E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letra, grevistët i kthehen idesë së PS-së për komisionerë apolitikë

Deputetët e ngujuar në grevë urie u kanë nisur një letër krerëve të shtetit dhe ambasadorëve të akredituar në Tiranë

Dita e pestë e grevës së urisë së dhjetë deputetëve nuk ka sjellë asnjë zhvillim në drejtim të zgjidhjes së situatës. Pavarësisht përkeqësimit të vazhdueshëm të gjendjes shëndetësore të të ngujuarve, palët vazhdojnë të qëndrojnë në të njëjtat “llogore” si dhe më parë, duke mos lëshuar pe në qëndrimet e tyre. Kështu, ndërsa dy partitë e mëdha dhe aleatët e tyre janë të vendosura që të vazhdojnë procedurat e kalimit të projekt-kodit të ri për diskutim dhe miratim në seancë plenare, deputetët e ngujuar në sallën e Kuvendit nuk rreshtin përpjekjet dhe presionin për të bërë të mundur ndalimin e kësaj procedure të zakonshme parlamentare dhe imponimin e kërkesave të tyre për pjesmarrje në komisionet zgjedhore.

Letra

Pasi i kanë bërë thirrje të vazhdueshme faktorit ndërkombëtar për mbështetje, dje deputetët grevistë nëpërmjet një letre drejtuar krerëve më të lartë shtetërorë, kreut të opozitës Edi Rama dhe trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, ofrojnë zgjidhjen e tyre për situatën. Duke folur për fatet e demokracisë, deputetët grevistë në letrën e tyre vënë në dukje se skema që ofron draft-kodi i ri zgjedhor monopolizon procesin e administrimit të zgjedhjeve. “Ky standard është pa asnjë dyshim hap mbrapa në standardet e transparencës demokratike. Ky standard do të detyrojë popullin shqiptar të bojkotojë zgjedhjet e ardhshme dhe të humbë besimin tek vota e lirë”, - shprehen dhjetë deputetët e ngujuar në letrën e tyre duke i bërë thirrje drejtuesve të lartë të politikës dhe shtetit shqiptar që të reflektojnë lidhur me qëndrimin e mbajtur deri më tani.

Zgjidhja

Për të eleminuar këtë moment ata propozojnë dy zgjidhje, që më parë gjatë ditës së djeshme ishin bërë të njohura për mediat edhe nga sekretari i përgjithshëm i LSI-së Petrit Vasili, pra kompozimin e komisioneve me teknicienë ose në të kundërt përfshirjen në to të të gjitha forcave politike parlamentare. “Në këtë kontekst ju propozojmë që të bëjmë një depolitizim të plotë të gjithë komisioneve të administrimit të zgjedhjeve duke zgjedhur gjithë anëtarët e tyre nga shoqëria dhe administrata civile, jo anëtar të forcave të ndryshme politike. Në këtë mënyrë të gjitha partitë bëhen të barabarta para ligjit. Përbërja politike e administratës zgjedhore kur mbetet si opsion nuk është aspak çështje teknike”, - theksojnë deputetët e LSI-së dhe PDK-së në letrën e tyre. Përsa i përket variantit të parë të zgjidhjes së kësaj situate, pra atij të përbërjes së komisioneve me teknicienë, vlen të theksohet se ai ka qenë që në fillim të debatit për reformën zgjedhore një propozim i socialistëve, por që s’u pranua nga demokratët. Ndërsa propozimi i dytë duket se nuk do të gjejë mbështetjen e partive të tjera që sot nuk janë në parlament dhe që deri më sot kanë mbështetur deputetët grevistë, siç është rasti i LZHK-së. Ndërkohë që dje në mbremje zyra e shtypit e LSI-së ka shpërndarë dhe një letër ku intelektualë dhe figura të njohura publike, si ish-presidentët Rexhep Meidani e Alfred Moisiu, shkrimtari i njohur Dritëro Agolli apo ish-kreu i Akademisë së Shkencave, Ylli Popa, kërkojnë nga forcat politike shqiptare që të sanksionojnë në kodin e ri zgjedhor një proces gjithpërfshirës të administrimit të votës.

Deputeti Ymer Tola përfundon në spital

Përkeqësohet gjendja shëndetësore e deputetëve grevistë. Në ditën e pestë të ngujimit të tyre, disa prej deputetët që i kanë privuar vetes të drejtën për të ngrënë ushqim kanë shfaqur probleme serioze në lidhje me shëndetin e tyre. Situata ka arritur kulmin dje në mbremje kur deputeti demokristian, Ymer Tola, ka shfaqur probleme serioze, çka ka detyruar mjekët që të kërkojnë dërgimin e tij në spital për të bërë një ekzaminim më të specializuar. Por siç mësohet nga burime pranë grevës Tola është paraqitur me ambulancë në spitalin “Nënë Tereza”, ku pasi ka marrë një mjekim të shpejtë ka bërë dhe analizat për t’u kthyer më pas përsëri ne grevë. Ndërkohë grevistët dje përveç ekipit të mjekëve të instaluar pranë Kuvendit të Shqipërisë, i ka vizituar dje edhe ish-deputeti i LSI-së me profesion mjek, Sabit Brokaj. Në një komunikim me mediat ai ka deklaruar se gjendja e deputetëve është rënduar. Brokaj ka bërë të ditur se sipas ekzaminimit mjekësor, tek të paktën tre deputetë vërehet hipertension, ulje tensioni, ulje të sheqerit në gjak apo çrregullim të ritmit të zemrës. Kështu, përveç Ymer Tolës që është detyruar të lërë përkohësisht ambientet e Kuvendit ku po zhvillohet greva, më problematik dje janë shfaqur deputeti tjetër Frrok Gjini dhe ai i LSI-së Spartak Braho.

