E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmia e plotë e Agim Shehut: Roli i policisë në masakrën e Qafë Gjashtës

Botohet e plotë dëshmia që u dha dje Shehu para Kolegjit të Krimeve të Rënda. Dëshmi kontradiktore mes ish-kreut të Policisë së Shtetit dhe Sokol Bizhgës
Laureta Rryçi

TIRANË – Dëshmia e Agim Shehut, ish kreu i Policisë së Shtetit gjatë trazirave të vitit 1997, ka rënë ndesh me deklarimet e dhëna para Gjykatës së Krimeve të Rënda nga Sokol Bizhga, një prej protagonistëve kryesorë të ngjarjes, ku mbeti i vrarë kolegu i tij në një pritë të organizuar nga grupe të armatosura. Shehu dha dje dëshminë e tij për përplasjen, ku mbeti i vrarë polici Gjergji Mehmeti. Ai ka mohuar faktin se i ka dhënë urdhër shefit të Policisë Kriminale të asaj kohe në Vlorë, Sokol Bizhgës, duke sqaruar se ai ka shkuar me dëshirën e tij në Sarandë për të ri-ngritur komisariatin e qytetit që ishte rrënuar nga trazirat e dhunshme. Ish-shefi i komanduar në komisariatin e Vlorës, Sokol Bizhga, i cili bashkë me tre efektivë të tjerë u zu pritë me 4 mars të vitit ‘97 në Qafë Gjashtë, nga persona të armatosur mësohet t’i ketë kërkuar zëvendësministrit të Rendit të asokohe njëherazi zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Agim Shehu, të shkonte në komisariatin e Sarandës, pasi në Vlorë i rrezikohej jeta. Dëshmia u dha dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda në seancën ndaj të akuzuarve për masakrën e Qafë Gjashtës. Ish zëvendës-ministri i Brendshëm, njëkohësisht edhe ish-drejtor i Policisë së Shtetit rrëfeu me detaje bisedën telefonike të zhvilluar me Sokol Bizhgën para dhe pas mbërritjes së tij në Sarandë. Gazeta “Albania” sjell në numrin e sotëm, dëshminë e plotë të Agim Shehut.
Dëshmia e plotë
Në vitin 1997 kam qenë Drejtor i Përgjithshëm i Policisë dhe zëvendës ministër i brendshëm. Ngjarja ka ndodhur në fillim të muajit mars të vitit 1997 dhe shefi i Policisë Kriminale të Vlorës, Sokol Bizhga, së bashku me efektivin e policisë Gjergj Mehmetin, kanë qenë atë kohë të emëruar në Komisariatin e qytetit të Sarandës. Në atë periudhë kohore, shefi i komisariatit të Vlorës Sokol Bizhga, për shkak të rrezikshmërisë që i kanosej në Vlorë, më kërkoi leje për t’u larguar në Sarandë, ku kishte edhe disa të afërm të tij. Unë i dhashë leje dhe meqë po shkonte në Sarandë, i kërkova që të njihej me gjendjen atje dhe të punonte për riorganizimin e komisariatit të Sarandës, i cili në atë kohë ishte tërësisht jo funksional. Kur arritën në Sarandë, Bizhga më telefonoi dhe më ka treguar për gjendjen në komisariat dhe në bazën detare të Sarandës. Në përfundim, Bizhga më tha se ishte e pamundur të organizohej komisariati për shkak të zhvillimeve që kishin ndodhur atje dhe unë e lashë të zgjidhte; nëse do të qëndrohet në Sarandë, në baza të sigurta, apo do të kthehej në Vlorë. Madje, i rekomandova edhe vendet se ku mund të qëndrohet në Sarandë dhe të ishte i sigurt. Nuk pata më kontakte me të, por vonë, pasdite, nga burime jo policore mora vesh se në Qafë Gjashtë ishte vrarë një person dhe mendohej se i përkiste institucioneve të sigurisë publike; pra, mund të ishte i SHIK-ut ose i policisë. Por nuk dihej se kush ishte. Tentuam të ndërhynim për të marrë vesh, por, nuk funksionuan sepse nuk mund të shkonte dot njeri pasi rruga ishte e bllokuar nga njerëz të armatosur. Vonë, mësuam se çfarë kishte ndodhur, kur shefi i policisë së Gjirokastrës kishte shkuar në Gjirokastër. Ai i kishte shpëtuar një prite në Qafë Gjashtë dhe personi i vrarë ishte Gjergj Mehmeti. Komunikova me shefin e Policisë së Gjirokastër dhe i thashë që të gjenin Bizhgën dhe ta ndihmonte për të ardhur në Tiranë. Kur Bizhga u kthye në Tiranë kërkova hapjen e një dosje hetimore. Bizhga dha një dëshmi gojore dhe tha se u godit për shkak të detyrës dhe se nuk ka pasur konflikt me asnjë person në Sarandë. Ditën e ngjarje kam komunikuar me Bizhgën rreth orës 11.00 të paradites, ndërsa informacioni i saktë për ngjarjen është marrë të nesërmen dhe jo atë ditë. Bizhga e ka treguar ngjarjen shkurtimisht edhe para meje dhe kolegëve të mi. Ai ka thënë: pasi nuk bëmë dot riorganizimin e komisariatit të Sarandës u detyruam që të ktheheshim në Vlorë. Dhe në Qafë- Gjashtë, afër një centrali na dolën përpara në pritje njerëz të armatosur, të cilët hapën zjarr, duke e ditur që ne ishim oficer policie. Vetë Bizhga i kishte komunikuar që ishte shef i Policisë Kriminale të Vlorës dhe që nuk kishte asgjë me ata. Por, këta persona kanë hapur menjëherë zjarr dhe Bizhga është plagosur në këmbë ndërsa të tjerët që ishin në makinë janë shpërndarë në drejtim të paditur. Bizhga nuk me ka thënë gjë për emrat e autorëve të ngjarjes, ndërsa ato që mësuam më vonë për ngjarjen janë hedhur në një fletë të bardhë që i ka shërbyer procesit deri tani. Unë kam qenë me detyrë drejtor i Përgjithshëm i Policisë dhe në atë kohë kam urdhëruar policinë kriminale që të hapte një dosje hetimore për këtë masakër, por nuk ishte detyra ime që të kontrolloja dhe ndiqja vijueshmërinë e saj. Në rrugën e vajtjes së tyre për në Sarandë, nuk kam pasur informacione se janë penguar nga njerëz të armatosur, pra gjatë bisedës në telefon me Bizhgën nuk më është raportuar një fakt i tillë. Përsa i përket faktit nëse kanë qenë të veshur me uniformë apo civilë kur kanë shkuar në Sarandë, dua të them se shefi i Policisë Kriminale pra Bizhga nuk mban uniformë. Vendimi nëse të kthehej në Vlorë apo të qëndronte në Sarandë i përkiste vetë Sokol Bizhgës, dhe ai vendosi që të kthehej për të mos lënë vetëm kolegët që e shoqëruan dhe pasi mjedisi në Sarandë ishte i papërshtatshëm. Bizhga ishte shef i Policisë Kriminale të Vlorës dhe u largua në Sarandë pasi i rrezikohej jeta në Vlorë dhe iu dha nga mua detyra për të marrë në dorë komisariatin e Sarandës, dhe iku me dëshirën e tij.

21 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›