E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Kalfi: Shqipëria do të vazhdojë kursin e reformave, për anëtarësim sa më të shpejtë në NATO



Kryeministrin Sali Berisha ka deklaruar dje gjatë takimit me zv/kryeministrin dhe njëherazi Ministër i Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Ivailo Kalfin, qeveria shqiptare është e vendosur për vazhdimin e mëtejshëm të reformave me qëllim anëtarësimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në NATO, si anëtare me të drejta të plota. Kryeministri Berisha i shprehu Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm të Bullgarisë, z. Ivailo Kalfin, mirënjohjen dhe falënderimin e tij dhe të qeverisë shqiptare për mbështetjen e madhe që Bullgaria i ka dhënë Shqipërisë për marrjen e ftesës për anëtarësimin në NATO në Samitin e Bukureshtit, si dhe për njohjen e shtetit të Kosovës nga Bullgaria, një kontribut real ky i Bullgarisë për paqen dhe sigurinë në Ballkan. Zv/kryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Bullgarisë, z. Ivailo Kalfin, falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe transmetoi përshëndetjet e sinqerta dhe urimet më të mira të Kryeministrit bullgar Sergej Stanishev për marrjen e Ftesës për anëtarësim në NATO, duke u shprehur se Shqipëria e meritoi plotësisht këtë ftesë që erdhi si rrjedhojë e ndërmarrjes së reformave të mëdha nga qeveria shqiptare dhe vendosmërisë për zhvillimin e tyre edhe në të ardhmen. Zv/kryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Bullgarisë, z. Ivailo Kalfin, u shpreh se bazuar në eksperiencën e Bullgarisë dhe progresin e saj pas integrimit në NATO dhe BE, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO do të jetë një hap historik për vendin dhe se qeveria bullgare ka bindjen se së shpejti Shqipëria do të ketë një vend në tryezën e NATO-s, përkrah Bullgarisë. Kryeministri Berisha i shprehu zv/kryeministrit bullgar vendosmërinë e qeverisë shqiptare për vazhdimin e mëtejshëm të reformave, me qëllim anëtarësimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në NATO, si anëtare me të drejta të plota. Ai theksoi se pas marrjes së ftesës për anëtarësim në Shqipëri vazhdon të jetë një klimë mjaft pozitive e bashkëpunimit mes forcave politike, klimë kjo si asnjëherë tjetër, gjë që e tregoi edhe ndryshimi me votë në parlament i sistemit elektoral që do të sjellë një përfaqësi më të mirë të forcave politike në parlament dhe do të lehtësojë zhvillimin e mëtejshëm të vendit. Gjatë takimit, u bisedua mbi procesin e anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO dhe integrimit në BE, ku Zëvendëskryeministri bullgar u shpreh se Bullgaria mbështet me forcë Shqipërinë edhe në rrugën e integrimit në BE. Gjithashtu, Zëvendëskryeministri bullgar u ndal në rëndësinë e kësaj vizite në forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, vizitë e cila u përqendrua në diskutimin e disa çështjeve mjaft të rëndësishme për dy vendet, në bashkëpunimin dhe ndihmën e ndërsjellë në fusha të ndryshme, veçanërisht në zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin kulturor. Në këtë kuadër, Zëvendëskryeministri bullgar dhe Kryeministri Berisha u ndalën edhe në mbështetjen dhe rëndësinë që do të vazhdohet t’i kushtohet realizimit të projekteve AMBO dhe Korridori 8, me besimin se projekte të tilla do të luajnë një rol të rëndësishëm në integrimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në rajon. Po në fushën e zhvillimit ekonomik, Kryeministri Berisha u shpreh se do të ishte me interes edhe kompletimi i një korridori hekurudhor mes dy vendeve, duke kaluar nga Maqedonia, me rëndësi të veçantë sidomos për transportin e mallrave. Kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria ka potenciale të mëdha për investitorët bullgarë në mjaft fusha si në turizëm, në minerale, pasuritë hidrike etj. Lidhur me këtë, Zëvendëskryeministri bullgar theksoi se, veçanërisht në periudhën e fundit, ka një interesim në rritje të kompanive të mëdha bullgare për të investuar në Shqipëri. Bashkëbisedimi u ndal edhe në zhvillimet në rajon, ku Zëvendëskryeministri bullgar u shpreh se Bullgaria njohu Kosovën me bindjen dhe besimin e plotë se institucionet kosovare do ta çojnë vendin e tyre drejt progresit politik dhe ekonomik, ndaj duhet patjetër ndihmë dhe besim i plotë ndaj këtyre institucioneve.
