E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Lartë zbardh vendimin, të afërmit e Konomit, përfituan 1227 ha tokë

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë ka vendosur të rrëzojë vendimin e AKKP-së, duke lënë në fuqi kthimin në natyrë të 1127 hektarëve dhe kompensimin e 160 të tjerave në favor të trashëgimtarëve të Miltiadh Shallvarit, palë kjo e udhëhequr në gjykatë nga gjyqtari Skerdilajd Konomi

Tiranë Tre muaj para ekzekutimit mafioz, Skerdilajd Konomi doli nga beteja gjyqësore disavjeçare me 1127 hektarë tokë, të trashëguara në bregdet. Vendimi për t’u njohur pronësinë trashëgimtarëve të Miltiadh Shallvarit, pjesë e së cilëve është edhe familja Konomi, u mor më 14 qershor të këtij viti me katër vota pro dhe një kundër, ndërsa dje, Gjykata e Lartë zbardhi të plotë këtë vendim. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë ka vendosur të rrëzojë vendimin e AKKP-së, duke lënë në fuqi kthimin në natyrë të 1127 hektarëve dhe kompensimin e 160 të tjerave në favor të palës së udhëhequr në gjykatë nga 33-vjeçari Skerdilajd Konomi. Historia e pronës gjigante, të ndodhur në bregdetin e Durrësit, ka qenë e komplikuar, për shkak të një testamenti të pronarit të parë Miltiadh Shallvarit, i cili ia ka lënë tokën gruas italiane. Por këmbëngulja e gjyqtarit të vrarë, mëngjesin e së premtes në Vlorë, në ndjekjen e çështjes dhe mbledhjen e dokumenteve të pronësisë që datojnë që nga viti 1919 duket se i dha frytet e veta. MAPO boton një pjesë të vendimit të Gjykatës së Lartë, që ndodhet tashmë në dosjen hetimore që synon të zbardhë vrasjen e tipit mafioz të gjyqtarit Konomi.

Vendimi i Gjykatës së Lartë

Nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore rezulton se gjykatat e faktit kanë pranuar të provuar se paditësit Ana Mitro (Veveçka), Fotaq Konomi, Vasillaq Goxhomani, Eleni Mima dhe ndërhyrësit kryesorë Polikseni Mima dhe Marjeta Mima janë trashëgimtarë ligjorë të ish-pronarëve Jorgji Veveçka, Sofia Kolea, Kostandin Mima, Evdhoqes Goxhomani, Ariadhni Konomi, fakt i cili vërtetohet nëpërmjet dëshmive të trashëgimisë ligjore. Paditësit dhe ndërhyrësit kryesorë, Ana Mitro (Veveçka), Fotaq Konomi, Vasillaq Goxhomani, Eleni Mima, Polikseni Mima dhe Marjeta Mima, i janë drejtuar Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Qarku Durrës, me kërkesë për njohjen e të drejtës së pronësisë dhe kthimin në natyrë të pronës së lënë nga trashëgimlënësit e tyre. Zyra Rajonale e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave Durrës, pasi ka marrë në shqyrtim kërkesën e trashëgimtarëve të ish-pronarëve, fillimisht me vendimin nr.172, datë 01.08.2007, u ka pranuar atyre kërkesën për njohjen e të drejtës së pronësisë dhe u ka kthyer në natyrë sipërfaqen e tokës 157.2 ha, si dhe ka vazhduar procedurat për njohjen dhe kthimin e pjesës tjetër të pronës. Zyra Qendrore e Agjencisë së Kthimit të Pronave, pasi ka shqyrtuar me iniciativën e saj vendimin nr.172, datë 01.08.2007 të Z.R.K.K.Pronave Durrës, me vendimin nr.258, datë 01.10.2007 e ka shfuqizuar vendimin nr.172, datë 01.08.2007 dhe ka kthyer dosjen për shqyrtim, duke i lënë si detyra Z.R.K.K.P. Durrës të verifikojë korrespondencën me Ministrinë e Mjedisit. Në rishqyrtim i padituri (AKKP) me vendimet nr.379, 380, 384, ka rrëzuar kërkesën e trashëgimtarëve të ish-pronarëve Jorgji Veveçka, Sofia Kolea, Kostandin Mima, Evdhoqes Goxhomani, Ariadhni Konomit, për njohjen e të drejtës së pronësisë dhe kthimin në natyrë të pronës së trashëgimlënësve të tyre, konkretisht:

