Dëshmia: Si rrëmbeu Aldo Bare familjen time
TIRANË- Dosja e krimeve të kryera nga Aldo Bare dhe banda e Lushnjes vazhdon me një tjetër dëshmi të krimeve makabre. Një familje e tërë merret peng sepse “i forti i Lushnjes” dyshonte që njëri prej tyre kishte marrë pjesë në atentatin e dështuar ndaj tij. Pak ditë më parë, Alfred Shkurtin e kishin qëlluar me antitank por kishte mundur që të shpëtonte pa ndonjë dëmtim serioz. Kur është takuar me dëshmitaren ai kishte vetëm një plagë të lehtë në dorën që mbante të fashuar. E gjithë familja dhunohet psikologjikisht dhe më pas lihet e lirë vetëm sepse dëshmitarja njihte kunatën dhe nënën e kapobandës. Por njohja familjare nuk e shpëtoi Servete Haxhiun nga djegia e shtëpisë së saj. Fatmirësisht i shoqi dhe i biri kishin dalë nga dritarja dhe që nga ajo ditë nuk janë kthyer më në shtëpi.
Unë Servete Haxhiu, me vullnetin tim të lirë deklaroj:
Në fund të muajit gusht të vitit 1998, data nuk më kujtohet por e di që ka qenë vonë në mbrëmje, unë bashkë me burrin Shkëlqimin, dhe djalin Klodianin ishim shtrirë ndërsa djali tjetër Adioni ndodhej në Greqi me ekipin e futbollit. Ende nuk na kishte zënë gjumi, kur dëgjojmë të trokitura të forta në derën e hyrjes kryesore që ndodhej në katin e dytë të shtëpisë. U ngritëm dhe dëgjuam shumë zëra të personave që ishin te dera të cilët shanin dhe fyenin me fjalët më ofenduese. Në atë moment, njëri prej tyre që ishte prapa derës godiste dhe thërriste, hapeni derën se jam shefi i Krimeve të Policisë së Lushnjës dhe qëllonte derën me grushte e shkelma.
Nuk e hapa menjëherë derën pasi prita që të largohen nga dritarja. Burri Shkëlqimi dhe djali Klodiani u larguan nga dritarja pasi kishim frikë se do t’i arrestonin.
Sapo u largua burri me djalin u nisa për në dhomë tjetër, kur në atë moment shpërtheu dera, pasi ishte shkelmuar me forcë nga ai grup personash të armatosur dhe civilë. U futën brenda në dhomë. Ata ishin të armatosur me armë të ndryshme dhe filluan të kontrollonin nëpër dhoma, banjë, verandë etj. Dukeshin mjaft të egërsuar dhe të ashpër. Ata më pyesnin se ku ndodhej burri im Shkëlqimi. Unë iu thashë se “nuk ndodhet në shtëpi” dhe sapo mbarova fjalën këta persona të armatosur më rrëmbyen me forcë, duke më zbritur nga shkallët e katit të dytë në oborr të shtëpisë që të kontrollonin lirshëm. Sapo zbritëm në oborr njëri prej tyre që ishte me trup mesatar dhe i shëndoshë dhe me sy pak të zgurdulluar më tha se “do të vish me ne se të kërkon kryetari i grupit”, nuk më dhanë hollësi se kush ishte ky kryetar dhe unë nuk pyeta nga frika.
Sqaroj se nga personat e armatosur dhe që u futën me forcë në banesën tonë, kam njohur vetëm njërin prej tyre që di se quhej Erion Cici dhe mbante në dorë një automatik. Këtë e njihja se ka qenë shok me çunin tim Klodianin dhe ka ardhur disa herë në shtëpinë tonë. Ndërsa një tjetri ja mësova pseudonimin që kishte, sepse shokët e tij e thërrisnin “Zhvejk” dhe kishte uniformë kamuflazhi si ata të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së), por emrin e vërtetë nuk arrita ta mësoj.
