Ish-kryetari i komunës godet dy simpatizantët e PD-së për flamujt
Alfred Sula, ish kryetar i komunës, i akuzuar për vjedhje pronash në Kashar, ka goditur dje dy simpatizantë të Partisë Demokratike duke i lënë të plagosur në lokalin e tyre
Flamujt politikë kanë shkaktuar incidentin e radhës dje në mesditë në Kashar. Fatjon dhe Genci Kamberi kanë qenë dje në lokalin e tyre, përreth të cilit kanë vendosur dhe flamuj të Partisë Demokratike. Por dje në mesditë, ish kryetari i komunës së Kasharit, Alfred Sulaj, dhe njëherësh djali i kandidatit socialist për këtë komunë për këto zgjedhje është konfliktuar ashpër me pronarët e lokalit, duke lënë të plagosur dy djemtë. Sula ka qenë i shoqëruar nga një grup prej afro 10 vetësh dhe u ka kërkuar dy djemve zëvendësimin e flamujve të Partisë Demokratike, me ata të Partisë Socialiste, e ndërsa ka hasur në refuzimin e tyre, njerëzit e Sulës kanë goditur me sende të forta Fatjon dhe Genci Kamberin. Si autorë të dyshuar të kësaj ngjarjeje, policia ka skeduar shtetasit Luan Sulaj, Shkëlqim Lleshi, Alfred Sula dhe Zani Sula. Të dëmtuarit, shtetasit Fatjon dhe Genci Kamberi, janë dërguar dhe trajtuar për ndihmë mjekësore në Spitalin Ushtarak Tiranë. Ndërkohë, që dje është kapur njëri prej autorëve, shtetasi Luan Shkëlqim Sulaj, i cili u pyet në lidhje me sqarimin e rrethanave të këtij incidenti, ndërsa paralelisht ka nisur dhe procedimi penal për të. I ati i dy djemve të lënduar, Xhavit Kamberi, në një intervistë për “MAPO”-n dje, ka sqaruar në detaje incidentin duke pretenduar se kjo ishte një demonstrim i pastër force nga ish-kryekomunari, Alfred Sula, në drejtim të familjes së tij që është një mbështetëse e hapur e Partisë Demokratike.
Zoti Kamberi, si ka ndodhur plagosja e dy djemve tuaj?
Dy djemtë e mi kanë qenë në lokal si çdo ditë, pasi këtu punojnë. Nëse shikoni rrethimin e lokalit, e gjithë kjo pjesë është pronë e jona. Por edhe tokat në vijim, për rreth 300 metër deri në fund, janë në pronësinë tonë, gjithashtu dhe vendi ku kalon rruga e komunës. Ne kemi vendosur brenda territorit të lokalit tonë flamuj të Partisë Demokratike. Jemi mbështetës të flaktë të kësaj partie. Si fis kemi qenë të persekutuar dhe të vuajtur për vite me radhë. Sot paradite, Fred Sula dhe disa të tjerë kanë ardhur me tre makina të mbushura me gangsterë dhe sa kanë zbritur, fjala e parë ka qenë kërcënimet ndaj djemve të mi për flamujt e Partisë Demokratike. Djemtë i kanë thënë se janë në pronën e tyre dhe se do mbanin ato flamuj që donin vetë. Në atë moment, Fred Sula dhe njerëzit e tij i kanë kërcënuar, duke i detyruar që të zëvendësonin flamujt e Partisë Demokratike me ato të Partisë Socialiste... Djemtë nuk kanë rënë pre e presionit të tyre dhe kjo gjë i ka inatosur këta gangsterë, të cilët me qyta pistolete kanë goditur djemtë e mi në fytyrë.
Thjesht për çështje flamujsh është bërë incidenti sot?
Sot ata djemtë i kanë goditur vetëm pse nuk pranuan që në pronën e tyre të vendosnin flamuj të tjerë. Kaq është historia e ngjarjes së sotme. Ne nuk kemi provokuar askënd, asnjë përfaqësues socialist, edhe pse jemi demokratë. Shikojini flamujt e Partisë Socialiste anës rrugës, të gjithë janë vendosur në prona që na përkasin neve, por nuk i kemi hequr sepse e kuptojmë që edhe ata kanë të drejtë të vendosin flamujt e tyre. Por ama brenda lokalit tim, ku unë dhe familja ime qëndrojmë dhe punojmë, nuk mund të vijë askush që të më imponojë se cilin flamur duhet të vendos.