1. Me vendimin nr.380, datë 28.12.2007 të Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Qarku Durrës lënë në fuqi me vendimin nr.1069, datë 24.09.2008 të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë është vendosur: “Mosnjohja e të drejtës së pronësisë trashëgimtarëve të subjekteve pretendues si të shpronësuara Jorgji Veveçka, Sofia Kolea, Kostandin Mima, Evdhoqes Goxhomani, Ariandhi Konomi, që dalin nga dëshmitë e trashëgimive të dhëna në pikën 3 të këtij vendimi, për pronën me sipërfaqe 1.820.000 m2 e ndodhur në fshatin Hamallaj (sektor) të Rrethit të Durrësit në ZK 1925, me indeks hartë K-34-88-(144-B, 146-A, 129-D, 161-B), me këto kufij: Veriu - pasuria nr.49, 54/2, 133/2 e kanali i hidrovorit; Jug -vija ndarëse midis fshatit Rushkull-Hamallaj (sektor) Perëndim - pasuria nr.21/8, 21/6, Lindje - pasuria nr.133/2, 49, 139, 146, 87, për faktin se këta trashëgimtarë nuk legjitimohen si palë në procesin administrativ për mangësitë e dala në pjesën përshkruese të vlerësimit ligjor që ndodhet në dosje”.

2. Me vendimin nr.379, datë 28.12.2007 të Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Qarku Durrës lënë në fuqi me vendimin nr.1071n datë 24.09.2008 të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë është vendosur: “Mosnjohja e të drejtës së pronësisë trashëgimtarëve të subjekteve pretendues si të shpronësuara Jorgji Veveçka, Sofia Kolea, Kostandin Mima, Evdhoqes Goxhomani, Ariandhi Konomi, që dalin nga dëshmitë e trashëgimive të dhëna në pikën 3 të këtij vendimi, për pronën me sipërfaqe 25.597.200 m2 e ndodhur në fshatin Rrushkull në ZK 3241, me indeks hartë të papërcaktuar, pasi zona është jashtë sistemit të ZVRPP Durrës me këto kufij natyralë: Veriu - Prona e vet, Jug - Lumi Erzen, Perëndim - Deti, Lindje - Qani Hanëm dhe Fuat Bej Toptani për faktin se këta trashëgimtarë nuk legjitimohen si palë në procesin administrativ për mangësitë e dala në pjesën përshkruese të vlerësimit ligjor që ndodhet në dosje”.

