E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmia e parë mbi masakrën e Srebrenicës

HAGË- Dëshmia e parë e një të mbijetuari nga masakra e Srebrenicës në korrik 1995 u dëgjua të enjten gjatë procesit të ish-shefit politik të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç përpara Gjyaktës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (TPI).

"Ne morëm lajmin, sipas të cilit Srebrenica kishte rënë, prandaj na u desh të niseshim me domosdo, pasi të gjithë do të vriteshin", deklaroi dëshmitari, në kushtet e ruajtjes së identitetit.

"Persona të moshuar mbetën pas dhe u vranë", shtoi ai, "ata nuk mundën të shpëtonin".

Afro 8.000 burra dhe djem myslimanë nga Srebrenica (Bosnja lindore) u vranë nga forcat serbe të Bosnjës nga 11-15 korrik 1995, në masakrën më të rëndë në Evropë që pas fillimit të Luftës së Dytë Botërore.

I burgosur në datat 12 dhe 13 korrik 1995 nga forcat serbe të Bosnjës, dëshmitari "KDZ039" u mbijetoi ekzekutimeve që ndodhën më 14 korrik në bashkinë e Zvornikut, në veri të Srebrenicës.

Prokurori Julian Nicholls lexoi përpara gjykatësve deklaratat e mëparshme të dëshmitarit, gjatë një procesi tjetër lidhur me masakrën e Srebrenicës. Ai tregoi se e kishin çuar në një livadh ku i kishte mbijetuar ekzekutimeve.

I pyetur nga gjykatësi, dëshmitari, që kishte arritur të largohej gjatë natës, tha se përveç atij vetë , "vetëm një burrë kishte mbijetuar, në mijëra të tillë".

Radovan Karaxhiçi, 66 vjeç që mbrohet vetë, akuzohet për gjenocid, për krime kundër njerëzimit dhe për krime lufte gjatë luftës së Bosnjës (1992-1995), konflikt që shkaktoi 100.000 të vdekur dhe mbi 2,2 milionë të shpërngulur.
(ma.ar/afp/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›