Shifrat e krimit komunistNga Fritz RadovaniShqipnia ka mbi 45.000 të vramë, të mbytun në hetuesi, me gjyq e pa gjyq, në kampe shfarosje, në internime, kufinj, ushtri…etj deri në vitin 1974 Deri kur me shifra false, të rreme me dashje, mashtrime
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Shifrat e krimit komunistNga Fritz RadovaniShqipnia ka mbi 45.000 të vramë, të mbytun në hetuesi, me gjyq e pa gjyq, në kampe shfarosje, në internime, kufinj, ushtri…etj deri në vitin 1974
Deri kur me shifra false, të rreme me dashje, mashtrime dhe gënjeshtra të pacipë?
Deri kur Shoqata Antikomuniste e ish të Përndjekunve Politik të Shqipnisë tue i mbajtë ison torturuesve të vet dhe gjykatësve katil komunistë që tallen me ju tash 65 vjet?
Deri kur frikë e mungesë guximi me thanë të vërtetën të paktën me shifra?
Deri kur do të vazhdoni me qendrue të lidhun për karriga të hetuesisë tue kërkue mëshirë e, tue pritë me ju kthye pronat tueja apo, me ju rritë pensionet hetuesit e torturuesit tuej?
Deri kur do të qëndroni në kampet e internimit e fermat famëkëqija, tue pritë mëshirë nga ata që ju kanë marrë jetën, gjanë e mallin dhe ju kanë ngordhë ndër këneta paraardhësit tuej?
Deri kur heshtje ndaj oficerve dhe komisarve katil të ushtrisë, që ju kanë vra djelmët tuej në lule të rinisë, tue krye shërbimin e detyrueshëm ushtarak... e tue ju gënjye se u “vetëvranë”?
Deri kur tue kërkue eshtnat e rinisë Shqiptare, që në kërkim të lirisë u vra në kufinj?
Deri kur “budallenj” tue pranue ekzekutimët nëpër manikomjo e repartet e psikiatrisë?
Deri kur tue pranue me faqe të zezë shifrën e 6.000 të pushkatuemve nga komunizmi... edhe ju o emigrantë, që shumë mirë e dini sesa vetë janë vra jashta atdheut nga sigurimi i shtetit?
Deri kur, flisni, flisni ju o mumje të varrosuna natën për hanë, ju që vazhdoni me kenë të humbuna në rranjë të qershijave e lisave të maleve, ju o të pavorr, që nuk ju kjau as nanë, as as motër, as grue, as vajzë, por vetëm qokthi i natës e kulumrija e ditës o fatzez, besëpremë e të harruem përsa e sa dekada prroskash e zallishtash... pa asnjë shenjë tek koka, përveç një plumbi shprazë nga dora e harbueme e “vllaut” tradhtar e të shitun, që probatin me hasmin shekullor u ba, në dam të truellit të t’parve tuej e t’atdheut të robnuem..!?
Mo’ Zot ma keq, për vendet tona të pashpresë me u zgjue nga gjumi!
E, deri kur, n’kllapi një Popull i tanë... me pranga në qafë, e kryet lavjerrë somnabul?!
Jo, jo, jo gjumë vdekje me gjarpnin nën jastëk o vlla bespremë!
Ja fakti, nëse doni fakte: Në vitin 1977 u lirue nga kampi famkeq i Spaçit i burgosuni politik AKR, të cilin pata rasë me e njohtë afër. Në kohën kur vuente dënimin në Spaç të Mirditës, më tregonte se në vitin 1974 kishte pasë pranë vendit të fjetjes një ish oficer, i cili ishte arrestue dhe dënue nga gjyqi ushtarak i Ministrisë Punëve të Mbrendshme, në Tiranë, kryesisht për arsye se kishte nxjerrë “sekretin”... Ai rrinte shumë i vetmuem dhe kërkonte me mujtë me kalue pjesën tjetër të jetës që i kishte mbetë në gjum... mbasi, kishte frikë se dënimi asht vetëm fillimi i rrugës për në jetën tjetër, ashtu si shumica e shokve të tij që ishin kenë oficerë të asaj dreq Ministrije që e kishte sjellë tek viktimat e veta. Evitonte të gjitha mundësitë, madje edhe me u përshëndetë me ndonjë ish oficer që njihej prej kohësh. Nuk i shkonte asnjëri në takim, mbasi dihet se pothuej të gjithë çka ishin të burgosun politik, ishin të “divorcuem” dhe nuk mund kishin ma lidhje me gratë e tyne apo familjarët tjerë, që po të shkonin në takime ndër ata burgje e kampe do të kishin humbë punën shtetnore dhe avenirin e fëmijve të tyne. Sigurisht, mërzia dhe mungesat e mëdha në ato vende e, sidomos, mungesa e duhanit, se nuk po hyjmë ndër tjera, fillojnë me ba punën e vet. Për çudi edhe pse ishte kenë oficer i Sigurimit të Shtetit, qysh në fillim të shërbimit tij pranë asaj ministri, nuk njihej as emni i tij nga asnjë i burgosun edhe pse kishte punue aty jo pak, po gati 20 vjet! Shumë oficera që janë arrestue në ata vite, mbas dënimit kanë kërkue mos me u ndodhë me viktimat e veta, e kryesisht, me ata të cilët i kanë torturue gjatë hetimeve në mënyrë shtazore, një ndër të cilët kujtohet edhe sot, hetuesi Elham Gjika. Ky jo... nuk njihej fare!
