E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apelit lë në fuqi masat e sigurisë për zyrtarët e Ministrisë së Brendshme

TIRANË - Gjykata e Apelit dha të njëjtën masë sigurie për të akuzuarit për tenderat në Ministrinë e Brendshme. Burime pranë kësaj gjykate pohuan dje se e vetmja masë që ndryshoi ishte për të arrestuarin Jani Gjergjevi, ndaj të cilit u la masa e sigurisë “detyrim me paraqitje”. Ndërsa mbeti e njëjtë masë arresti për zyrtarët; Bujar Zenel Murati, 39 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë, me detyrë ish- drejtor i Përgjithshëm i Zhvillimit të Procedurave të Përqendruara të Prokurimeve pranë Ministrisë së Brendshme; Redi Agron Popescu, 31 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë, me detyrë ish-specialist në Ministrinë e Integrimit dhe Tahir Hajrulla Imami, 49 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, ish- shef i Programimit të Prokurimeve në Gardën e Republikës. Veç tre zyrtarëve, për biznesmenin Artan Nargim Berberi, 43 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Tiranë, pronar i kompanisë MALBERTEX sh.p.k., u la arrest në shtëpi për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Ndërsa për Jani Dhimitraq Gjergjefin, 49 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Tiranë, pronar i kompanisë GJERGJEFI sh.p.k., u la masa e sigurisë detyrim me paraqitje. Të gjashtë personat akuzohen për korrupsion, pasi dyshohen se, nëpërmjet ryshfeteve, kanë favorizuar tri firma që të fitojnë tenderët e uniformave për Gardën e Republikës e policinë, si dhe dyshohen për tenderë të tjerë në polici. Bëhet fjalë për tenderin e uniformave të Gardës dhe policisë, me vlerë rreth 1.3 milionë euro. Sipas dokumentimit të kryer nga grupi hetimor, tre zyrtarët kanë përfituar nga ky korrupsion rreth 125 mijë euro. Hetimet 4-mujore të organit të akuzës sollën prova për veprime korruptive të tre zyrtarëve të mësipërm, Bujar Murati, Redi Popescu dhe Tahir Imami, të cilët kanë favorizuar e përzgjedhur tre subjektet tregtare për t‘i klasifikuar fitues në procedurat e prokurimit të datës 09 shtator 2009, me objekt "blerje veshjesh për disa institucione" me vlerë limit dhe "blerje këpucë", me fond limit 175 034 194 lekë, që do zhvillohej nga Drejtoria e Përgjithshme e Prokurimeve të Përqendruara pranë Ministrisë së Brendshme. Me qëllim përfitimi personal në shuma të konsiderueshme parash, ata kanë kërkuar ryshfet nga 5% deri në 10% të vlerës së limitit të prokurimit. Artan Berberi, Agur Sadiku dhe Jani Gjergjefi dyshohet se kundrejt përfitimeve të kundërligjshme që u kanë dhënë zyrtarëve Bujar Murati, me detyrë drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Prokurimeve të Përqendruara pranë Ministrisë së Brendshme dhe Redi Popescu kanë ndarë me marrëveshje të paracaktuar midis tyre fituesit e loteve të kësaj procedure prokurimi, duke eliminuar konkurrencën e shoqërive të tjera në mënyrë të padrejtë. Hetimet po vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë, të cilët mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari të kundërligjshme. Sipas të dhënave të prokurorisë kanë qenë rreth 14 lota për uniformat e Policisë së Shtetit, ushtrisë, Gardës së Republikës, doganave dhe tatimeve. Gjithashtu po hetohet edhe për tenderët e tjerë të fituar nga këta persona, që dyshohet se mund të jenë kryer me të njëjtën metodë korruptive.

21 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›