3. Me vendimin nr.384, datë 04.01.2008 të Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Qarku Durrës, lënë në fuqi me vendimin nr.1070, datë 24.09.2008 të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë është vendosur: “Mosnjohja e të drejtës së pronësisë trashëgimtarëve të subjekteve pretendues si të shpronësuara Jorgji Veveçka, Sofia Kolea, Kostandin Mima, Evdhoqes Goxhomani, Ariandhi Konomi, që dalin nga dëshmitë e trashëgimive të dhëna në pikën 3 të këtij vendimi, për pronën me sipërfaqe 1.575.900 m2 e ndodhur në fshatin Hamallaj (sektor) të Rrethit të Durrësit në ZK 1925, me indeks hartë K-34-88-(144-B, 129-A, 129-B) me këto kufij: Veriu - pasuria nr.20/1, 21/9; Jug - vija ndarëse midis fshatit Rrushkull; Perëndim - deti, Lindje - pasuria nr.21/9, 21/10, 134 pasi këta trashëgimtarë nuk legjitimohen si palë në procesin administrativ për mangësitë e dala në pjesën përshkruese të vlerësimit ligjor që ndodhet në dosje”. Nga përmbajtja e vendimeve të kundërshtuara, rezulton se nga ana e të paditurit Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Qarku Durrës është arritur në konkluzionin se: Paditësit nuk rezultojnë të kenë gëzuar titullin e pronësisë të vetëm ose në bashkëpronësi për pronën e pretenduar. E gjithë prona rezulton në emër të znj. Sllava Ljubica Maria Amalia Lampo dhe i është dhënë me enfiteozë për 99 vjet Shoqërisë E.I.A.A. në vitin 1940 dhe më pas i është sekuestruar nga shteti shqiptar më 29.05.1945 kësaj shoqërie. Ankimuesit në asnjë rast nuk figurojnë pronarë ose bashkëpronarë. Vendimi i Gjykatës Durrës, nr.52, datë 02.03.1946, i cili ka konsideruar të pavlefshëm testamentin e lënë nga Miltiadh Shallvari në favor të Znj. Sllava Ljubica Maria Amalia Lampo dhe ka vendosur të njohë si bashkëpronar Znj. Maria Ljubica Shallvari, Jorgji Veveçka, Sofia Kolea, Kostandin Mima, Evdhoqes Goxhomani, Ariandhi Konomi sipas pjesëve takuese, nuk është transkriptuar në regjistrat e hipotekës së asaj kohe e për pasojë nuk i ka sjellë efektet e veta juridike. Bazuar në këtë arsyetim nga ana e të paditurit, Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Qarku Durrës dhe të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë është rrëzuar kërkesa e paditësve, pasi sipas të paditurit nuk legjitimohen të iniciojnë një procedurë administrative. Gjatë shqyrtimit gjyqësor të çështjes, të dyja gjykatat e faktit kanë arritur në përfundimin se rezulton e provuar se në këto nota transkriptimi të viteve 1919-1946 përcaktohet shprehimisht se kufizimet e pronës “Çifligu Rrushkull dhe Çifligu i Ri” janë: L - çifligu në posedim të shoqërisë E.I.I.A, duke u ndarë me të me shtylla çimentoje, të vendosura ndërmjet dy pronave gjatë gjithë çifligut, prej Erzenit, në vendin Shena Prende të Kulla; J - lumi Erzen; P - Deti Adriatik; V - pronat e Qanie Libohovës, Zija Toptanit, Fuat Toptanit, Ali Qoraliut dhe prej këtyre me një hendek, prej vendit Kulla, deri tek ai i quajtur Tana, pastaj prej lumit Vorbe, e më tutje nga Tarini dhe pastaj shtrihet deri në vendin e quajtur Shën Pjetri, kufij të konfirmuara nga tapitë e ish-pronarit Miltjadh Shallvari prej Kadastrës së Durrësit e Shijakut, në datë 19.08.1919. Rezulton e provuar që trashëgimlënësi Miltiadh Shallvari ka vdekur më 17.05.1933. Nga regjistri i pasurive të paluajtshme rezulton që në vitin 1940, në volumin 11 rep. me nr.rendor 527, faqe 32, vol 12, dosje artikull 117, kjo pronë është transkriptuar në favor të Znj. Sllava Ljubica Maria Amalia Lampo, sipas një testamenti të lënë nga trashëgimlënësi Miltiadh Shallvari në datë 08.05.1929. Nga regjistri i pasurive të paluajtshme rezulton se me nr. rendor 528, viti 1940 është regjistruar heqja dorë (renoncimi) i Edita Shallvarit, e bija e trashëgimlënësit Miltiadh Shallvari dhe Nikolo Shallvari, vëllai i trashëgimlënësit Miltiadh Shallvari nga çdo lloj e drejtë që mund t’u takojë për efekt trashëgimie mbi pronat Rrushkull dhe Çifliku i Ri, në favor të Sllava Ljubica Maria Amalia Lampo. Në datë 27.04.1940, është regjistruar në Regjistrat e Pasurive të Paluajtshme Durrës një kontratë enfiteoze kundër Sllava Ljubica Maria Amalia Lampo, në favor të Shoqërisë Italiane E.I.A.A. Me notën e transkriptimit nr 126, volumi 15, datë 29.05.1946, në favor të Shtetit Shqiptar kundra Shoqërisë Italiane E.I.A.A., rezulton se prona e mësipërme me kufizimet: V - Ali Bej Qorralliu, Fuat Bej Toptani, Zija Bej Toptani; P- Deti; J - lumi Erzen dhe L - Qanie Hanemi, Fuat Bej Toptani, në emër të Sllava Maria Ljubicës, dhe që ishte marrë në enfiteozë nga Shoqëria Italiane, kalon në favor të Shtetit Shqiptar, si pronë e konfiskuar në zbatim të ligjit nr.36, datë 14.01.1945 “Mbi konfiskimin e pasurive të shtetasve italianë dhe gjermanë të ndodhura në Shqipëri”. Duke mos qenë dakord me testamentin dhe disponimin e bërë nga i ndjeri Miltiadh Shallvari, trashëgimlënësit e paditësve, konkretisht Jorgji Veveçka, Sofia Kolea, Kostandin Mima, Evdhoqi Goxhomani dhe Ariadhni Konomi, e kanë kundërshtuar testamentin dhe disponimin e bërë nga i ndjeri Miltiadh Shallvari në favor të ish-bashkëshortes së tij Sllava Maria Ljubica Lampo, duke ngritur padi në Gjykatën e Paqit Durrës që në vitin 1934, gjykim i cili ka vazhduar e përfunduar me vendimin nr.52, datë 03.02.1946. Me vendimin gjyqësor nr.52, datë 02.03.1946 i Gjyqit Civil të Prefekturës së Durrësit i formuem me Kolegj Arbitrar, Evdhoqi Goxhomani dhe Ariadhni Konomi janë njohur bashkëpronarë mbi pronën “Çifligu Rushkull dhe Çifligu i Ri”, së bashku me ish-bashkëshorten e të ndjerit Miltiadh Shallvari, duke u përcaktuar edhe pjesët përkatëse të secilit bashkëpronar. Në pjesën arsyetuese të vendimit rezulton se, prona nuk ka qenë e Miltjadh Shallvarit, por e të atit të tij, z. Kostandin Shallvari. Gjithashtu rezulton se testamenti në favor të bashkëshortes Sllava Maria Ljubica, është i pavlefshëm dhe pa pasoja juridike. Pavarësisht se pranuan të provuara të njëjtat rrethana fakti dhe ligjore, dy gjykatat e faktit gjatë shqyrtimit të çështjes konkrete arritën në përfundime të ndryshme në lidhje me zgjidhjen e themelit të mosmarrëveshjes. Kështu në vendimin përkatës të saj, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës vendoi pranimin e padisë së paditësve dhe ndërhyrësve kryesorë duke argumentuar se paditësit janë trashëgimtarë ligjorë të ish-pronarëve. Këta trashëgimtarë janë njëkohësisht, edhe trashëgimtarë ligjorë të Sofija Koleas, dhe si të tillë ata legjitimohen në bazë të nenit 32/a të K.Pr.Civile për të kërkuar rivendosjen e një të drejte ose interesi të ligjshëm që u është shkelur, për të provuar përpara gjykatës se ata kanë patur në pronësi, prona të cilat përfshihen nga zbatimi i ligjit nr.9235, datë 29.07.2004, i ndryshuar. Pra, kanë patur cilësinë si ish-pronar dhe se kjo pronë iu është marrë sipas akteve ligjore dhe nënligjore, vendimeve penale të gjykatave ose marrë me çdo mënyrë tjetër nga shteti datë 29.11.1944... Nga ana e të paditurit Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Qarku Durrës dhe Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë është ngatërruar konceptim i veprimit juridik për kalimin e pronësisë me vendimin gjyqësor, ka konstatuar kjo gjykatë. Efektet e një vendimi gjyqësor fillojnë në momentin që vendimi merr formë të prerë dhe ato humbasin në rast se ky vendim prishet ose ndryshohet nga gjykatat më të larta....

