Desha të di çmimin
MIRELA KUMBARO
Rruga që zbret drejt Drimadhës është e asfaltuar, por e ngushtë e me kthesa, stolisur plot tabela që lajmërojnë për klube e hotele, por e varfër në sinjalizime që parandalojnë aksidentet. Këtë rol e luajnë vetë aksidentet. E pamundur ti përshkojmë ato disa qindra metra pa u ndeshur me ndonjë makinë të përplasur në kthesë. Dhe, në Shqipërinë e vogël ku Drimadha është një ndër destinacionet më të rrahura, nuk ishte çudi që shoferi i makinës fatkeqe të ishte një nga të njohurit tanë. Kishte katër orë që ishte ngulur në shtyllën elektrike të njërës prej kthesave pasi makina e tij ishte përplasur nga një tjetër simotër e Himarës, drejtuesi i së cilës ishte vendas dhe, natyrisht, me të drejtën e të zotit të shtëpisë, i jepte makinës me shpejtësinë që i donte qejfi. O vlla! Mo u mërzit, o vlla, – i thoshte i zoti i lokalit përballë, – këtu ngjeshen çdo ditë, o vlla!. Epo mirë! Meqë qenka kështu, u ndjemë më të lehtësuar brenda përplasjeve tona kolektive dhe i aksidentuari i dha zemër vetes për të shtyrë kohën në pritje të karrotrecit nga Vlora. Drimadha e kishte përmirësuar dukshëm infrastrukturën e vet, një shëtitore e re po ndërtohej (si gjithmonë, brenda sezonit turistik!) e dekoruar me gurë e trotuare. Ndihej iniciativa private në mirëmbajtje, e cila, nëse funksionon, është për tu përshëndetur e për tu marrë shembull nga fqinji i vet, Dhërmiu, ku plehrat vazhdojnë të mbeten pronë e patundshme publike. Baret në plazh e restorantet krah tyre kanë pamje ndjellëse. Si ngjyrat e tyre të bardha e të kaltra, ashtu edhe format e tejdukshme me vello valëvitëse, janë në harmoni të plotë me natyrën, plazhin e diellin. Por para se të shijonim një nga koktejet e freskëta me fruta që të propozonin banakierët simpatikë, profesionistë e të buzëqeshur, na duhej të vendosnim se ku do të flinim. Kishim ndërkohë një sugjerim: kampingu Totoreto nën ullinjtë e Drimadhës. Gjithsesi, nevoja për të plotësuar dijen hoteliere të zonës si dhe për të hequr çdo dyshim ndaj çka na ishte propozuar, më shtyu në një mision zbulimi në hotelet përreth.
HOTEL IONIAN
Një verandë gjigante me pamje nga deti i ftonte turistët nën një mbulesë fantastike jaseminësh, dorëzonjash e soj-soj bimësh të tjera kacavjerrëse. I afrohem kuvlisë në cep të restorantit që shërbente si recepsion. Djaloshi që rrinte pas kompjuterit më vështroi me sy pyetës. – A mund tju pyes për dhomat? – iu përgjigja unë vështrimit të tij. – Sa veta jeni? – tha. – Desha të di çmimin, – ia ktheva unë. – Sa net do rrini?. – Se kam vendosur, por dua të di sa kushton një dhomë familjare, – trasha disi zërin. Recepsionisti më përgjonte me bisht të syrit ndërsa i shmangej përgjigjes së drejtpërdrejtë dhe me minuta të tëra rrotullonte kursorin mbi ekranin e kompjuterit në kërkim të atij çmimi. Unë prisja. Prit pak, – më tha dikur, duke u ngritur për të shikuar diku, drejt dikujt. Dikushi më vëzhgonte nga larg, ndërsa fliste me recepsionistin. E ndjeva që më kishin hedhur në njërën anë të kandarit e po vinin gurët e parave nga ana tjetër, derisa të shihnin që çmimi që do të më jepnin të vinte fiks me aq sa atyre u hante mendja se unë mund të paguaja. Zuri të më zbaviste kjo lojë (për mua) sociologjike dhe po prisja me nge të mësoja sa vleja. 100 euro! – erdhi përgjigjja bashkë me recepsionistin. Ja ku u ndjeva një viktimë krenare, se 100 euro në hotelet e zonës është një goxha çmim. I kërkova kandarxhiut të më tregonte një dhomë. Hezitoi gjatë cilën prej dhomave të shpaloste. Kishte zgjedhje. Me shumë mirësjellje më udhëhoqi përmes bimësisë së harlisur për qejf. Ngjitëm një palë shkallë prej betoni të murrmë, të cilat, të zotët e hotel-restorantit nuk e shihnin të nevojshme ti vishnin të paktën me pllaka. Hymë në një korridor të errët. Ah, qenka djegur llamba! Se deri sot punonte…. Dera e dhomës prej duralumini (të shëmtuar) u hap: dhoma e shtruar me parket (këndshëm), dollap i vogël i bardhë, i