PDK: Berisha dizinformoi partnerët ndërkombëtarë

Deklarata e bërë nga kryeministri Sali Berisha dy ditë më parë nga Brukseli në lidhje me grevën e urisë së dhjetë deputetëve ka sjellë reagimin e ashpër të demokristianëve të cilët e kanë akuzuar dje atë për tradhti të vlerave morale dhe rregullave të demokracisë. Nëpërmjet një deklarate për mediat, PDK e Nard Ndokës ka denoncuar dizinformimin që sipas tyre kryeministri i bëri opinionit kombëtar dhe ndërkombëtar për objektin e grevës së urisë së dhjetë deputetëve të parlamentit shqiptar. Sipas sekretarit politik të PDK-së, Lazer Stani, greva e urisë nuk është një shfaqje e krizës brenda së majtës, por ajo ka të bëjë me një çështje thelbësore për demokracinë siç është vota e lirë. “Z. Berisha, duke u shmangur nga përgjegjësitë e tij kushtetuese si kryeministër i vendit dhe si kryetar i partisë më të madhe në maxhorancë, të dalë nga zgjedhjet e 3 korrikut të vitit 2005, po përpiqet ta paraqesë betejën për votën e lirë, si një krizë të brendshme të opozitës së majtë. Deputetët e Partisë Demokristiane, nuk janë në grevë urie prej gjashtë ditësh, për të mbeshtetur një koalicion të majtë opozitar, por janë në grevë urie për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme për shqiptarët”, - tha Lazer Stani. Sipas PDK-së qëndrimi i fundit i kryeministrit është një tregues i qartë i luftës që ai dhe partia e tij po i bëjnë demokristianëve për t’i eleminuar nga skena politike. “Ne i bëjmë thirrje kryeministrit Berisha, të ndalë luftën e tij të paprinciptë kundër demokristianëve shqiptarë dhe përfaqësuesve të tyre legjitimë”, - tha më tej Stani. PDK bën të ditur se Kushtetuta e vendit ngarkon qeverinë dhe maxhorancën për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, prandaj i kërkon kryeministrit Berisha të ngrihet në lartësinë e përgjegjësive të tij kushtetuese dhe të bëhet pjesë e zgjidhjes së krizës.

Alibeaj: Greva përfaqëson interesa të vogla meskine

Forumi për Demokraci dhe Etikë organizoi ditën e shtunë një tryezë diskutimi mbi lirinë e votës, Medias dhe Besimit si shtylla themelore për një demokraci të shëndetshme. Të pranishëm në këtë diskutim ishte dhe ministri i Drejtësisë, Enkeljed Alibeaj, i cili në fjalën e tij është përqendruar tek e drejta e votës. Duke bërë lidhjen me grevën e 10 deputetëve, Alibeaj u shpreh se e drejta për të zgjedhur është e drejtë e qytetarëve dhe jo njerëzve rastësor në vendimmarrje. “Duke iu referuar grevës që po bëhet, duket se e drejta për të zgjedhur nuk është argument i qytetarëve, por i disave që rastësia i ka bërë që të jenë përfaqësues, por ata duket se përfaqësojnë interesa të vogla meskine,” - u shpreh Alibeaj në lidhje me grevën që po zhvillohet nga përfaqësues të LSI-së dhe PDK-së në sallën e parlamentit. “Këtu kemi të bëjmë me një keqkuptim të madh pasi besohet se zgjedhjet fitohen ditën e zgjedhjeve. E vërteta është se zgjedhjet fitohen duke punuar që ditën e parë pas zgjedhjeve deri në ditën e heshtjes zgjedhore,” u shpreh Alibeaj, duke shtuar se kjo u duhet mësuar personave që përdorin mjete nga më të ndryshmet për hir të interesave personale. Sipas tij grevat e urisë janë një mjet demokratik për të kërkuar një të drejtë, por ato humbasin këtë vlerë kur keqpërdoren nga njerëz që mendojnë për interesa të ngushta. “Grevat e urisë janë një mjet i moralshëm, por jo kur ata bëhen nga njerëz që nuk kanë treguar asnjëherë respekt ndaj votës së lirë”, tha Alibeaj duke shprehur hapur qëndrimin politik kundër grevës së 10 deputetëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›