Nisur dhe nga qëndrimi që është mbajtur nga Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë në vendimin unifikues nr.24, datë 13.03.2002, ku duke u interpretuar fryma ligjore e legjislacionit për kthimin dhe kompensimin e pronave, është konkluduar se: “Ligji nr.7514, datë 30.09.19 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të përndjekurve politikë”dhe ligji nr.7698, datë 15.04.1993, “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave ish Pronarëve”, nuk janë mënyra të reja të fitimit të pronësisë, por korrigjim i padrejtësisë së bërë dhe, për këtë qëllim, shfuqizojnë ipso lege të gjitha aktet e mëparshme ligjore me të cilat u ishte marrë prona pronarëve padrejtësisht. Ato nuk krijojnë një situatë të re (nuk kanë efekt konstituitiv), por ristabilizojnë ligjshmërinë dhe drejtësinë. Shfuqizimi i akteve të sipërpërmendura ka si efekt kthimin e palëve në gjendjen e mëparshme, duke rregulluar në masën më të mundshme, situatën e paligjshmërisë lidhur me të drejtën reale me të rëndësishme, atë të pronësisë (jo të drejta të tjera reale e aq më pak të drejtat e detyrimeve). Në këtë këndvështrim, kthimi në gjendjen e mëparshme nuk është i plotë, por i pjesshëm (restitutio in parte).” Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë çmon se Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, në përputhje me përmbajtjen e dispozitës së nenit 310 të K.Pr.Civile, ka marrë një vendim të bazuar në ligj e duke analizuar me hollësi të gjitha provat e administruara në procesin gjyqësor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›