Dëshmia e bashkëshortes: Skerdi, i shqetësuar gjatë javëve të fundit
Tiranë Tronditja e fortë që shkaktoi vrasja tragjike e gjyqtarit Skerdilajd Konomi ka vonuar dëshmitë e familjarëve dhe bashkëshortes së tij. Vetëm ditën e djeshme, hetuesit e çështjes kanë shkuar në banesën e familjes Konomi në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë, ku kanë marrë dëshmitë e prindërve, bashkëshortes dhe disa të afërmve të rrethit të ngushtë të familjes. Prokuroria tregohet tepër e rezervuar rreth dëshmive të familjarëve të gjyqtarit, por mësohet se dëshmitë fokusohen në pistën kryesore të hetimit, atë të vrasjes për shkak të një konflikti të mundshëm pronësie. Prindërit e gjyqtarit nuk kanë pasur shumë informacion për këtë çështje, duke pohuar para hetuesve se djali i tyre prej kohësh po merrej me çështjen e tokave të trashëguara në zonën e Gjirit të Lalzit në Durrës, por pa dhënë detaje konkrete për këtë çështje. Dëshmi më të plotë për pistën e pronësisë ka dhënë bashkëshortja e gjyqtarit, e cila ka përforcuar linjën e deritanishme të hetimeve. Sipas burimeve të rezervuara, mësohet se Enkelejda Konomi ka rrëfyer shqetësimin që bashkëshorti i saj ka pasur gjatë javëve të fundit të jetës. Sipas saj, Skerdi ka qenë tepër i shqetësuar prej kohësh, por ky shqetësim ka ardhur duke u shtuar ditët e fundit. Bashkëshortja e gjyqtarit ka treguar për hetuesit se shqetësimet që ai ka pasur kanë qenë për shkak të çështjes së pronësisë, edhe pse me vendim të formës së prerë, Gjykata e Lartë i kishte dhënë të drejtë familjes Konomi dhe trashëgimtarëve të tjerë të pronës. Pavarësisht se vendimi ishte i formës së prerë, bashkëshortja ka treguar se ai nuk ishte i qetë dhe ndihej vazhdimisht i shqetësuar dhe në ankth. Kjo gjendje që sa vinte e shtohej sipas hetuesve mund të shpjegohet vetëm me përpjekjet e vazhdueshme të gjyqtarit për të hipotekuar pronën e fituar me vendim gjykate. Dëshmia e bashkëshortes duket se u ka dhënë një shtysë të fortë hetimeve, pasi gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit ajo nuk ka dhënë asnjë motiv tjetër që mund të shkaktonte një gjendje të tillë te gjyqtari, përveç motiveve të pronësisë. Por pavarësisht shqetësimeve që gjyqtari i ka shfaqur bashkëshortes, hetuesit nuk kanë mundur të gjejnë asnjë të dhënë që ai mund të jetë kërcënuar para vrasjes tragjike. Përveç shqetësimeve të shfaqura te bashkëshortja apo miqtë e afërt, asnjë prej dëshmitarëve të pyetur nga prokuroria nuk ka deklaruar se Skerdilajdi ishte kërcënuar. Të gjithë pohojnë se prej kohësh ai po merrej me çështjen e pronave të trashëguara, madje edhe pas shpalljes së vendimit të formës së prerë nga Gjykata e Lartë. Miqtë e afërt të gjyqtarit, nëpërmjet dëshmive të tyre kanë mundur të zbardhin edhe udhëtimet e fundit drejt qytetit të Durrësit, ku Konomi kërkonte të hipotekonte pronën e trashëguar. Ky ndoshta ka qenë shqetësimi i tij i fundit, pasi edhe pse kaluan rreth tre muaj nga shpallja e vendimit Skerdilajd Konomi nuk arriti të regjistrojë në emrin e familjes sipërfaqen e konsiderueshme të tokës së trashëguar dhe fituar me gjyq.