pastër, dy shtretërit dukeshin të mirë në të parë, por pa komodina. Ndeza dritën e banjës: lavamani i pastër me dy sapunë të vegjël, WCja konturohej dukshëm nga një kordon myku i zi që të vriste sytë. – Po dush ska?! pyeta. – Ja ku është, – më tregoi djali një kokë dushi që varej në mur si zgjatim i tubit prej inoksi. – As këtu ska kabinë apo të paktën një pllakë! – mendova me zë të lartë. Në çast ma përshkoi trurin sindroma klasike e hotelerisë shqiptare, që shfaqet me mungesën e kabinës a të perdes së dushit dhe madje edhe të pllakës së dushit, siç ishte ky rast. Nuk e pengova dot përfytyrimin e pllaquritjes së ujit nëpër dhomë dhe të pastrueses sezonale të hotelit, e cila, duke të mbajtur me hatër, të jep borxh kovën e shtupën, duke të trajtuar si zonjë shtëpie. Recepsionisti e pa se si mu rrudhën buzët e më ftoi drejt ballkonit, si çelësi i suksesit të 100 eurove. Në fakt, ai ishte një korridor i jashtëm me parmak, i përbashkët për dy a tri dhoma. Heshtja ime me sa duket fliste më shumë dhe ai nxitoi të më joshte: – Kjo nuk ishte dhoma më e mirë. Ka ca të tjera që janë shumë, po shumë të mira, ama! – Që do të thotë? – u përpoqa unë, si zyshë, ti bëja një test gjuhësor parafrazimi që ai, sipas meje, nuk e kaloi dot. – Po ja, sa i sheh janë shumë të mira! – E mora vesh. Tani do më thoni sa është një dhomë familjare? – Ngrita unë tonin duke i kujtuar se ende skisha marrë përgjigjen e pyetjes me të cilën kisha filluar këtë dialog eksperimental. – Kjo dhoma është 80 euro, – më erdhi përgjigjja pa lidhje. – Po më the 100 qëparë! – Ndjeva me kënaqësi që kandari po lëvizte e mua po më binte vlera. – Epo kjo është 80. – Po një dhomë familjare? – Ngula këmbë unë, a thua se më duhej në çast ajo dhomë. – 120, – foli ngazëllimi i grepit që bie në peshk dhe, hop, u ngrit aty për aty kandari. Gjithsesi, ne hëngrëm aty darkën, ku çmimet ishin njësoj si në restorantet e ish-Bllokut në Tiranë dhe frutat e detit po aq të ngrira sa në supermarketin e lagjes sime. Zhurma e valëve dhe era e jaseminëve plotësonin pjesën tjetër të iluzionit. Ndërsa kamerierët, me pamje studentësh të ardhur aty për të siguruar disa të ardhura për vete, ishin shumë të sjellshëm dhe e meritonin me gjithë zemër bakshishin.
HOTEL AMBELPERIVOLO
Me pamje shumë tërheqëse të tipit bungalow, bojatisur me të bardhë e të blertë, rrethuar me oborre të vogla të lulëzuara e të dekoruara me gurë të rrumbullakët. Një kartolinë para së cilës nuk mund të mos i mbaja këmbët. Fillova dialogun nga e para me kamerierin, i cili më drejtoi te banakieri e ky i fundit mori në telefon një farë Doni, i cili dukej që i bënte banakierit pyetje të ngjashme me vështrimin e atij tjetrit që më kishte hedhur në kandar një hotel më parë. Pas shkëmbimeve të njëjta të tipit sa net, sa vetë, sa dhoma?… po prisja përfundimin e ankandit, dhe: 80 euro! – Ti shoh pak dhomat? – Patjetër. Për hir të së vërtetës, dhoma ishte e këndshme, e re dhe çarçafët e pambuktë e borë të bardha të të tre shtretërve ta bënin me sy. Një ekran i madh televizori pajisur me marrësin e Digitalb-it shoqëronte mobilimin e plotësuar të dhomës me rafte, minibar, kondicioner e komodina. Banja ishte dritë e pastër. Dushi, natyrisht pa kabinë, por të paktën kishte një pllakë. Mirë ishte, skam çthem, të paktën me aq sa pashë. Në restorantin e këtij hoteli hëngrëm drekën të nesërmen. Kamerierët ishin po aq të sjellshëm, por kuzhina linte shumë për të dëshiruar, pavarësisht emërtimeve të sofistikuara të menysë dhe çmimeve të kripura. Interesit tonë për të ëmbla kamerieri iu përgjigj: – Kemi një ëmbëlsirë tradicionale shqiptare: kremkaramelin! Duke buzëqeshur për padijen e tij, e porositëm nga një kremkaramel dhe në tryezë na erdhën pjatat me… hasude (!), që në fakt sishte e keqe. Ndjehet në ato plazhe që gatimi në restorante është edhe më sezonal sesa vetë njerëzit që punojnë në atë sektor. Kuzhina është një profesion që do ushtruar me kohë të plotë. Nuk e di