekipin që kam krijuar. Skuadra e Tiranës, sipas tij, ka ndryshime kolosale në krahasim me atë të vitit të kaluar. Ka disa djem që janë nën vëzhgim dhe disa të tjerë të cilët i aktivizon titullarë në skuadrën e tij.
Më ka thënë se do të marrë djem të tjerë nga këta që unë kam nën drejtim. Kandidatë janë Sallaku, Cake, Tabaku, Shyti, ndërsa disa të tjerë i ka në grup, pasi i ka vëzhguar dy ndeshje radhazi. Djemtë duhet të kërkojnë më shumë nga vetja që të arrijnë në kombëtare,- përfundon tekniku Sengla, që e ka marrë drejtimin e Tiranës U-17 në fund të muajit gusht.
Amri Jonuzi: Këtë kualifikim sdo ta harroj kurrë
Talenti 16-vjeçar që luan për Tiranën U-17 shënoi golin e kualifikimit për kombëtaren tonë kundër Estonisë
Nga ERJON HAMITAJ
Emri: Amri
Mbiemri: Jonuzi
Ditëlindja: 20/08/1995
Vendlindja : Tiranë
Gjatësia 1.77m
Pesha: 67 kg
Debutimi: Sezoni 2009-2010 Olimpik Tirana U-17
Skuadra aktuale: Tirana U-17
Pozicioni: Mbrojtës
Idhulli: Sergio Ramos
Një nga emrat që i dha kualifikimin skuadrës sonë kombëtare U-17, në kualifikueset Euro 2012, është Amri Jonuzi. Kujtojmë se Shqipëria U-17 u kualifikua në një grup shumë të vështirë me Sllovakinë, Gjermaninë dhe Estoninë. Futbollisti i paratërinjve të Tiranës, një mbrojtës i fuqishëm për kombëtaren, rrëfen aventurën e tij pas kthimit nga Estonia, ku shënoi golin e avantazhit në minutën e 52-të të takimit kundër Estonisë, që përfundoi 1-1, rezultat që i siguroi Shqipërisë vendin e dytë në grup.
Paramendimi dhe përgatitja Ne e dinim që grupi ynë ishte një nga më të vështirët. Nuk kishim arritur ndonjëherë fitore dhe gjithçka na dukej e vështirë. U përqendruam të gjithë në seancat stërvitore që na zhvilluan trajnerët dhe rritëm besimin te njëri-tjetri. Më pas filluan të gjitha, kuptuam se mund të ecnim, sepse po krijonim besueshmëri në skuadër. Luanim të sigurt në lojën tonë dhe askush nuk mendonte se do të kishim në ekip një lojtar që do të gabonte.
Puna e të gjithëve bashkë na solli deri këtu. Them me bindje se arritëm diçka që nuk e kishte arritur asnjë grup-moshë si jona në vitet e fundit dhe për këtë ndihemi të gjithë të lumtur. Shpërblyem mundin dhe sakrificat e trajnerëve dhe mbështetësve tanë, dhamë të gjithë forcën tonë për fanellën dhe u kualifikuam. Ky kalim turi nuk ishte vetëm rrjedhojë e lojës së mirë, ne jemi skuadër e bashkuar, si një familje e madhe, dhe ecim së bashku për të arritur më të mirën.
Kjo ishte një ndihmë e madhe psikologjike, që na dha shtysën për të bërë hapa galopantë, sepse e shohim njëri-tjetrin si të barabartë, jo duke bërë diferenca. Kur luaj me fanellën kuqezi mbi supe jam shumë i emocionuar dhe ndihem shumë krenar, sepse djersa ime po shkon për Shqipërinë, për të rritur vlerat e saj në arenën ndërkombëtare.
Më tepër më ka gëzuar fakti se delegatët e UEFA-s na përgëzuan për sjelljen dhe ndryshimet tona nga viti në vit. Kjo më bën të ndihem më shumë krenar. Jam i sigurt se nga grupi ynë do të dalin shumë talente, që do të jenë të denjë për kombëtaren, sepse me këtë punë dhe përkushtim të trajnerëve tanë arrihet çdo gjë.
Kualifikimi Ndeshja e parë me Sllovakinë ishte emocionuese, pasi ishte e para. Ne hymë në fushë për të mos bërë asnjë gabim dhe me synimin e vetëm, fitoren. Arritëm të fitonim pasi u motivuam nga trajneri dhe me njëri-tjetrin flisnim vetëm për fitore. Në ndeshjen e dytë u përballëm me gjermanët, që kishin një klas të lartë loje, por ne u vendosëm mirë taktikisht. Mund të kishim dalë barazim, por gjykimi nuk ishte fare i drejtë, sidomos në rastin e 11-metërshit.
Megjithatë, ne na nderoi loja, jo pika që mund të merrnim aty. Për takimin e fundit ndaj Estonisë them se ishte finalja jonë e parakohshme, sepse duhet të shkonim 6 pikë në renditje, për të siguruar kualifikimin. Sapo filloi loja, krijuam raste, shkuam disa herë te goli, por fati nuk ishte në krahun tonë. Fituam 11-metërsh të rregullt dhe trajneri ma besoi mua pa më të voglin dyshim.
Gjuajta dhe shënova, u gëzova jashtë mase dhe më pas po mendonim për një gol të dytë. Nuk shënuam sërish, por estonezët na shënuan në fund të takimit, kur prisnim vërshëllimën e gjyqtarit. Menduam në një moment se u skualifikuam, por shpresa ishte e madhe se ne do të ishim të dytët në grup. Me përfundimin e takimit morëm vesh që ne ishim skuadra e dytë në Grupin 12, pasi Gjermania mundi Sllovakinë 2-0. Për ne filloi festa!
E ardhmja Kur zbritëm në Rinas, ishte shumë ndryshe nga ajo që përjetuam kur ikëm. Zbritëm dhe pamë të gjithë FSHF-në që na priste, njerëz që na duartrokisnin dhe tifozë që flisnin emrat tanë. Ky ka qenë një rast që unë sdo ta harroj. Kemi marrë përgëzime shumë, por ne duhet të vijojmë me punën tonë, pasi nuk ka mbaruar faza kualifikuese.
Tashmë unë do vazhdoj me Tiranën dhe dua që në të ardhmen e afërt të jem, pse jo, një futbollist i saj apo një skuadre të huaj. Në këtë rast dua të them se kam oferta nga jashtë, por nuk dua ti zbuloj, sepse është shpejt. Po vendos që tia lë kohës se çdo të ndodhë. Edhe nëse luaj me Tiranën e madhe është n