Kryeministri Berisha i shprehu Zëvendëskryeministri bullgar falënderimet e tij më të sinqerta për suportin që qeveria bullgare, një vend me eksperiencë dhe zhvillim, plotësisht i integruar në NATO dhe BE, i ka dhënë Shqipërisë që në vitet ’92 dhe fillimet e demokracisë në vend, duke i dhënë kështu një ndihmë të madhe prosperitetit dhe stabilitetit të mbarë rajonit.
Bullgaria premton liberalizim të plotë të vizave me Shqipërinë/Bullgaria premton mbështetje të plotë ndaj Shqipërisë në përmbushjen e aspiratave për integrim të plotë në NATO dhe në BE. Në Takimin me ministrin e Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, zyrtari i lartë bullgar Kalfin, shprehu se, Bullgaria do të vazhdojë t’i japë ndihmë dhe asistencë Shqipërisë në anëtarësimin e plotë të saj edhe në strukturat e BE-së, duke premtuar mbështetje edhe për një liberalizim sa më të shpejtë të vizave të Shqipërisë me BE-në dhe me vetë Bullgarinë. Duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm dhe mbështetjen konkrete të Bullgarisë për vendet e A3, në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në NATO, Basha theksoi se “vlerësuam nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dhe zhvillimeve pozitive në bashkëpunimin dypalësh, të konkretizuar nga kontakte të shumta në nivel të lartë politik dhe shprehëm angazhimin për të intensifikuar më tej dialogun politik, bashkëpunimin në të gjitha fushat, dhe në veçanti për zgjerimin dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën ekonomike”. Shefi i diplomacisë shqiptare, Lulzim Basha vlerësoi mbështetjen që Bullgaria i jep Shqipërisë, në rrugën e integrimit euroatlantik, duke shprehur angazhimin e qeverisë shqiptare për të vijuar rolin, si faktor paqeje dhe stabilitetin në rajon. Ai gjithashtu vlerësoi njohjen nga Bullgaria të pavarësisë së Kosovës, si një kontribut të saj për paqen në Ballkan. Ndërsa nga ana e tij, zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm bullgar, Kalfin u shpreh, se “dy vendet tona nuk kanë asgjë të lënë pezull, ose të mbetur pezull deri tani”. Ai vlerësoi se “Bullgaria dhe Shqipëria kanë një qëndrim të përbashkët, që është zhvillimi i rajonit tonë”. “Përgëzoj Shqipërinë për marrjen e ftesës së anëtarësimit në NATO, proces të cilin Bullgaria e ka mbështetur fuqimisht. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Shqipërinë në negociatat për një anëtarësim të shpejtë në NATO me të drejta të plota. Shqipëria e meriton këtë ftesë, e cila është vazhdimësi e gjithë reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare.
Topalli-Kalfin: Reformat e qeverisë kanë krijuar klimë tërheqëse për investime, të mirëpritura investimet bullgare/Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i shprehu të mërkurën zëvendëskryeministrit dhe ministër i Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Ivailo Kalfin, interesin për rritjen e investimeve bullgare në vendin tonë. Topalli, duke vlerësuar nivelin e bashkëpunimit politik mes dy vendeve, u shpreh se ai duhet të pasohet nga rritja e shkëmbimeve në fushën ekonomike. “Reformat ekonomike të miratuara nga Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë kanë krijuar klimë tërheqëse për investime dhe do të ishte kënaqësi e veçantë të kishim më shumë investime nga Bullgaria në vendin tonë”, tha ajo. Kryetarja e Kuvendit e njohu zyrtarin e lartë bullgar me reformën e fundit kushtetuese të votuar në parlament, e cila, sipas saj, “përbën bazën e një shteti të fortë ligjor. Miratimi i saj dëshmoi pjekurinë e klasës politike shqiptare, vizionin e saj të orientuar drejt standardeve perëndimore”. Nga ana e tij, z. Kalfin, konfirmoi interesin e investitorëve bullgarë për tregun shqiptar dhe për investime të mëdha në Shqipëri. “Te Bullgaria, ju do të gjeni si gjithnjë një mik të madh dhe një mbështetës të fortë në proceset integruese. Është vërtet koha që të rrisim bashkëpunimin ekonomik, jo vetëm në planin dy palësh, por edhe në atë rajonal”, tha z. Kalfin. Të dy autoritetet ndanë mendimin se rajoni po përjeton momente historike, duke dëshmuar gjithnjë e më shumë se është i orientuar drejt perspektivës euroatlantike, drejt paqes dhe stabilitetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›