E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e gjyqtarit, Burgaj: Shumë shpejt do të ketë emra të përfshirë

Tiranë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ka deklaruar se grupi hetimor është duke hetuar në dy pista, përsa i përket vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi. Gjatë një deklarate për mediat, kreu i Policisë së Shtetit tha se shumë shpejt do të ketë emra të personave të përfshirë në këtë ngjarje. “Po hetohet në dy pista. Ka vlerësim maksimal nga strukturat e policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Mendoj që së shpejti mund të kemi ndonjë emër”,- u shpreh Burgaj. I pyetur nga gazetarët në lidhje me këto pista, Drejtori i Policisë së Shtetit nuk ka pranuar të japë detaje të tjera, duke lënë të nënkuptohet se ato janë në hetim e sipër. Dalja publike e Burgajt vjen vetëm pak ditë pas deklaratës së bërë nga Drejtori i Policisë së Vlorës, Ylli Metko, i cili gjithashtu u shpreh se është duke u punuar intensivisht për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të vrasjes makabre të gjyqtarit Konomi. Menjëherë pas ngjarjes, Hysni Burgaj së bashku me kryeprokuroren Ina Rama dhe me kreun e SHISH-it, Bahri Shaqiri, u thirrën në një takim urgjent nga presidenti Bamir Topi, për të dhënë informacione në lidhje me ngjarjen që tronditi gjithë vendin. Nga ana tjetër, ekspertët më të mirë të Policisë së Shtetit së bashku me një grup hetuesish nga Prokuroria e Krimeve të Rënda zbarkuan në Vlorë për të nisur hetimet për zbardhjen e vrasjes mafioze të Skerdilajd Konomit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›