Shqiptarët dashurohen me makinat e vogla
Çmimi i lartë, pjesët e këmbimit dhe konsumi i lartë detyrojnë njerëzit të shohin drejt makinave ekonomike
Shitësit e makinave: Rreth 65% e makinave që shesim janë më të vogla se 1800 kubikë
TIRANË- Shqiptarët po orientohen gjithnjë e më shumë drejt blerjes së makinave me fuqi motorike të ulët. Ndikuar nga kuotat e tregut, çmimet e larta të karburanteve, lehtësia në kreditim nga bankat dhe përmirësimi i infrastrukturës rrugore, vërehet një thyerje e mitit disavjeçar të blerjes medoemos të një makine me cilindratë të lartë. Nga një vëzhgim i bërë në disa pika të shitjes së makinave të përdorura rezulton se, rreth 65 % e makinave që presin të bëhen me pronar, janë të një cilindrate më të vogël se 1800 kubikë. “Tani makina është kthyer në një mjet pune, një person qe merr një rrogë mesatare, e ka të pamundur të mbajë një makinë qe harxhon shumë”, citon një tregtar i makinave të përdorura. Distributorët gjithashtu konfirmojnë se, blerësit janë më shumë të prirur kah makinave të “vogla” dhe qe i kanë pjesët e këmbimit me çmime të përballueshme nga xhepi i tyre. Kur përpiqen që të të paraqesin një panoramë të qartë rreth tregut të mjeteve motorike, si tregtarët e makinave të përdorura ashtu edhe përfaqësuesit e distributorëve, nuk harrojnë të venë theksin tek ulja e shitjeve gjatë tremujorit të tretë në krahasim me muajt paraardhës të këtij viti.
Si një nga arsyet kryesore që shtyn blerësit drejt makinave me fuqi motorike të ulët, specialistët e këtij tregu e konsiderojnë çmimin e karburanteve tejet të lartë. Gjatë viteve të fundit, çmimi i arit të zi ka pësuar luhatje të mëdha duke e bërë shumë të kushtueshme mbajtjen e një makine me cilindratë të lartë. Po ashtu, një faktor tjetër kontribuues në rritjen e numrit të makinave me fuqi motorike të vogël është edhe infrastruktura rrugore. Kjo e fundit, me kalimin e viteve ka ardhur drejt një përmirësimi të vazhdueshëm duke i lejuar blerësit qe të mos preferojnë medoemos një makinë të “fortë”, për të përballuar amortizimin e tyre. Rritjen e kërkesës për makina të “vogla”, krahas arsyeve të mësipërmedistributorët ia atribuojnë edhe mbështetjes ekonomike qe ofrojnë bankat ndaj blerësve. “Që një bankë të të mbulojë më kredi blerjen e një makine duhet qe të kesh një burim të sigurt të ardhurash”, shprehet Dritani, specialist marketingu i një distributori në Tiranë. Në shumicën e rasteve, për përmbushjen e këtij kushti shërben rroga. Me një rrogë mesatare prej 30 mijë lekësh, është e pamundur shlyerja e kësteve mujore të një makine me cilindratë të lartë, të cilat janë relativisht më të shtrenjta se ato me më pak kubikë. Në këto kushte, ata blerës qe kërkojnë mbështetje financiare nga bankat, janë të prirur të blejnë një makinë të cilën mund ta shlyejnë duke paguar këste më të ulta se ç’ofrohet për makinat me cilindratë të lartë. Praktika për të blerë një makinë nëpërmjet mbështetjes financiare nga bankat është e thjeshtë. Në momentin qe blerësi vendos të bëjë të veten një makinë, koncensionari e prezanton atë tek banka e cila lidh një kontratë bazuar në kushtet tregut, duke përcaktuar afatin e shlyerjes dhe sasinë e parave që do të paguajë blerësi për secilin këst. Nga ana tjetër, banka i ka paguar koncensionarit vlerën totale të makinës. “Që në momentin qe blerësi lidh një kontratë me ne, ai nuk ka më të bëjë me koncensionarin, tashmë është banka ajo që shlyen detyrimet ndaj këtij të fundit”, citon Najada, agjente kredie e njërës prej bankave qe aplikojnë këtë risi në tregun shqiptar të makinave. Duke e konsideruar një treg shumë vital dhe fitimprurës, sikurse simotrat e tyre në perëndim edhe bankat që operojnë në tregun vendas, kanë filluar të krijojnë sektorë të veçantë për kredidhënien për makina.