Pasi më zbritën me forcë dhe nën presion të armës në oborrin e shtëpisë, personat e armatosur kontrolluan shtëpinë dhe pas këtij kontrolli Erion Cici më tha, “hajde hyr brenda mbylli dritaret”. Sapo u ngjita në katin e dytë pashë një person që kishte dalë nga dritarja që iku burri im Shkëlqimi me Klodianin dhe po qëndronte në verandë. Ai ishte i veshur me rroba të zeza dhe mbante në dorë një automatik. Pasi i mbylla dritaret më zbritën sërish në oborr dhe më urdhëruan me forcë dhe nën presion të armës që të hipja në furgonin e bardhë që ndodhej tek porta e oborrit. Unë vazhdimisht kundërshtoja për të mos shkuar me ta, por nuk munda të rezistoj. Ata morën me forcë edhe kunatin tim të quajtur Virgjil Haxhiu, së bashku me gruan e vet, File Haxhiu, nipin e burrin, Karafil Haxhiu dhe gruan e tij, Pranvera Haxhiu dhe na futën në furgonin që ndodhej tek dera e shtëpisë.
Udhëtimi nuk zgjati më shumë se 5 minuta. Sapo ndaloi furgoni, neve na zbritën të gjithëve dhe na futën në një dhomë në katin e parë të një ndërtese. Aty pashë një person tjetër, i shkurtër, i shëndetshëm me flokë të rëna, i cili lëvizte brenda në dhomë i revoltuar dhe mu drejtua mua, duke më pyetur se “ku është burri juaj Shkëlqimi”.
Sqaroj se ky person njërën dorë e kishte të lidhur me fasho të bardhë dhe lëvizte nëpër dhomë si i xhindosur. Kur më pyeti për burrin unë iu luta që ta linte të qetë atë dhe ai me të bërtitura më ktheu: “Kur ma vranë vëllanë tim, unë nuk pyes për njeri tjetër më”. Kur ai foli me këtë mënyrë, atëherë e kuptova se ky është Fred Shkurti. Në momentin që e kuptova se isha përballë Fred Shkurtit për ta zbutur zemërimin e tij, i thashë që me “kunatën tënde Buqen kam punuar shumë vite, ndërsa me nënën tënde Balën kam njohje të hershme”.
Sqaroj se Fred Shkurti na mori në pyetje të gjithëve, një nga një, në dhomën ku ai qëndronte, duke na pyetur për shumë gjëra që nuk më kujtohen tani, por që kërkonte të dinte se ku kishte qenë Shkëlqim Haxhiu atë paradite. Pasi na mori në pyetje një nga një Fred Shkurti, dolëm nga dhoma jashtë në rrugë dhe u bashkuam sërish me kunatin tim të quajtur Virgjil Haxhiu, së bashku me gruan e vet, File Haxhiu, nipin e burrin, Karafil Haxhiu dhe gruan e tij, Pranvera Haxhiu. Të gjithë së bashku u nisëm në këmbë për të shkuar tek shtëpia jonë, që ndodhej në lagjen “Loni Dhamo”, kur arritëm tek shtëpia pamë dhe mësuam se personat e armatosur menjëherë pasi jemi larguar që aty i kanë vënë zjarrin shtëpisë për ta djegur. Atë ditë jemi larguar nga Lushnja bashkë me burrin tim, Shkëlqimin dhe Klodianin dhe jemi strehuar për t’u fshehur në Durrës e Shkodër dhe më pas kemi ikur në Greqi.
