E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rënia e Asadit dhe kostoja

BASHKIM ZENELI

Situata në Siri vazhdon nga dita në ditë të jetë edhe më kaotike dhe më dramatike. Në 17 muajt e fillimit të revoltës popullore kundër regjimit të Asadit kanë humbur jetën mbi 25 mijë veta. Qytete të mëdha, duke përfshirë edhe metropolin Alepo, janë kthyer në gërmadha. Qindra mijëra veta kanë marrë arratinë dhe janë shpërngulur në kampe refugjatësh, kryesisht në kufi me Turqinë. Është revolta më e përgjakshme, por edhe më problematike, në aspektin e brendshëm, por edhe ndërkombëtar, për ndryshim në Lindjen e Mesme mbas atyre në Egjipt, Tunizi dhe Libi me Pranverën Arabe që nga dhjetori 2010, ku ndonëse edhe sot me problem, u zhvilluan zgjedhje dhe ka nisur, mes shumë problemeve, një tranzicion demokratik. Dështimi i disa rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shkak të vetos së Rusisë dhe Kinës, me kohë kanë nxitur ashpërsinë dhe dhunën e regjimit të Asadit, i cili edhe sot vazhdon të akuzojë se trazirat janë veprime të perëndimit dhe të armiqve të Sirisë. Dështoi edhe misioni i Kofi Ananit, me planin prej 6 pikash për një ndryshim politik, dhe ai dha dorëheqjen. Mendoj se pavarësisht funksionit të tij shumë të lartë si ish-sekretar i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan nuk kishte përvojën e zgjidhjeve politike e diplomatike në terren. Por, po kështu edhe kandidati i mundshëm për ta zëvendësuar atë në ketë mision, diplomati algjerian Brahimi, 78-vjeçar, dhe në ketë moment tepër të vështirë duket se nuk do të arrijë të ketë sukses. Në këta 17 muaj, i vetmi sukses ka qenë ai i misionarëve humanitarë, që me gjithë vështirësitë edhe të sotme, kanë mundur të bëjnë diçka. Por, edhe në ketë aspekt, alarmi është i madh, sidomos për medikamente. Dje, ministrat e Jashtëm të Francës dhe Britanisë së Madhe morën angazhime konkrete për rritjen e ndihmës humanitare. Duket se edhe përgjigja europiane për krizën në Siri ka qenë pjesërisht dhe kontradiktore dhe e shoqëruar me hapa të vonuar e të kufizuar, kryesisht me embargo pa shumë rëndësi e ndikim të drejtpërdrejtë në zgjidhjen e situatës. Ka pasur dhe ka një vizion të ngushtë, apo më mirë të themi, afatshkurtër, të zgjidhjes së krizës. Ndryshe, SHBA, pavarësisht mosangazhimit për ndërhyrje ushtarake, ndonëse disa herë edhe të paralajmëruar, kanë qenë më aktive në mbështetjen e opozitës, por ajo që është më e rëndësishme, të hapave të kujdesshëm në tranzicionin shumë problematik që do të ketë Siria mbas rënies së Asadit. Presidenti Obama, sipas Washington Post-it, ka autorizuar administratën për të ndihmuar opozitën siriane me mjete komunikimi dhe aparatura satelitore. Këtë e ripërsëriti edhe sekretarja amerikanë e Shtetit, Klinton, në turneun që po kryen në disa vende të Afrikës Jugore. Të martën e kaluar, sekretarja Klinton, gjatë qëndrimit në Johanesburg, nuk iu përgjigj kërkesës së kryengritësve sirianë për ndihmë me armë nga SHBA. Ajo foli për një bashkëpunim sa më të mirë drejt një plani për një tranzicion të mirë. Sekretarja Klinton, që të shtunën do të jetë në Stamboll, ka planifikuar të takohet me figura të opozitës siriane në ekzil për një angazhim direkt brenda në Siri, por jo me përfaqësues të Ushtrisë së Lirë Siriane, të cilët edhe kanë shprehur hapur një frymë antipërendimore për shkak të mosangazhimit me ndërhyrje ushtarake, ashtu si në Libi. Në fakt, nga SHBA-të është bërë e qartë se ndryshimet janë aq të dukshme midis Sirisë dhe Libisë, sa asnjë vend nuk kërkon ndërhyrje ushtarake. Ajo do të bisedojë me autoritetet e larta turke, të cilat janë të angazhuara më drejtpërdrejt me lëvizjen siriane të opozitës. Por, vendimi i sekretares Klinton për të ndaluar në Stamboll, mbas turit në Afrikë, ka të