Një ditë, i mbytun në mendime me krye në grushta, me t’u dukë sikur po fliste me vete dhe po “korrigjonte” të kaluemen e vet të randë pranë atij dikasteri të mënershëm, që kalimtarët në bulevardin e Tiranës, kur i afroheshin asaj ndërtesë, zbritshin nga trotuari dhe hypnin prap, vetëm mbasi kalonin edhe rrugën mbas asaj ministri, aq të bukur, me plepa e plot hijeshi... se iu dukej sikur rrobat e shëtitjes mund të ju kapeshin për ferra... të asaj ndërtese të zymtë... pa “dritë e shpresë”, mu në qendër të kryeqytetit. Por jo, ai ishte tue mendue krejt tjetër gja..! Posa AKR shkon me u shtri në drrasat e veta të fjetjes, vëren një ofshamje të thellë nga oficeri, që me një gjysëm zani i kërkon një cigare. Ia jep cigarën po, edhe ia ndez... E pyet, se mos ka marrë letër apo lajm nga shtëpia, por jo...oficeri që e kishte denoncue për “dekonspirim” ishte arrestue dhe kishte mërrijtë edhe ai në Ballsh, një kamp tjetër pune. I burgosuni AKR gjen rastin dhe e pyet: “Po çka dreqin dekonspirove ti kur të gjithë bashkbiseduesit tuej ishin oficera si ti?”... Kishte ba buzën në gaz dhe, tue e vrojtue në sy, ishte përgjigjë: “Jo, asnjëri, nuk dinte se çka kishte të dyllosur kasaforta ime...! Kurrë, asnjëri nuk e ka çelur atë përveç atij që ka punuar para meje në atë zyrë... Edhe ay është zhdukur... e, ndoshta fatin e tij do kem dhe unë... ti je i ri dhe një ditë do dalësh... si shkodran do të besoj... deri ditën që jam arrestuar, në shkurt të këtij viti (1974, shënimi FR}, numri i të pushkatuarve, të vramve me gjyq e pa gjyq, të mbeturve në hetuesi në tortura, të vdekurve në kampe pune dhe çfarosje, të vdekur në kampe internimi dhe ferma pune, në spitale psiqiatrike dhe çmendira, të vrarë në kufinj dhe reparte pune e ushtarake ose, gjoja të “vetëvrarë”...pa shifrën e atyre që Sigurimi ka zhdukur në botën e jashtme, mbasi ata nuk ishin në kasafortën time, shifra ka arritur: 45.000 shqiptarë pa varr...në tokën e tyre shqiptare! Dhe, mbi 450.000 Shqiptarë të tjerë, të burgosur, (të riburgosur dy ose tre
herë), të internuar, të dëbuar, të zhdukur...që të gjithë vazhdojnë të vuajnë “luftën e kllasave” të diktaturës së Enver Hoxhës, dhe partisë së tij të punës, po kurrë të Shqipërisë dhe Popullit Shqiptarë..! Mallkuar qoftë ay që i shërben këtij shteti terrorist..!”
Kështu u mbyll ajo ditë në kampin e Spaçit, të dy ranë me fjetë... po sa fjetën s’e di..!
Mbas asaj ditë kurrma nuk asht hapë ajo bisedë...mbasi u dyllos edhe njëherë ditën ma parë, për me u ruejtë vetëm në mend... vetëm në mend... ashtu si shumë shifra tjera...e, shumë e shumë kujtime vuejtjesh e tmerri të atyne viteve të pafund... që kush i fliste i fluturonte koka.
Mos i harroni këto shifra... Ju, lutem, mos i harroni këto shifra... por, shtoni edhe vitët mbas tyne o bashkvuejtësit e mij... Janë plot edhe 17 vjet tjera me mërrijtë deri në vitet ’90..!
Vetëm shifra ishin ATA, që u përshkuen nga plumbat komuniste...
Vetëm shifra ishin ATA, se ATA nuk kanë as vorr, as emën, as shenjë tek koka e tyne, ATA u zhdukën nga dora e tradhtarit vllavrasës me yll në ballë e, vetëm ajo dorë e gjakosun me drapën e çekanin bolshevik i vuni një shenj, një shenjë që nuk e kalbë as toka as koha...
Kurr mos i harroni, as yllin e as drapën e çekanin se prap do të përsërisin shenjën e tyne: NJË PLUMB MBAS KOKE..!