Shkëlqim Haxhiu dëshmon në gjykatë se si “ushtarët” e bandës së Lushnjes u nisën për ta vrarë
“Njerëzit e Aldo Bares më donin të vdekur”
TIRANË- Shkëlqim Haxhiu, i cili në fund të gushtit të vitit 1998 ra viktimë e pjesëtarëve të “bandës” së Lushnjës të drejtuar nga Alfred Shkurti i njohur ndryshe si Aldo Bare, duke ia djegur shtëpinë, me pretendimet se ai kishte qenë pjesë e grupit që i bënë atentat kreut të bandës po atë paradite me anti-tank. Sipas dëshmitarit Haxhiu, “banda e Lushnjës me në krye Alfred Shkurtin funksiononte si një polici kriminale me të gjitha strukturatku si pjesë të punës së tyre të përditshme kishin përveç vrasjeve të rivalëve edhe vendosjen e gjobave ndaj biznesmenëve, në rastet kur gjoba nuk shlyhej atëherë i gjobituri vritej nga banda. “Ka qenë muaji gusht i vitit 1998, kur Alfred Shkurtin ka tentuar ta vrasin dikush me anti-tank në vendin e quajtur Sul Zotaj në afërsi të Lushnjës. Atë ditë, në mëngjes mua më kanë vjedhur dikush furgonin dhe ata që më kishin vjedhur e kishin përdorur për t’i bërë atentat Aldo Bares me anti-tank, por që ai kishte shpëtuar vetëm me një plagosje të lehtë. Pasdite, pjesëtarët e kësaj bande: Ilir Stergu, Arben e Enver Boriçi, Erion Cici, Jorgo Muzaka, Rexhep Gina, Enver Dondollaku dhe Leonard Prifti erdhën para pallatit ku banonim në kat të dytë duke qëlluar me armë dhe kërkuar të hyjnë me forcë në shtëpi. Në atë moment kam dalë në dritare dhe pashë që po tregonin banesë time me gisht. Kam marrë djalin që më kanë vrarë në 2005 Klodian Haxhian, dhe kam iku nga mbrapa duke shkuar te vëllai. Banda ka hyrë në banesën time, i ka nxjerrë zvarrë njerëzit e shtëpisë jashtë dhe meqenëse nuk më kanë gjetur mua i kanë venë flakën banesës. Që nga ajo ditë kam ikur me familjen për tu kthyer në vitin 2003, ku lokali dhe pronat më janë privatizuar nga pjesëtarët e kësaj bande”,- mësohet të ketë thënë Haxhiu para togave të zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda pak ditë më parë gjatë dhënies së dëshmisë së tij.
Historia e hasmërisë dhe të gjitha krimet e një prej bandave më të rrezikshme në vend
Ngritja dhe rënia e “bandës” së Lushnjës
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, pas hetimeve disavjeçare ka arritur të zbardhë në pesë dosje penale thuajse të gjitha krimet e kryera nga “banda e Lushnjës” e krijuar dhe drejtuar për disa vite nga shtetasi Alfred Shkurti i njohur ndryshe edhe me emrin Aldo Bare. Sipas prokurorisë, mësohet se konflikti i Aldo Bares me Artur Dajën ka filluar që nga viti 1996 në Itali, ku është vrarë shtetasi Besnik Tahiraj. Vrasje kjo e kryer nga Aldo Bare, Por vetë Bare ka pohuar se këtë vrasje e ka kryer “për t’i bërë qejfin” Artur Dajës. Siç dyshohet nga prokuroria, fillimi i konflikteve mes këtyre dy personave të rrezikshëm në Lushnje kishte filluar pas prishjes së pazareve të tyre për shitjen e lëndëve narkotike. Kështu, konflikti mes tyre u forcua në vitin 1996, pas një debati mes tyre nëpërmjet telefonit në Milano të Italisë, ku Alfred Shkurti i betohet se “do të të mbyll në arkivol o Artur Daja”. Këtu ishte edhe fillimi i vrasjeve mes tyre, ku në qershor të vitit 1997, Alfred Shkurti bashkë me Bardhyl Rabijën dhe vëllanë e tij, Ramadan Shkurti organizojnë një atentat ndaj Artur Dajës. Por ky i fundit kundërpërgjigjet me armë dhe situata përfundon me tre të