bëjë edhe me shqetësimin turk për rrezikun potencial të një lufte të gjatë civile në Siri, por edhe për problemet e shumta që i janë krijuar Turqisë nga strehimi i qindra mijëra refugjatëve sirianë përreth kufirit. Duke menduar për rënien e pashmangshme të Asadit dhe për të mos lejuar krijimin e një vakumi të rrezikshëm, Klinton theksoi se ne duhet të mendojmë për atë se çfare mund të bëjmë për të ndihmuar një tranzicion demokratik në Siri dhe për të mbrojtur të drejtat e gjithë sirianëve. Ky shqetësim amerikan, midis të tjerash, bazohet edhe në konfiguracionin etnik, fetar e rajonal në Siri, që paraqet edhe një rrezik potencial deri në krijimin e enklavave etnike. Në mbështetje të regjimit të Asadit nga vendet arabe, një rol të veçantë po luan Irani. Para disa ditësh lideri suprem iranian, Khamenei, dërgoi si misionar special diplomatin Salee Jalili, shef i Këshillit suprem Kombëtar të Sigurisë. Sigurimi i mbështetjes për Asadin u shoqërua edhe me kërkesën e Iranit për lirimin e 45 pengjeve të marra nga kryengritësit. Asad, në daljen e parë publike në TV me Jalili, që nga vrasja muajin e kaluar të 4 bashkëpunëtorëve të afërt të tij, e akuzoi përsëri Perëndimin për ndërhyrje në punët e brendshme të Sirisë. Edhe i dërguari i Iranit deklaroi se ajo që po ndodhe në Siri nuk është çështje e brendshme e Sirisë, por e armiqve të rajonit dhe të botës. Ai tha gjithashtu se kriza në Siri duhet të zgjidhet nga brenda, nëpërmjet dialogut kombëtar, dhe jo nga ndërhyrja e forcave të jashtme. Irani organizoi të enjten e kaluar edhe një konferencë në Teheran. Sipas ministrit të Jashtëm iranian, Salehi, në konferencë morën pjesë përfaqësues nga 30 vende në pritje që të ishte në nivelin e ministrave të Jashtëm, Rusia u përfaqësua nga ambasadori i saj ne Teheran, Kuvajti nuk mori pjesë, Libani theksoi pozicionin neutral në konfliktin sirian. Ndërkohë, përfaqësues të tjerë dërguan Kina, Pakistani, Kazakistani, Venezuela dhe disa vende arabe. Por konferenca nuk pati, ashtu siç pritej, asnjë rezultat. Mbështetja e Rusisë, nga ana tjetër, për regjimin e Asadit, krahas qëndrimeve bllokuese në Këshillin e Sigurimit, vazhdon deri në absurdin që sipas gazetës gjermane Suddeutsche Zeiturng të fillim javës, Shoqata e Shkrimtarëve Rusë i akordoi një çmim të lartë Presidentit Asad në fushën e letërsisë. Në këtë situatë, dhuna e regjimit të Asadit vazhdon të shtohet. Mbas bombardimeve disaditore me avionë dhe helikopterë në metropolin Alepo, forcat kryengritëse janë tërhequr duke e konsideruar një tërheqje taktike. Ushtria e lirë siriane ka bërë thirrje jo vetëm për armatim, por edhe për një zonë ndalim-fluturimi e njëjtë me atë të Libisë kundër kolonelit Gedaf. Deri tani Perëndimi ka heshtur për ketë. Këshilltari për antiterrorin i Presidentit Obama, John Brennan, tha se nuk kishte dëgjuar për këtë kërkesë. Presidenti Asad, mbas dezertimit të ishkryeministrit Raid Hidshab në Jordani, emëroi në vend të tij ish-ministrin e Shëndetësisë, Al Halki, i cili ka qenë për një periudhë 5-vjeçare edhe sekretar i Përgjithshëm i partisë Bath të Presidentit Asad. Edhe ndryshime të tjera në kabinet flasin për një kolaps të shpejtë të regjimit, me gjithë rritjen e paranojës te zyrtarët e afërt të Asadit, veçanërisht nga radhët e shërbimit të fshehtë dhe të ushtrisë. Shumica e tyre i përkasin sektit shiit të Alavitëve, përkundër luftëtarëve, në shumicë sunnite. Regjimi i Asadit është në rënie, por kostoja që po paguan populli e vendi është e jashtëzakonshme. Dhe sa më shumë i shkurtohen ditët, aq më shumë rrezikshmëri paraqet për dhunë dhe masakra të përgjakshme. Zyrtarë të tij kanë paralajmëruar edhe për përdorim të armëve kimike, por dyshohet edhe për ato bakteriologjike.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›