Dëshmia për Gërdecin që implikon Mediun e Berishën Nga Tema Fabrika kishte nisur punë, tre muaj para se të merreshin vendimet nga qeveria Dëshmia e rojës së fabrikës së vdekjes në Gërdec, Beqir Prini, risjell dhe njëherë në qendër të v
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Dëshmia për Gërdecin që implikon Mediun e Berishën Nga Tema
Fabrika kishte nisur punë, tre muaj para se të merreshin vendimet nga qeveria
Dëshmia e rojës së fabrikës së vdekjes në Gërdec, Beqir Prini, risjell dhe njëherë në qendër të vëmendjes aferën më të madhe korruptive në vendin tonë. Prini bëri të ditur dje se ka nisur punë në fabrikë në shkurt, atëherë kur nuk kishte asnjë vendim qeverie e asnjë urdhër të ministrit të Mbrojtjes për të nisur punë fabrika e demontimit. Delijorgji e ka bërë fakt të kryer miratimin e të gjitha procedurave dhe ka nisur punën përpara se qeveria të marrë vendimet.
Prini zbulon në dëshminë e tij, që botohet e plotë më poshtë, se madje dhe përpara se ai të punësohej si roje në një repart ushtarak, aty kishte nisur punën një fadromë, që po përgatiste terrenin. Me shumë gjasë bëhet fjalë për kompaninë e botuesit të gazetës “55”, Fahri Balliu.
Pasi kishte parë fadromën që kishte nisur punën, Prini ishte drejtuar atje dhe kishte kërkuar një vend pune, duke thënë se ai mund të punonte vetëm si roje. Prini takoi aty Dritan Minxollin dhe Mihal Delijorgjin. Në repart, sipas tij, kishte ushtarakë, dhe gjatë kohës kur ai nisi punë. Dëshmitari Prini tha gjithashtu se përgatitja e terrenit kishte nisur më parë, për shkak se firma po shtronte me çimento dhe po përgatiste zyrat. Ai thotë se nuk paguhej në bazë kontrate, por në mënyrë informale.
Por, nëse Prini punonte si roje në firmën e Delijorgjit, kryeministri, Sali Berisha, dhe Fatmir Mediu sapo kishin nisur shfaqjen. Në mbledhjen e datës 17 shkurt 2007, Fatmir Mediu kërkon të miratohet vendimi që do i hapte rrugë demontimit. Por ministri i Financave e prish shfaqjen, kur deklaron se nuk mund të bëhet vendim i posaçëm nga qeveria për një firmë, pasi Mediu kishte specifikuar firmën amerikane, si dhe nuk duhet që kjo gjë të bëhet me prokurim të drejtpërdrejtë. Berisha sheh që nuk mund të kundërshtojë Boden, për shkak të argumenteve ligjore që sjell dhe i kërkon Mediut të rregullojë vendimin që të jetë në përshtatje me ligjet. Mediu shprehet i nevrikosur dhe i thotë Berishës se “ai u premton në zyrë dhe tani në mbledhje qeverie hesht”. Ky demaskim i Mediut është një formë presioni për të mos zbuluar emrin e djalit të kryeministrit që qëndron pas kontratës.
Rreth një muaj më vonë qeveria zhvillon një tjetër mbledhje, ku miraton vendimin nr. 138. Ndërkohë që me urdhrin nr. 550, datë 25.04.2007, Mediu i hap rrugë demontimit në Gërdec, tre muaj pasi Delijorgji kishte nisur punimet dhe kishte vënë gjithçka në vijë.
ǒdijeni keni në lidhje me aktivitetin që zhvillohej nga ana e firmës “AlbaDemil”, në ish-repartin e tankeve në Gërdec?
Unë kam parë që në ish-repartin e tankeve në Gërdec po punonte një fadromë. Për këtë unë kam vajtur dhe jam interesuar se mos kishte punë. Konkretisht unë isha i sëmurë dhe përveçse roje nuk mund të bëja asnjë punë tjetër. Aty kam takuar një teknik ndërtimi të quajtur Kujtim, mbiemri nuk më kujtohet. Kujtimit i kam kërkuar, nëse kishte ndonjë vend pune për roje. Ai më mori numrin e telefonit dhe më tha se do më telefononte. Pas tri ditësh Kujtimi më ka marrë në telefon dhe më tha që të takoheshim tek objekti. Aty ai ishte bashkë me Dritan Minxollin, i cili më tha të filloja punë që atë ditë si roje. Fillimisht kam filluar punë roje vetëm, për gati 10 ditë. Pas kësaj Dritani më tha që të gjeja dhe dy persona të tjerë për të punuar. Unë i kam thënë se mund të gjeja vetëm një person tjetër të sigurt, dhe kështu mora Ibrahim Kolën, të cilin e kisha komshi dhe shok. Kur jam takuar me Tanin, ka qenë i pranishëm edhe Begator Mane, me të cilët kemi biseduar për kushtet e punës, rrogën dhe kohën e punës.
