E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmia e gardianit: Si ja morëm frymën Teme Sejkos

Kadri Hazbiu në sallën e gjyqit

Dëshmitë e gardianëve të Burgut të Tiranës për çastet e fundit të Teme Sejkos, ish-komandantit të Flotës, të dënuar me vdekje për tradhti në vitin 61, janë pjesa më makabre e pohimeve të procesit hetimor të Kadri Hazbiut. I thirrur për të treguar çfarë kujtonte nga bisedat e fshehta që Hazbiu zhvillonte në qeli me gjeneralin e kryqëzuar para ekzekutimit, Qemal Birçe, kryegardiani i Burgut të Tiranës, rrëfente në seancën e 11 qershorit 1983 për sjelljet barbare të ushtruara ndaj Teme Sejkos në ditët e fundit të tij. Më herët, në proces Hazbiu ka pranuar se pas shpalljes së vendimit gjyqësor ka autorizuar vartësit e tij që kreun e grupit çam, para se ta ekzekutojnë, ta torturojnë për ti vjelë ndonjë rezervë të pa shprehur për veprimtarinë e tij armiqësore. Pikërisht ky është momenti ku dy fuksionarët e lartë të Sigurimit të Shtetit, Mihallaq Ziçishti e Nevzat Hazdenari, me bekimin e Hazbiut, vihen në krye të operacionit të fshehtë për ta transferuar Sejkon nga qelitë e Tiranës në një bazë sekrete afër Durrësit. Aty, dëshmon Birçe, Temen e kemi qëlluar për orë të tëra me shkopinj në fytyrë, kokë, brinjë, këmbë, deri sa mbeti pa ndjenja. Pastaj e hodhëm në gazin e Ministrisë dhe, sa u përmend, e mbytëm me litar. Pjesa në vazhdim e dëshimisë së ish-kryegardianit, marrë nga libri i Kastriot Dervishi, përshkruan detajet fundore të tragjedisë makabre të admiralit të shpallur tradhtar me një proces farsë…

