E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filma dhe gabime historike

Një pjesë e mirë prej tyre ka fituar edhe çmime shumë të rëndësishme kinematografike siç është çmimi "Oscar" e "Golden Globe", të tjerë, kanë pasur rezultate të shkëlqyera në sportelet e kinemave. Por e kanë një të përbashkët: janë filma të mbushur me gabime historike. Duke marrë spunto prej deklaratës së njërit prej regjisorëve më të mëdhenj sot, Quentin Tarantino ("E bukura e kinematografisë është se mund të shpikë historinë"), gjatë prezantimit të filmit të tij të fundit "Inglourious Basterds", "Times" e Londrës ka realizuar klasifikimin e 10 filmave hollivudianë më të famshëm për gabime historike.

Një incident diplomatik

Filmi i parë që përmend "Times" është "U-571", i vitit 2000, i cili është drejtuar nga regjisori amerikan, Jonathan Mostow. Filmi rrëfen një episod të betejës së Atlantikut mes nëndetësesh aleate dhe naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore: kapjen nga ana e forcave amerikane të një U-Boat gjermane në të cilën ndodhej makina "Enigma", një elektromekanizëm i përdorur prej nazistëve për të shifruar dhe deshifruar mesazhet në kod gjatë konfliktit. Pasi e rrëmbejnë këtë makinë, amerikanët arrijnë të lokalizojnë pozicionin e U-Boat-eve të tjera naziste në Atlantik duke i paraprirë edhe tragjedisë që do të ndodhte me anijet dhe nëndetëset aleate në oqean. Histori e bukur, por sa keq për amerikanët, sepse elektromekanizmin e gjetën anglezët. Kur filmi doli në kinema, krijoji gati edhe një incident diplomatik mes anglezëve dhe amerikanëve: asokohe Kryeministri britanik, Tony Blair, akuzoi Hollivudin për falsifikim të kujtesës historike duke protestuar publikisht. Qetësinë mes shteteve anglofone e solli më pas Presidenti Bill Clinton, i cili i shkroi një letër Kryeministrit Blair në të cilën qetësisht nënvizonte se: "Bëhet fjalë vetëm për një film".

"Braveheart" dhe prehistoria false

Por Hollivudi nuk ka falsifikuar vetëm ndërmarrjet britanike. Viktimë e spektakleve të industrisë kinematografike amerikane është edhe historia skoceze. "Braveheart", filmi fitues i pesë çmimeve "Oscar" që e bëri të njohur në tërë botën William Wallace, bëmat dhe ngjarjet e shekullit XIV që e çuan drejt pavarësisë Skocinë, është i mbushur me gabime historike. Regjisor dhe aktor kryesor i filmit është Mel Gibson që e paraqet Wallace si një qytetar të varfër, ndërsa në të vërtetë ai ishte një kavalier, pronar i shumë tokave. Ndër të tjera, Wallace në film ka një histori dashurie me mbretëreshën Izabela të Francës, por kjo nuk është aspak e vërtetë, sepse në kohën për të cilën flitet në film mbretëresha ishte vetëm dy vjeçe. E së fundi, protagonisti i filmit dhe luftëtarët skocezë kanë veshur fustanellën tipike skoceze të quajtur kilt, e cila siç bëjnë të ditur historianët, filloi të vishej gjerësisht në Skoci vetëm në shekullin XVII. Filmi i tretë në klasifikim është "10.000 p.k", film mbi prehistorinë që paraqet akrobaci të pafundme historike. Aty rrëfehet për një gjuetar që duhet të shpëtojë një princeshë, ku shfaqen disa kafshë të zhdukura në epokën për të cilën bëjnë fjalë ngjarjet, si dhe disa teknologji që njeriu i asaj periudhe ende nuk i kishte zhvilluar.