Keni pasur konflikte më parë me të njëjtët njerëz?
Po kemi pasur, shumë madje. Duhet të dini se Alfred Sula ka qenë kryetar i komunës së Kasharit. Ai është dënuar me vendim gjykate për vjedhje pronash, nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve. Të gjitha këto prona këtu rrotull janë tonat dhe ai i ktheu në pronësinë e tij vite më parë. Prokuroria nisi hetimin dhe gjykata e gjeti fajtor dhe na ktheu pronat neve. Fred Sula bëri vetëm dy vite burg, si duket pronat e vjedhura dhe ndërtimet që lejoi të bëheshin kur ishte kryetar, e kanë ndihmuar të dalë më shpejt nga se i takonte prej burgut. Sot për Partinë Socialiste kandidon i ati i tij edhe ai është përmendur në dosje për përvetësim të paligjshëm prone, madje fiks pronën e familjes tonë ka cenuar, por gjykata nuk mund t’i dënonte të gjithë se i binte pastaj të shkonin 40 vetë në burg. Kjo është dhe historia jonë e konfliktit. Ai ka ndërmend të bëjë të atin kryetar tani dhe të rinisë nga e para vjedhjen dhe grabitjen e pronave, siç bëri dikur, asnjë qëllim tjetër nuk ka. Një kushëri im u vra prej tyre në vitin 2008 dhe i morën tokën, ku ndërtuan vila. Këtu ata sillen si gangsterë dhe çdo gjë me falsifikime dhe vjedhje e kanë bërë, por të jenë të sigurt se me ne nuk do e kenë të thjeshtë.
BOX
Kashari 2, ish-kryekomunari Alfred Sula u akuzua për vjedhjen e pronave
Sipas Prokurorisë së Tiranës, nga viti 2000 e deri pak para arrestimit në vitin 2009, drejtuesit e komunës së Kasharit, në mënyrë abuzive, duke falsifikuar dokumente, hartën topografike dhe shumë dokumente të tjera, ua kaluan këto prona të njohurve të tyre, të cilët më pas i shisnin. Ndaj 10 të pandehurve të kësaj dosjeje, u ngritën një sërë veprash penale, si “falsifikim të dokumenteve” nga personi që ka për detyrë lëshimin e tyre në 34 raste, “shpërdorimit të detyrës”, “korrupsioni pasiv i funksionarit të lartë shtetëror ose të zgjedhurit vendor”; “mashtrimit me pasoja të rënda”, të gjitha këto në bashkëpunim dhe kryerjen e veprës penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale” në katër raste.
Sipas kërkesës për gjykim, të bërë tre vite më parë, Alfred Sula, në cilësinë e kryetarit të komunës së Kasharit, gjatë ushtrimit të detyrës së tij ka falsifikuar dokumentet zyrtare për përvetësimin e pronave të ndryshme në 13 raste dhe mban mbi supe më shumë akuza se bashkëpunëtorët e tij. Sipas kërkesës për gjykim, 177.592 metra katrorë truall janë përfituar në mënyrë abuzive nga 15 persona, në sipërfaqe të ndryshme. “Nga hetimet 6-mujore, ku janë marrë në pyetje më shumë se 50 persona, janë kryer shumë sekuestrime dhe verifikime dokumentesh. Personi që ka përfituar më shumë nga këto “grabitje” pronash është i pandehuri Xhevahir Hyka, daja i kryetarit të komunës së Kasharit, Alfred Sula, i zgjedhur në zgjedhjet e fundit vendore të 18 shkurtit 2007 në këtë komunë. Në listën e të akuzuarve janë dhe Ismail Sula, me katër raste, duke u ndjekur më pas me të pandehurin Ruhi Valiasi, i cili ka përfituar prona me anë të falsifikimit në tre raste, duke vazhduar me përfituesin në 2 raste nga i pandehuri Ismet Bakalli”, - thuhet në dosjen hetimore të prokurorisë për këtë çështje.