vrarë. Nga ana e Artur Dajës u vra miku i tij Genci Kashari por në radhët e Alfred Shkurtit humbja ishte shumë më e rëndë. Atij iu vra vëllai, Ramadani dhe shoku Bardhyl Rabija. Vetë miqtë e tij të afërt kanë pohuar se ky ka qenë momenti më i rëndë në jetën e Alfred Shkurtit. Por hasmëria është acaruar edhe më shumë nga fakti që Artur Daja ka mbajtur kufomat për ditë të tëra duke mos lejuar familjen Shkurti që të kryente varrimin. Mendohet se ky është edhe momenti kur Alfred Shkurti nisi të organizohet dhe të krijojë atë që më pas do të bëhej një nga bandat më të mëdha dhe të rrezikshme të Shqipërisë. Fillimisht në këtë grup u mblodhën të pandehurit: Ilir Stërgu, Afrim Hoxha, Arben e Enver Boriçi, Enver Dondollaku e më pas Leonard Prifti (i vrarë), Dritan Vila, Erion Cici, Maksim Çela, Petrit Liçi, Rexhep Gina, Jorgo Muzaka (Agur Musaku) e Arjan Aliçi, duke vazhduar më pas me Erion Kasharin, Elton Mermalin e Enver Rabijën që mbeti i vrarë në mënyrë enigmatike. Me krijimin e kësaj “bande” Alfred Shkurti filloi të organizonte atentate ndaj njerëzve të Artur Dajës, duke i vrarë të gjithë, për të mos lënë gjallë asnjë për shkak se do të hakmerrej. Kështu, vrasjet filluan duke marrë pjesë vetë në vrasjen e shtetasve: Nimet Zeneli, Masar Aliu, Idajet Beqiri, Luan Bilbili, Xhevdet Demiri, dhe Genci Kashari të kryera gjatë vitit 1997- ’99 nga Alfred Shkurti dhe shokët e tij. Por vrasja më makabre është ajo e vetë Artur Dajës. Mendohet se atij i është prerë koka kur ishte ende gjallë dhe më pas një makinë e ka shëtitur atë në të gjithë qytetin e Lushnjes për të treguar se hakmarrja ishte kryer. Pas kësaj banda e Aldo Bares u kthye kundër të gjithëve. Vetë Alfred Shkurti nuk ka marrë pjesë por ka kryer rolin e urdhërdhënësit, ku u vra Klenti Bano (oficer policie), Bledar Haxhiu, Artan Sulçe, Nosh Gjeloshaj, Alfred Pirra, si dhe plagosjen e Bernard Linatopit dhe Bardhyl Kurtit.
BANDA E LUSHNJËS
1. Alfred Shkurti, (Aldo Bare), i arrestuar në Turqi
2. Enver Dondollaku, i dënuar në Itali
3. Petrit Liçi i arrestuar në Shqipëri me status të të penduarit
3. Enver Boriçi, i arrestuar në Shqipëri
4. Ilir Stergu, i arrestuar në Shqipëri
5. Afrim Hoxha, i arrestuar në Shqipëri
6. Erion Cici, i arrestuar në Shqipëri
7. Maksim Çela, i arrestuar në Shqipëri
8. Rexhep Gina, i arrestuar në Shqipëri
9. Dritan Vila, i arrestuar në Shqipëri
10. Arben Boriçi, i arrestuar në Shqipëri
11. Erion Kashari, i arrestuar në Shqipëri
12. Jorgo (Agur) Muzaka (Musaku), arrestuar në Greqi
13. Arjan Aliçko, i shpallur në kërkim
14. Elton Mermali, i shpallur në kërkim
15. Ramdan Shkurti, i vrarë
16. Leonard Prifti, i vrarë
17. Bardhyl Rabija, i vrarë
18. Enver Rabija, i vrarëetj. Etj....
AKUZAT
Krijim të organizatës kriminale
Kryerje e veprave penale në kuadër të organizatës kriminale
Vrasje në rrethana cilësuese të personave me cilësi të veçantë
Vrasje në rrethana cilësuese të mbetur në tentative
Vrasje me paramendim
Vrasje me dashje
Vendosjen e një sasie eksplozivi në Stadiumin “Roza Haxhiu” në qytetin e Lushnjes
Shkatërrim të pronës me armë zjarri
Mbajtje pa leje të armëve luftarake
TË PANDEHURIT NË KËTË DOSJE:
Arben Boriçi
Ilir Stërgu
Afrim Hoxha
Erion (Niko) Cici
Arjan Aliço
Jorgo (Agur) Muzaka (Musaku) dhe
Rexhep Gina
DOSJA 2Alfred Shkurti
Enver Dondollaku
DOSJA 3Enver Boriçi i dënuar për këtë rast