Edhe një herë Gibson dhe "Pearl Harbor"

Në vend të katërt të klasifikimit shfaqet një tjetër film me Mel Gibson: "Patrioti". Drejtuar nga Roland Emmerich, filmi paraqet një sërë gabimesh historike: ushtarët anglezë në film vrasin shumë qytetarë amerikanë në kisha dhe në vende të shenjta (veprime të tilla u kryen vetëm nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore në Francë) dhe shfaqen ndryshime, veprime të padokumentuara asnjëherë. Ndër të tjera, nuk ka asnjë gjurmë të sistemit skllavëror që mund të ekzistonte asokohe në kolonitë amerikane. Gjykimi më i mirë për filmin është dhënë nga historiani amerikan, David Hackett Fischer, që për "New York Times" deklaroi: "Ky film është historik si Goxilla, është një specie biologjike". Një tjetër ngjarje qendrore e historisë amerikane është sjellë në një ekranizim kinematografik: Pearl Harbor. Në filmin me të njëjtin titull të xhiruar në vitin 2001 nga Michael Bay tregohet historia e vërtetë e dy miqve, George Welch dhe Kenneth M. Taylor, që të dy pilotë në aviacionin amerikan gjatë sulmit japonez të vitit 1941 në bazën navale amerikane. Por historitë e tyre të dashurisë dhe nismat e tyre janë hiperbolizuar dhe falsifikuar për ta bërë sa më tërheqës filmin. Edhe një herë shfaqet Mel Gibson, i cili duhet të ripërsërisë historinë duke qenë se për të tretën herë (e dyta si regjisor) shfaqet në këtë listë me filmin "Apocalypto". Këtu aktori australian tregon mizorinë dhe sakrificat njerëzore të popullit Maya. Sipas shumë historianëve, brutalitetet janë ekzagjeruar dhe sakrificat e masës ishin veprime që kryheshin prej qytetërimit Azteka dhe jo atij Maya.

Nga Mozart te Mbretëresha Maria Antoneta

Kush nuk e ka dashur "Amadeus", filmin e shumë vlerësuar të Milos Forman që rrëfen rivalitetin pasionant mes të madhit Mozart dhe kompozitorit Salieri? Filmi përfundon me vdekjen e gjeniut të Salisburgut, që sipas filmit, është helmuar nga rivali italian. Një subjekt drithëruese, por që nuk respekton vërtetësinë e fakteve. Sipas historianëve të muzikës, Salieri gjatë gjithë jetës pati shumë respekt për Mozart aq sa bashkëshortja e këtij të fundit i la për edukim të birin kompozitorit italian. Rivaliteti mes të dyve ishte një histori e thurur pas vdekjes për të rinovuar rivalitetin mes shkollës italiane të muzikës dhe asaj austro-gjermane. Edhe subjekti i filmit "Gladiatori" i vitit 2000 me regji të Ridley Scott, me aktorin Russell Crowe ka bërë për vete të gjithë dashamirësit e kinemasë. Por Mark Auereli nuk u vra nga Komodo dhe ky i fundit nuk përfitoi prej së motrës, por më vonë u vra, sepse mësoi se ajo ishte përfshirë në një kurth kundër tij. Perandori romak u vra nga një gladiator (që quhej Narcisus dhe jo Maksimus), por në vaskën e tualetit jo në një betejë në Kolose. Lista e dhjetë filmave me gabime historike mbyllet me "Mbretëresha e vogël Viktoria" dhe "Maria Antoneta" e Sophia Coppola-s. Sidomos filmi i fundit është diskutuar tepër mes kritikëve jo vetëm për pasaktësitë historike, por edhe sepse regjisorja amerikane ka ilustruar historinë e Mbretëreshës së dënuar në gijotinë në fundin e shekullit XVIII me muzikë moderne, duke e zhvendosur kështu vëmendjen tek ëmbëlsirat dhe veshjet më të dashura nga Mbretëresha sesa te politika e komplikuar e mbretërisë franceze.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›