DËSHMITARI QEMAL BIRÇE

I vitlindjes 1920, pensionist, dëshmonte më 11 qeshor 1983 për fundin e Teme Sejkos: Lidhur me sa pyetem, kam për të thënë këto gjëra: Kur u arrestua Teme Sejko, mua më sollën me shërbim në burg, përgjegjës për grupin e oficerëve që siguronin të pandehurit në dhomat e izolimit. Në këtë detyrë kam qëndruar deri në fund, pra, deri në kohën kur u dënua Teme Sejkua dhe grupi i tij. Pas gjykimit të çështjes e dënimit të tyre, shkova përsëri në Ministri, në vendin ku kisha qenë më parë shef i Komandaturës. Si qëndrova 5 6 ditë në Ministri, një ditë, rreth orës 18:00 pasdite më thirri në zyrë Mihallaq Ziçishti. Kur shkova atje, vura re që ishte edhe Kadri Hazbiu dhe persona të tjerë, si Rexhep Kolli e Nevzat Haznedari. Mihallaqi më dha urdhër që të heqësh rojet e policisë që janë tek burgu i vjetër, sepse atje do të dërgojmë Teme Sejkon dhe Tahir Demin, që të mos na i shikojë njeri, kur të shkojnë atje. Në këtë kohë, Temja dhe Tahiri ishin dënuar me vdekje, por dënimi skishte marrë formë të prerë. Unë shkova dhe e zbatova porosinë. Pas pak më mori Mihallaq Ziçishti në telefon dhe më pyeti a je gati. Unë i thashë po, jam gati. Pak më vonë, Mihallaqi erdhi me një gaz 7- vendësh. Në gaz Mihallaqi kishte marrë Teme Sejkon e Tahir Demin. E shoqëronte edhe Nevzat Haznedari. I morëm Temen e Tahirin dhe i futëm në dy dhoma të veçanta në katin e dytë të burgut të vjetër, të përgatitur që më parë me krevat me susta, batanije, dyshek e çarçafë. Aty Teme Sejko e Tahir Demi janë mbajtur rreth një muaj. Nevzat Haznedari vazhdimisht u binte si Temes dhe Tahirit letër për të shkruar dhe u merrte ato që ata shkruanin. Se ku i çonte këto letra Nevzati, nuk e di. Bashkë me mua bënin shërbim edhe tre oficerë të tjerë, Qemal Xhaferri, Luto Beqiri dhe Islam Gjondeda. Të katërt ne rrinim në dy dhoma në katin e parë dhe bënim roje me radhë. Tahiri me Temen aty hanin ushqim, për nevoja personale i binin derës që ne ua mbyllnim nga jashtë me çelës, u jepnim brisk e makinë dhe rruheshin vetë. Më kujtohet se rreth 10 ditë pasi kishim shkuar te burgu i vjetër, më mori në telefon Kadri Hazbiu rreth orës 1:00 pas mesit të natës dhe më tha: Jam Kadri Hazbiu, dil e më prit se do të vij aty. Dola aty te oborri i burgut dhe pa kaluar as pesë minuta, Kadri Hazbiu erdhi vetëm. Pasi më takoi, më pyeti se ku rri Teme Sejko. Unë i thashë në një dhomë në katin e dytë. Më shoqëro deri te dhoma, tha Kadriu. Të dy u ngjitëm në katin e dytë. I hapa derën e dhomës ku rrinte Teme Sejkoja. Temja u ngrit nga krevati dhe qëndroi në këmbë. Kadriu më vështroi, për të më lënë të kuptoja që të largohesha. Dola jashtë duke tërhequr pas vetes derën dhe qëndrova në mes të shkallëve. Kadriu qëndroi brenda me Temen rreth një orë dhe pastaj doli. Unë u ngjita dhe mbylla derën e dhomës së Temes me çelës. Kadriu zbriti e doli jashtë në oborr e pas tij dola edhe unë. Atje më hodhi dorën në sup e më tha: Ki kujdes se partia thotë që këta armiq janë në duar të sigurta. Unë i thashë, mos ki merak shoku ministër. Se çfarë bisedoi me Temen, nuk di asgjë. Pas këtyre fjalëve që shkëmbyem bashkë, Kadriu u largua. Pasi i mbajtëm te burgu i vjetër një muaj, një natë pas mesit të natës, vjen aty Mihallaq Ziçishti së bashku me Nevzat Haznedarin, i cili në atë kohë ishte kryetar i Degës së Hetuesisë. U hapa derën, u futëm të tre bashkë brenda në dhomën ku mbanim Teme Sejkon dhe Mihallaqi me Nevzatin i hodhi Temes hekurat në këmbë e duar. Aty qëndruam deri në mëngjes. Në mëngjes herët i zgjidhëm këmbët Temes, e mbështollëm me një batanije dhe e hipëm në një gaz 7-vendësh. Tahir Demin e lamë aty në vend. Me shërbim si roje mbeti Luto Beqiri. Pas kësaj, në gazin 7-vendësh hipa unë, Nevzati, Islam Gjondeda dhe Qemal Xhaferri. Shofer ishte një kushëri i Mihallaq Ziçishtit, oficer, emrin nuk ia kujtoj, di që ka vdekur. Mihallaq Ziçishti ishte me makinën e tij dhe u nis para nesh. U nisëm edhe ne në drejtim të Vorës. Makinën tonë e drejtonte Nevzati, i cili duhet të kishte biseduar me Mihallaqin, se e dinte ku po shkonim, por neve nuk na tha asgjë. Rrugës, Mihallaqin nuk e pamë. Kur shkuam në Maminas, qëndruam në mes të vreshtit ku është një shtëpi e vetme që quhet pallati i beut. Aty e zbritëm Temen. Sa zbritëm ne, erdhi edhe Mihallaqi me makinën e tij. Me të ishte edhe Rexhep Kolli. E futëm Temen në një dhomë. Pas kësaj, Mihallaqi dërgoi Qemal Xhaferrin për të prerë 20 shkopinj shkoze. Pasi i pruri shkopinjtë, vetë Mihallaqi në prezencë të Rexhepit e Nevzatit, filloi ta rrihte Temen me shkop. E godiste Temen me shkop, që ishte sa tre gishta i trashë, në gjithë pjesët e trupit, përfshi edhe kokën, me gjithë forcën sa thyheshin shkopinjtë. Si lodhej Mihallaqi, vazhdonte Rexhepi e pastaj Nevzati. Kjo vazhdoi gjithë ditën deri në mbrëmje sa hyri dielli. Temja nga të rrahurit gati kishte mbaruar, sa merrte frymë. Nga gjithë pjesët e trupit që i ishin nxirë e çarë, në fytyrë, kokë, brinjë, kofshë, këmbë, i dilte gjak. Pra, ishte në një gjendje të tillë që ai nuk mund të shpëtonte. Kur ai nuk ndiente më asgjë, erdhi Kadri Hazbiu. Unë gjatë gjithë ditës tërë ngjarjen e pashë me sytë e mi, sepse isha në korridor dhe dera e dhomës ku rrihnin Temen ishte e hapur dhe unë vetëm atë shikoja. Dy shokët e tjerë ishin caktuar larg si roje që mos të na afrohej njeri. Kur erdhi Kadriu, më dha dorën, më pyeti çkemi. Unë i thashë se Temja po vdes nga të rrahurit. Kadriu shkoi dhe u fut në dhomë, ku u takua me Mihallaq Ziçishtin, Rexhep Kollin dhe Nevzat Haznedarin. Ishte vetëm kur erdhi aty, ndërsa shoferi me shoqëruesin qëndruan te makina rreth 15 20 metra larg shtëpisë. Dua të shtoj se në atë shtëpi, në atë kohë nuk banonte asnjeri. Kadriu qëndroi rreth 5 minuta dhe u largua. Si u largua Kadriu, e mbështollëm Temen me batanije e duar të lidhura nga mbrapa me hekura siç i kishte kur e rrihnin, e hipëm në gazin 7-vendësh e bashkë me të, edhe unë, Nevzati, Islami e Qemali dhe u nisëm në drejtim të Tiranës. Unë nuk e dija ku do të shkonim, detyrën e kishte marrë Nevzati… Pa kaluar Vorën, unë dhe Islam Gjondeda që ishim me makinën mbrapa, i hodhëm në fyt Teme Sejkos që ishte i shtrirë në mes nesh, një litar në formë laku dhe, duke e tërhequr secili në krahun e vet, e mbytëm. Pra, Temja nuk kishte asnjë shenjë jete. Për mbytjen e Temes

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›