Konkretisht, në çfarë date keni filluar punë në këtë ndërmarrje?
Nuk mund t’u them dot datën e saktë, por jam i sigurt që kam filluar punë në shkurt të vitit 2007 dhe e kam lënë punën më 20.08.2007. E mbaj mend datën kur kam lënë punën, pasi 7 ditë përpara fejova djalin tim, Shkëlqimin, dhe 4 ditë më pas kam nisur vajzën me dhëndrin në Itali.
Si ishte ambienti i ish-repartit të tankeve, kur ju keni filluar punë aty dhe çfarë punimesh u bënë më pas?
Ju sqaroj se reparti kishte një rrethim të jashtëm me tel me gjemba. Konkretisht ishin rreth dy-tri fije teli, të fiksuar në disa bandierë të rrallë. Aty afër hyrjes së repartit ishte një godinë dykatëshe. Pak më larg kësaj godine ishte edhe një godinë njëkatëshe e truprojës, e cila më pas u prish nga firma. Në vendin ku u bënë zyrat e firmës më pas ishte një magazinë e papërdorshme dhe e prishur. Rreth 50 metra më larg ishin godinat e fjetinës, në krahun perëndimor, rreth 100 metra larg ishin 4 godina, ku njëra ishte pa çati dhe tri të tjerat ishin njëkatëshe, të cilat u përdorën më pas për depozitimin e barutit. Kur unë kam filluar punë, po punohej për shtrimin e shesheve me beton. Akoma nuk ishte ngritur kapanoni dhe zyrat e firmës. Me sa mbaj mend unë, punimet i drejtonte Kujtimi. Pa ashtu aty vinte Dritani dhe Mihali. Rreth një muaj pasi unë kisha filluar punë, aty ka filluar puna për ndërtimin e kaparonit dhe zyrave të firmës. Di që punëtorët që kanë punuar për ndërtimin e kapanonit ishin nga Shkozeti dhe me sa kam marrë vesh unë ishin punëtorë të Mihalit. Rreth muajit maj 2007 mbaj mend që aty kanë ardhur makineritë që do të përdoreshin për demontimin e municioneve.
Kur ju keni filluar punë, a keni lidhur kontratë me firmën dhe kush ua paguante rrogën?
Unë, kur kam filluar punë, nuk kam lidhur kontratë. 10 ditët e para të punës m’i ka paguar Kujtimi, ndërsa më pas na ka marrë Begatori, i cili na ka paguar për 16 orë punë në ditë, kur rroga ishte për tre roje. Por në realitet ne ishim dy roje. Ju sqaroj se ne si roje ishim të palicencuar dhe të paarmatosur. Pas datës 26.06.2007, e deri kur unë kam lënë punën, u shtuan edhe 10 roje të tjera dhe u bënë 12 roje. Kjo, si shkak i fillimit të punës dhe grumbullimit të municioneve.
Gjatë kohës që ju keni filluar punën si roje në këtë ndërmarrje, pra që prej muajit shkurt e në vazhdim, a mbani mend, nëse në repart ka pasur ushtarak apo jo?
Mbaj mend që aty kanë qenë nënoficerë, që bënin shërbim me ndërrim, emrat janë Agroni, Dalip Kau, Paulini.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se, përveç jush në këtë ndërmarrje kanë punuar dhe familjarë tuaj si, gruaja, Dylberja, djali, Shkëlqimi, me të fejuarën Zelije dhe dy vajzat tuaja, Blerta dhe Arta. Na sqaroni se si kanë filluar punë familjarët tuaj në këtë ndërmarrje?
Nga ana e drejtuesve të firmës dhe konkretisht Mihali, është shprehur problemi për të gjetur punëtorë. Personalisht kam folur me Mihalin, të cilit i kam kërkuar të merrte edhe familjarët e mi në punë dhe ai ka pranuar. Kështu që më datë 14 apo 15 qershor 2007 pasdite unë i kam lajmëruar familjarët e mi që të vinin në punë.