Dëshmia e Beqajt vijon të shtyhet, mazhoranca me pankarta përballë opozitës: Mos kini frikë nga fjala e lirë

TIRANË, 13 nëntor/ATSH/ Dëshmia e ish-ministrit Ilir Beqaj në Komisionin Hetimor të Shëndetësisë po përballet me vonesa të vazhdueshme për shkak të tensioneve dhe debateve që po dominojnë komisionin.
Anëtarët e opozitës kanë ndërhyrë me kërkesa proceduriale të shpeshta, duke bllokuar procesin dhe krijuar ngërç në dëgjimin e Beqajt, ndërsa mazhoranca i është drejtuar me pankarta ku shkruhej: Mos kini frikë nga fjala e lirë.
Mazhoranca argumenton se ky bllokim po ndodh për shkak të veprimeve të kryetares së Komisionit, Albana Vokshi, e cila, sipas tyre, nuk po i lejon të flasin dhe njëkohësisht nuk po kalon në rendin e ditës për të dëgjuar dëshminë e Beqajt.
Kjo situatë ka shtuar edhe më shumë tensionin mes palëve, duke e kthyer komisionin në një arenë përplasjeje mbi transparencën dhe të drejtën për të dëgjuar dëshmitë pa ndërprerje.
Mazhoranca i bëri thirrje opozitës që të lejojë që të dëgjohet e vërteta mbi çështjet e rëndësishme në sektorin e shëndetësisë.
Deputeti Plarent Ndreca, përfaqësues i mazhorancës dhe nënkryetar i këtij Komisioni, kërkoi që Ilir Beqaj të thirret për të dhënë dëshminë e tij, duke e konsideruar këtë një kërkesë proceduriale brenda rendit të ditës.
“U bënë 30 orë tashmë. Nëse keni kërkesë proceduriale hidheni në votim. Parlamenti i Shqipërisë funksionon me votë. Kërkesa ime është të bësh detyrën. Kërkesa e fundit, thërrisni zotin Beqaj, të flasë”, u shpreh Ndreca.
Kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi ndërpreu mbledhjen pa konsensusin e mazhorancës duke thënë se do të pritet vendimi i Konferencës së Kryetarëve nëse do të zgjatet afati i punimeve të komisionit. /j.p/